Mbërrin në atdhe trupi i nëntetares Zarife Hasanaj, “Dëshmore e Atdheut”
Ka mbërritur sot në atdhe trupi i ushtarakes shqiptare, Zafire Hasanaj, e cila humbi jetën në Letoni. Zarife Hasanaj u shpall sot “Dëshmore e Atdheut”. Lajmin, ministrja e Mbrojtjes ja dha personalisht familjarëve të ushtarakes.
Arkivoli me trupin e nëntetare Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.
Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.
Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare. Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30. Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.
Një incident tragjik gjatë çmontimit të një mine, i mori jetën ushtarakes shqiptare, Zerife Hasanajt, pjesë e misionit të NATO-s në Letoni, ndërsa dy ushtarakë mbetën të plagosur, major Klodian Tanushi 39 vjeç në gjendje të rëndë dhe rreshter Julian Kapaj 41 vjeç, jashtë rrezikut për jetën. Zarife Hasanaj humbi jetën gjatë asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive të paplasura.
VIDEO/CEREMONIA NË RINAS
Ceremoni edhe në bazën Camp Adazi në Letoni
Në bazën Camp Adazi në Letoni u organizua ceremonia e lamtumires me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjese e misionit “Enhanced Forëard Presence”.
FOTO/Ceremonia e zhvilluar në Letoni