VIDEO/Rama interpelancë online me banorët e Kukësit: Ju kërkoj ndjesë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri Damian Gjiknuri zhvilluan sot një interpelancë online me banorët e Qarkut të Kukësit.

Tema e interpelancës është vendosja e taksës për kalimin e Rrugës së Kukësit. Siç thanë disa prej qytetarëve në interpelancë, disa prej tyre kishin marrë pjesë edhe protestës kundër rritjes së taksës që u zhivlluan ditën e shtunë në Kalimash.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama u kërkoi falje banorëve për mungesën e informacionit nga ana e qeverisë për procedurën që do të ndiqet me taksën e rrugës.

“Ju kërkojmë ndjesë për mungesën e konsultimeve. Kjo ka ndodhur sepse ne nuk e vlerësuam si duhet këtë situatë, por edhe pse në muajin shkurt ne kemi nisur konsultimet me koncesionarin për përdoruesit e shpeshtë të rrugës”,- tha Edi Rama.

Kryeministri sqaroi se pjesë e kontratës me kompaninë që do të mirëmbante rrugën ishte dhe studimi i lëvizjeve për gjashtë muaj dhe më pas do të përdoreshin skema aplikuese për banorët e zonës.

Kryeministri theksoi disa herë se mungesa e konsultimeve dhe komunikimit me banorët ishte faj i qeverisë dhe për këtë kërkoi mirëkuptimin e banorëve.

“Ajo që në bëmë gabim ishte impakti i kësaj takse në zonë. Duhet ta pranojmë që llogaritë ishin bërë gabim. Po, u bën gabim se dhe ne nuk i dimë të gjitha dhe nuk kemi lindur të ditur. Po të jetë për mua s’duhet të kishte taksë, por nëse bëja këtë do të ishte tradhti, sepse ajo rrugë duhet mirëmbajtur dhe nëse nuk do të kishit rrugë fare”,- tha Edi Rama.

Në interpelancën virtuale me qytetarët e Kukësit, përveç taksës së rrugës dhe personave të arrestuar, Kryeministri Edi Rama foli edhe për aeroportin, por edhe për stadium e këtij qyteti. Rama u shpreh se aeroporti do të jetë funksional që prej kësaj vjeshte dhe do të bazohet kryesisht te fluturimet me çmime të lira. “Aeroporti i Kukësit do të hapet. Procedura ka filluar. Do të jetë një aeroporti me një tjetër profil nga Rinasi dhe nga Vlora, pasi do të bazohet te fluturimet me çmime të ulëta. Në vjeshtë aeroporti do të jetë operativ”. Por nuk tha të njëjtën gjë për stadiumin. “Stadiumi është një diskutim i hapur. Duke pasur parasysh që Kukësi është në pozicione të larta dhe nuk ka një stadium të nivelit të lartë, është pjesë e programit, por do të jetë diçka për më tej, jo si aeroporti”, tha Rama.

VIDEO/INTERPELANCA E KRYEMINISTRIT RAMA DHE MINISTRIT GJIKNURI ME BANORËT

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155712427781523/

Opozita në mosbindje civile. Basha-Kryemadhi: Nuk ndalemi derisa Rama të heq taksat

Bashkëbisedimi i plotë i Edi Ramës me banorë të Qarkut Kukës:

Kryeministri Edi Rama: Jam këtu bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe të Energjisë për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Rregulli në këtë interpelancë të platformës është që cilido prej që është i ngarkuar nga të tjerët, apo disa prej jush shtrojnë problematikën dhe bëjnë pyetjet, njësoj siç ndodh edhe në Parlament, ne iu përgjigjemi të gjitha pyetjeve. Nëse ju keni ndonjë gjë më shumë për të sqaruar nga përgjigjet i rikthehemi dhe pastaj ne bëjmë përmbylljen, sipas rregullit. Kështu që fjala është për ju!

Anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës: Ju falënderoj që po komunikon direkt me banorët e Qarkut të Kukësit për një problem shumë madhor, që është tarifa e Rrugës së Kombit. Në jemi një grup përfaqësuesish nga Bashkia Kukësit, që kemi nderin të komunikojmë me ju direkt. Ne nuk jemi për greva, apo protesta dhune, por jemi për protesta ekonomike. Unë kam 3 kërkesa. Gjatë fushatës elektorale 2017 premtuat që do të hapet aeroporti i Kukësit; e dyta, do të ndërtohet stadiumi i futbollit dhe e treta, investimet e rrugëve që lidhin njësitë administrative me rrugët kryesore, që janë katastrofë. Kam dhe dy pyetje zoti Kryeministër. Duke pasur parasysh që Qarku i Kukësit është ndër qarqet më të varfra të vendit, si arritët të vendosnit një tarifë të vështirë për t’u përballuar nga banorët e Qarkut të Kukësit?  Kemi dëgjuar shpesh nga ju, ministrat dhe deputetët, që kjo është një kontratë e negociuar dhe firmosur nga ata që sot e sulmojnë. Ju pse nuk e anuluat?

Banore e Qarkut Kukës: Pse nuk u bë më parë vlerësimi i frekuentimit të rrugës dhe pse nuk u zgjodh që gjatë vlerësimit të mos paguhet kjo tarifë? Pse nuk erdhi asnjëherë, asnjë përfaqësues ministrie apo i koncensionarit që të informojë kuksianët mbi zbatimin e vendimit? Pse kryetari i bashkisë thotë që është i painformuar?

Banore e Qarkut Kukës: Si keni menduar t’i ndihmoni ata kalimtarë, të cilët e kanë të domosdoshme të kalojnë disa herë dhe xhepi nuk ua mban për ta përballuar pagesën? A keni në plan ju si qeveri, një plan masash për të ngritur punësimin në Kukës dhe njëkohësisht për të rritur mirëqenien, duke ditur që Qarku i Kukësit është një ndër qarqet më të varfra?

Anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës: Unë jam këshilltar që kam marrë pjesë në protestë. Ne kemi shkuar në protestë pasi tarifa e rrugës është shumë e lartë. A nuk mendoni ju se kjo tarifë e varfëron popullin më shumë sesa është sot?

Anëtar i Këshillit të Qarkut Kukës: Kemi dëgjuar se do t’i jepet 120 mijë euro në vit nga koncensionari Bashkisë Kukës. Ku do shkojnë këto para? Si do përdoren? Çfarë përftimi ka Bashkia Kukës? A mendoni se do funksionojë sistemi abone?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit edhe njëherë! Dikush nga ju tha që tha që është nder për ju të komunikoni me mua, ndërkohë që unë kam detyrimin që përsëri, edhe drejtpërdrejtë me ju, edhe për të gjithë ata banorë që na dëgjojnë, ta filloj duke thënë që për sa ne nuk kemi arritur të bëjmë nga pikëpamja e shpjegimeve dhe sqarimeve të domosdoshme, ju kërkoj ndjesë që të gjithëve, sepse kjo pjesë është pjesa e përgjegjësisë tonë. Nga ana tjetër dua t’ju garantoj juve dhe të tjerëve që na dëgjojnë, që nuk ka qenë një mungesë komunikimi, as sepse kemi qenë indiferentë ndaj problematikës, as sepse nuk e kemi mendjen tek shqetësimet, tek problemet, tek hallet tuaja dhe të njerëzve në përgjithësi dhe as sepse e lamë gjënë të shkonte në rrjedhje të lirë, por për një arsye, nga njëra anë, sepse nuk e vlerësuam si duhet këtë fazë dhe nga ana tjetër, sepse ndërkohë, qysh në fund të shkurtit, ne kemi filluar punën për një pikë të kontratës. Ka një pikë në kontratë, e cila është pikërisht për ata që quhen përdorues të shpeshtë të rrugës, që do të thotë, për të gjithë ata për të cilët rruga është e domosdoshme me një lëvizshmëri të lartë, jo dikush që mund të shkojë 1 herë, 2 herë, 3 herë në vit për një dasmë, për një sebep, apo largqoftë për ndonjë mort, kontrata parashikon 6 muaj për këtë pjesë.

