Video editorial i “Koha Jonë”: Protesta e maturantëve, klithma për shkatërrimin e Shqipërisë së nesërme
Video editorial i “Koha Jonë”: Protesta e maturantëve, klithma për shkatërrimin e Shqipërisë së nesërme
Protesta e maturantëve që denoncojnë tezat idiote të provimeve po trajtohet nga qeveria dhe një pjesë e mediave si një tekë adoleshentët. Reagimet e Ministrisë së Arsimit që thotë se në protestën e gjimnazistëve nxitën nga opozita apo deklarata e Komitetit të Ekspertëve që e gjejnë fajin të maturantët për mos kuptimin e tezave, janë qëndrime të papërgjegjshme. Mënyra më e keqe për të fshehur problemet reale të arsimit është denigrimi i të rinjve dhe të rejave që këto ditë kanë ngritur zërin dhe kërkojnë të trajtohen me dinjitet. Ti cilësosh si PD-istë dhe LSI-stë mijëra të rinj që ende nuk kanë mbushur 18 vjeç është fyerje ndaj maturantëve, prindërve të tyre dhe ndaj shoqërisë. Në shesh këto ditë kanë dalë të rinj që jo thjeshtë u është ulur nota mesatare, por gafat e Ministrisë së Arsimit po u kushtojnë rëndë për të ardhmen dhe projektet e tyre në universitet.
Pyetjet që kanë bërë namin në rrjetet sociale për shkallën e absurditetit janë vendosur nga ekspertët e provimeve, pa marrë parasysh se bëhej fjalë për një projekt pilot dhe jo një standard të aplikuar në disa vite. Kanë zgjedhur të bëjnë eksperimente me maturantët, pikërisht në vitin më të vështirë dhe më kritik. Në nëntor shkollat u mbyllën për shkak të tërmetit. Ndërsa në mars mësimi mori fund zyrtarisht si pasojë e pandemisë dhe orët e leksioneve u kaluan online. Megjithë këto boshllëqe të gjimnazistëve dhe situatë të vështirë për vetë mësuesit, Ministria e Arsimit vendosi të eksperimentojë duke vendosur teza dhe pyetjesh provimesh që janë pa kuptim. Vetë mësuesit kanë mbetur të shokuar nga kjo praktikë, pasi as ata nuk kishin përgatitur gjimnazistët për një estradë të tillë.
Kur një tezë provimi apo pyetje të saj nuk kuptohet nga 100% e maturantëve, këtu fajin nuk mund ta kërkojmë te të rinjtë dhe as të mësuesit, por të ai që ka hartuar tezën. Një pjesë e pyetjeve janë jo profesionale dhe karagjozllëqe burokratësh të paaftë në Ministrinë e Arsimit. Këto gafa nuk shlyhen duke sulmuar të rinjtë apo aq më keq duke i bërë pis me pazare dhe lëvizje politike. Mijëra maturantë kanë dalë në shesh jo se ua kërkuan partitë, por se panë që mundi i tyre dhe djersa e prindërve u shkel rëndë nga Ministria e Arsimit.
Rrëmuja me provimet e maturës, për një pjesë të shoqërisë ka prodhuar humor me pyetjen e Turit apo shqetësim për interpretimin e pasaktë të poezive të Lazgush Poradecit. Këto gafa për gjimnazistët përkthehen në nota dhe në penalizim të të ardhmes së tyre në universitet. Marrëzia e eksperimentit me pyetjet do t’u kushtojë këtyre të rinjve renditjen në degët që duan të ndjekin në shkollën e lartë. Varka e pyetjes së famshme të Turit, ka përmbysur me një provim ëndrrat e shumë vajzave dhe djemve që këto ditë nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për tu shprehur veçse të protestojnë. Kjo nuk është protestë politike, por një klithmë që vjen si paralajmërim nga Shqipëria e së nesërmes.
Trajtimi i të rinjve sot në këtë mënyrë nga Ministria e Arsimit dhe qeveria po u jep maturantëve mesazhin më të keq që një shtet mund të jap për të ardhmen e tij. Tallja me 18 vjeçarët nuk do të prodhojë një shoqëri më të mirë nesër.