VIDEO/Përplasje fizike mes protestuesve dhe policëve në Kukës
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Kukës, ku do të mbajë fushatë elektorale në bashkitë e këtij qarku.
Ndërsa Rama është nisur drejt Kukësit, ka ndodhur një përleshje mes protestuesve dhe policisë. Forcat e policisë kanë ngritur kordon policor për të ndaluar simpatizantët e PD. Protestuesit në përleshje e sipër kanë thyer kordonin policor. Ata kanë thirrur në kor “Rama ik”.
Simpatizantët e selisë blu në këto momente vijojnë të afrohen drejt aeroportit, aty ku po mbahet takimi elektoral përmbyllës i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit në këtë qytet.
Mitingu i Ramës ishte planifikuar të mbahej në qendër të qytetit por për shkak të incidenteve dhe tentativave të militantëve të PD për ta penguar këtë takim, ai është zhvendosur pranë Aeroportit. Siç duket edhe nga pamjet qindra forca policie kanë blinduar aeroportin e Kukësit për të mos lejojnë ndërhyrjen e militantëve të PD-së brenda ambienteve të këtij të fundit, me qëllim për të shmangur përplasjet gjatë takimit të kryeministrit.