Pse parashikon 6 muaj?

E përsëris, ky nuk është justifikim në këtë rast, pasi duke qenë se kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri, ne duhet të kishim qenë më të vëmendshëm dhe duhet të ishim më të përgatitur, për t’i bërë shumë shpjegime përpara, siç po i bëjmë sot. Kontrata parashikon 6 muaj, sepse kërkohen sipas praktikave ndërkombëtare dhe sipas të gjithë ekspertëve, 6 muaj për të vlerësuar fluksin e përdoruesve të shpeshtë. Nëse sot, dikush thotë jam përdorues i shpeshtë, nuk mjafton ta thuash, por duhet dhe të jesh përdorues i shpeshtë dhe mbi bazën e fluksit të përdorimit, të marrësh një akses në një sistem tjetër, që nuk është sistemi i pagesës së përhershme, siç është kur hyn njëherë, ose del njëherë në “x” kohë nga zona. Sidoqoftë, duke qenë se ne e kemi të qartë që kjo ka nevojë për një kohë dhe për një shpjegim, i kemi dhënë vetes dhe juve 60 ditë kohë për ta bërë këtë sa më shpejt, por njëkohësisht për ta bërë dhe mirë, se nuk duam t’i bëjmë gjërat që nesër të dalin të nxituara, apo të dalin të gabuara.

Unë e kam thënë dje dhe sot në Kuvend, që ne nuk do ta rivendosim funksionimin e sistemit të pagesës përpara. Edhe nëse do të jetë gati sistemi i rindërtuar përpara 60 ditëve, ne nuk do ta çelim përsëri sistemin e pagesës, pa konkluduar formulën për të gjithë zonën. Të jemi të qartë për këtë, sepse nuk duam që përsëri të biem në kurthin ku ramë, për fat të keq, nga manipulimi i skajshëm që iu bë kësaj çështjeje dhe nga keqpërdorimi që iu bë shumë banorëve, opinionit publik me gënjeshtra, me shpifje me anulime. Kështu që në këtë fazë, ne po bëjmë këtë punë.

Dikush më pyeti për kryetarin e bashkisë. Unë nuk e kam takuar kryetarin e bashkisë, sepse kryetari i bashkisë nuk është distancuar nga dhuna. Sot e kam dëgjuar që ka thënë madje se unë qenkam tërhequr nga tarifa dhe tani duhet të kërkoj lirimin e njerëzve. E para, ne jetojmë në një shtet që është me Kushtetutë, është me ligje, është me pushtete të ndara dhe se kush ndalohet e se kush gjykohet nuk është vendimmarrje e qeverisë, nuk është vendimmarrja ime, është vendimmarrje e organeve ligjzbatuese dhe organet ligjzbatuese kanë detyrimin të bëjnë detyrën e tyre. Thirrja për të liruar këta e për të liruar ata është një thirrje që shkon jo vetëm në adresë të gabuar kur vjen puna tek unë, por shkon komplet në ajër, për shkak se ky është një proces që i takon organeve të drejtësisë.

Kryetarit të Bashkisë Kukës i them sot se jo vetëm që nuk jam tërhequr nga asgjë, por thjesht po vazhdojmë një proces që duhet ta kishim bërë më përpara. Kjo është e vërtetë. Për këtë kam kërkuar ndjesë dhe ndryshe nga të tjerët përpara, ne as e konsiderojmë veten të pagabueshëm. Unë as e konsideroj veten të pagabueshëm, as hyj tek ata që nuk dëgjojnë. Kam dhënë prova në më shumë se një rast që, nëse nuk i parashikoj si duhet gjërat, jo për qëllime të këqija, por sepse gaboj dhe pastaj njerëzit insistojnë, unë dëgjoj. Duke dëgjuar dhe duke bërë një ndarje shumë të qartë midis kujtdo aty që ka shkuar për të protestuar për tarifën si një njeri i pakënaqur, po si qytetar dhe jo për të djegur dhe për t’i shërbyer atyre që duan ta bëjnë Kukësin shishe benzine, është krejt normale që të dëgjosh dhe të reflektosh.

Duke i marrë pyetjet me radhë.

Aeroporti i Kukësit do të hapet. Procedura ka filluar. Do të jetë një aeroport me një tjetër profil nga Rinasi, ose nga Vlora, sepse do të bazohet kryesisht tek fluturimet me çmime të ulëta. Fluturimet me çmime të ulëta janë të pamundura në aeroportin e Rinasit, për shkak të një koncesioni shtrëngues. Nëse sot, të gjithë ata nga Kukësi që janë në Britaninë e Madhe, në Gjermani, në Amerikë, në Itali, kudo që janë dhe si të gjithë shqiptarët ankohen me të drejtë për çmimet e larta të biletave, ka një arsye. Ka një marrëdhënie koncensionare të të shkuarës që i jep aeroportit të Rinasit fuqinë për të vendosur tarifa shumë të larta. Aeroporti i Kukësit ka mundësi, ka potencialin, ne e kemi bërë të gjithë studimin, e kemi nisur procedurën dhe jam shumë optimist që në vjeshtë, aeroporti do të fillojë të jetë operativ. Jam shumë optimist që për festat e fundvitit, kuksianët që do vijnë nga jashtë në shtëpi përmes atij aeroporti. Do të jetë një aeroport loë cost, kryesisht për me linjat me çmime të ulëta.

Përsa i përket stadiumit, ky është një diskutim i hapur, duke pasur parasysh edhe faktin që Kukësi prej shumë vitesh tanimë është në pozicione të larta dhe nuk ka një stadium ku të bëjë ndeshjet ndërkombëtare. Patjetër që është pjesë e programit, por do të jetë diçka për më tutje, jo si aeroporti që është në proces.

Të kthehemi tek tema kryesore. Një pyetje ishte si arritëm ta pranojmë këtë tarifë. Duhet të kemi parasysh një gjë, tarifa në radhë të parë nuk është vendosur për Kukësin, tarifa nuk është vendosur për një zonë. Tarifa është vendosur për një rrugë kombëtare, e cila ka një kosto shumë të lartë mirëmbajtjeje dhe mundësitë tona janë krejtësisht të pamjaftueshme për ta mirëmbajtur.

Ju jeni dëshmitarë të faktit që në Rrugën e Kombit ka pasur disa rrëshqitje të rrezikshme. E keni parë ju, kam parë unë, e kanë parë të gjithë, sesi një pikë shërbimi e përpiu dheu. Fatmirësisht deri më sot nuk ka pasur viktima.

Nga studimi i bërë rezulton se kemi 37 vatra të rrezikshme ku mund të ketë rrëshqitje masive dhe të cilat kërkojnë investime mbrojtëse dhe kërkojnë patjetër dhe në të gjithë gjatësinë e rrugës mirëmbajtje. Ka filluar ndërhyrja, sepse edhe ato riparime që janë bërë, i ka bërë kompania, e cila është operative ndërkohë në terren. Kontrata ka filluar të zbatohet kohë më parë. Është firmosur përpara 2 vitesh. Kompania ndërkohë që ka përgatitur atë ngrehinën që u bë, ka bërë edhe shumë punë të tjera.

Nëse ne nuk ndërhyjmë sot për mirëmbajtjen, unë ju siguroj që nesër do të jetë shumë më e vështirë. Nëse ne nuk i japim drejtim sot kësaj pune, jo Kukësi, por Shqipëria, Kosova do ta humbin atë rrugë dhe pastaj kostot për ta rindërtuar do të jenë shumë më të larta saç janë sot, pa harrur faktin që rruga është ende e papërfunduar dhe ju e dini shumë mirë. Rrugës i mungojnë ura, i mungon ura e re që do të ndërtohet nga kompania dhe është një nga investimet e para që kompania do të bëjë. Për dijeninë tuaj, në vitin e katërt, sipas kontratës, buxheti i shteti do fillojë të japë kontributin e vet. Ka një kontribut për të dhënë buxheti i shtetit, sepse ne duam që ta mbarojmë atë rrugë, sepse ne duam që ta mirëmbajmë atë rrugë, sepse ne duam që të mos rrisim kostot më tutje.

Rruga ka kushtuar 1.3 miliardë dollarë. Ato 1.3 miliardë dollarë nuk janë 1.3 miliardë dollarë që janë paguar atëherë dhe ka mbaruar kjo histori. Ato janë borxh. Sot që flasim, ne paguajmë çdo vit borxhin, paguajmë interesat, paguajmë detyrim principal. Kemi 110 milionë dollarë çdo vit borxhe që iu paguajmë investimeve të bëra më parë. 37% e zë kjo rrugë, çdo vit. Është normale. Është ndërtuar me borxh dhe do vazhdojë të lahet borxhi.

Kur them që qeveria e mëparshme bëri procedurën, hapi dhe tenderin dhe e vuri 8.5 euro pa TVSH tarifën, nuk e them për të thënë se ne jemi më të mirë, ata e vunë 10, ne po e vëmë 5. E them, për të thënë që ka një hipokrizi të madhe në këtë histori. Sepse që rruga nuk mirëmbahet dot me buxhet, i pari e ka thënë paraardhësi im. Nuk kam ardhur këtu të bëj politikë me ju, as të bëj debat me opozitën në biseda me ju, por po bëj sqarim. E ka thënë paraardhësi im, e ndërtuam, por nuk e mirëmbajmë dot.

5 eurot e vendosura janë llogaria që del nga kostoja e mirëmbajtjes. E përsëris, 5 euro është llogari, të cilës nuk i shmangemi dot, ose pastaj nuk do ta mirëmbajmë. Është e thjeshtë. Ka një diferencim midis gjithë përdoruesve dhe përdoruesve të shpeshtë dhe banorëve të zonës dhe për këtë diferencim, ne po punojmë intensivisht që ta realizojmë në harkun e 60 ditëve.

Së dyti, pse nuk u anulua kontrata. Ajo tentativa e tyre dështoi. Ishte dhe në fund të mandatit, para zgjedhjeve, me siguri ka pasur edhe pasiguri nga kompanitë etj.. Por përpjekja u vazhdua, sepse nuk ka asnjë llogari, nuk ekziston asnjë ekspert që të thotë që kjo rrugë mund të mbijetojë, nëse nuk bëjmë gjithë këtë proces mirëmbajtjeje.

Një pyetje tjetër ishte pse nuk u bë më parë vlerësimi i frekuentimit të rrugës. Vlerësimi i frekuentimit të rrugës bëhet në 6-mujorin e parë, pasi hyn në fuqi pagesa si praktikë. Ne ndoqëm praktikën dhe gabimi ynë ishte që nuk vlerësuam impaktin e herës së parë që ndodh. Kjo është hera e parë që ndodh. Nuk është hera e fundit që ka rrugë me pagesë në Shqipëri. Do të ketë dhe të tjera, detyrimisht, në të ardhmen, por në këtë rast ishte hera e parë dhe nuk është se i dimë të gjitha, nuk kemi lindur të ditur dhe u gjendëm si të thuash në këtë situatë.

Tani është më e vështirë kjo që po bëjmë, sepse duhet të bëjmë disa kalkulime ekstra, në kuptimin, edhe disa parashikime që janë më shumë parashikime sesa të dhëna të sigurta, por po e bëjmë dhe brenda 60-ditëshit, ne do ta japim një konkluzion. Duhet të jemi të qartë se ajo që kam kuptuar duke i lexuar me vëmendje të gjitha, duke i dëgjuar me vëmendje të gjithë, me sa kuptoj, shumica dërrmuese, njerëzit e arsyeshëm nuk thonë që nuk duhet të ketë pagesë fare, por thonë, duke pasur parasysh Kukësin, gjendjen e tij, kjo është shumë e lartë për kuksianët. Kjo është pak a shumë logjika.

Po të ishte për mua, për cilën arsye në botë, unë duhet t’i hyj kësaj pune që ka këtë telash. Por unë këtë detyrë kam. Mund ta kisha shumë më të lehtë të thosha, lëreni, punë e madhe shumë, kush vjen mbrapa le të merret me rrugën, por do ishte tradhti e madhe e besimit, përgjegjësisë dhe e detyrës. Sepse detyra e një kryeministri, detyra e një udhëheqësi është që atë që shikon, – disa hapa më larg saç shohin të gjithë të tjerët që janë në punët e tyre të përditshme dhe nuk kanë këtë detyrë, – të mos e mohojë, të mos mbylli sytë, të mos thotë “punë e madhe” dhe pastaj kur shkojmë tek gremina, siç kemi shkuar në të shkuarën, le t’i dali për zot kush të dojë.

Kështu që do gjejmë midis nevojës dhe mundësisë, atë pikë ideale, po themi, në kuptimin e një zgjidhjeje të kënaqshme edhe për banorët, por edhe për mirëmbajtjen. Se po ta çojmë çmimin me “hajde punë e madhe shumë, po e bëjmë një çmim simbolik”, ne nuk e mirëmbajmë dot.

Pyetjes, pse nuk erdhi asnjëherë ministria apo koncesionari të informojë, besoj se iu përgjigja. Është e kotë të kërkoj justifikim për këtë. Nuk kam justifikim për këtë. Duhet ta kishim bërë këtë gjë më shpejt, por dhe një herë dua që të gjithë ta dinë se këtu nuk ka absolutisht asnjë qëllim tjetër, përveç të mirës së përbashkët, përveç interesit të përbashkët, përveç detyrimit për ta pasur atë aks të sigurt dhe me standarde. Asnjë gjë tjetër.

Nuk po hyj në të gjitha ato që thuhen, jo koncesionari, jo interesat. Këto janë gjëra që njerëzit i kanë thënë, i thonë dhe do t’i thonë. Unë kam për borxh t’ju them të vërtetën time.

Ka një tjetër element që e preku zonja, që lidhet me disa banorë që e përdorin rrugën shpesh, jo për të ikur në Tiranë, por e përdorin rrugën shpesh brenda segmentit që janë të lidhur, që detyrohen të kalojnë nga rruga, sepse nuk kanë kalime të tjera. Këtë kategori, praktika ndërkombëtare nuk e njeh, por në rastin konkret, ne jemi të detyruar ta konsiderojmë, sepse ndërkohë duhet që koncesionari të ndërtojë dhe rreth 7 mbikalime, 7 lidhje për komunitetet që nuk lidhen dot dhe duhet të futen nga rruga e të rikthehen në anën tjetër e kështu me radhë. Edhe këtë kategori, ne po e studiojmë.

Përsa i përket pyetjes se tarifa, në vetvete, a do rrisë më tej varfërinë. Që të jemi të qartë e që të flasim siç është e vërteta, e para, jo çdokush që ka makinë e përdor rrugën shpesh.

E dyta, gjithkush që e përdor rrugën shpesh nuk është i varfër. Jo në raport me tarifën e lartë, por flasim si përdorues i shpeshtë. Nuk është i varfër, nuk hyn në kategorinë i varfër, se kjo fjala i varfër është fjalë që e përdorim shpesh, por duhet ta adresojmë siç duhet.

E treta, unë besoj të kundërtën. Me aeroportin dhe me nxitjen e mëtejshme të investimeve. Unë përpara pak ditësh kam takuar dy investitorë që janë të interesuar të hapin pika prodhimi në Kukës dhe më bëri përshtypje se të dy më thanë që nga disa vende që kishin parë, në Kukës kishin gjetur gatishmërinë më të madhe për t’u punësuar në sektorin privat. Kjo është një gjë shumë pozitive.

Sigurisht që varfëria në Kukës, varfëria në Shqipëri, problemet janë trashëgimi e rëndë dhe e gjatë, por kush kujton se kurohet me kamomil dhe me fjalë të bukura, gabon. Po të kuroheshin me kamomil dhe me fjalë të bukura, po të kuroheshin me kaos dhe me shkelje syri se ti je votuesi im, mos i paguaj dritat, ti je kushëriri im, mos i paguaj, do kishim dalë sot nga varfëria, nuk do kishim sot plagë të trashëguara që kërkojnë vërtetë kohën, durimin dhe dhimbjet për t’u kuruar.

Unë preferoj midis të dyjave, -ose të jem një kryeministër që them fjalë të bukura dhe që i shtyj gjërat, nuk i marr vendimet dhe nuk i bëj reformat dhe të thonë sa burrë i mirë është ky, pastaj deri në momentin kur të gjithë kuptojnë që me këtë burrin e mirë, ne nuk po bëjmë përpara, ose që, pavarësisht se në momentin e parë, shumë njerëz mund të mos kuptojnë, unë preferoj ta them gjënë siç është dhe t’i bie drejt, – t’i bie drejt dhe preferoj më mirë të më shajnë kur bëj një gjë të drejtë, sesa të më duartrokasin kur jam duke i bërë një hile  njerëzve, ndërkohë që unë e shoh që po shkojmë drejt një pike rënieje tek rruga, të bëj sikur nuk kuptoj, të them e shtymë këtë punë se nuk e bëj dot.

Kjo është gjëja që ju them dhe unë nuk mendoj që varfëria, papunësia kurohen me fjalë të bukura, me përralla, me “mos paguani taksat”, “të gjithë pa taksa”, “të gjithë pa fatura” etj., se e kemi parë ku na ka çuar kjo.

Pyetja tjetër për 120 mijë eurot e koncesionarit është prapë pjesë e gjësë. Transporti me furgon dhe me autobus do jetë falas. Domethënë nuk do ketë tarifë. Biletat do jenë po aq, saç janë sot. Me këtë shumë do të bëhet e mundur që gjithkush që bën këtë transport udhëtarësh me autobus, – flasim për autobusët e Kukësit, nuk flasim për autobusët e turistëve, – me furgon, për fëmijët që shkojnë në shkollë, për njerëzit që vijnë në Tiranë, nuk do ketë tarifë. Do ta mbulojë pikërisht kjo pjesë. Më fal, por, nëse kam veturë dhe dua të shkoj 20 herë në Tiranë, nuk jam i varfër. Nuk jam i pasur, nuk meritoj të paguaj 20 herë 5 euro vajtje e 5 euro ardhje, dakord, por ama do paguaj. Ndërkohë që, nëse nuk kam fuqi, do marr autobusin, do marr furgonin. Janë 7 linja ndërurbane në atë zonë, e kemi parë me ministrin dhe ato linja do jenë   të gjitha të mbuluara nga kjo pjesë. Ashtu sikundër, ne po studiojmë që nga kjo pjesë të ketë mbulim edhe për kategori të tjera që janë ata që janë më në nevojë, për të mbuluar nevoja bazike.

Sa mendohet të jetë ulja? Kjo është pyetja më e vështirë, sepse nuk jemi gati ta japim këtë përgjigje sot, me këtë po merremi. Patjetër që për zonën, për përdoruesit e shpeshtë do të jetë një tarifë shumë më e arsyeshme se kjo që është, por do të ketë tarifë, që të jemi të qartë, përndryshe nuk ka shans që t’i shpëtojmë edhe fatkeqësive, larg qoftë, me jetë njerëzish me ato rrëshqitje.

Për herë të parë këtë vit, rruga nuk ka pasur asnjë minutë bllokim nga dëbora dhe jeni dëshmitarë për këtë. Nuk e kam bërë unë, as qeveria. E ka bërë kompania. Për herë të parë këtë vit nuk ka pasur asnjë aksident për shkak të borës, se nuk ka pasur rruga borë. Janë 20 borëpastruese. Shqipëria nuk ka një borëpastruese. Ne blemë 61 ekskavatorë dhe sikur blemë flotën e 7 amerikane, sepse këto janë mundësitë që kemi trashëguar. E kemi trashëguar me 720 milionë dollarë borxh. Rruga vetë sot, ka borxhin e vet. Ata që ju tregojnë përralla, apo për taksën e qarkullimit, ajo është taksë kombëtare, nuk është taksë për mirëmbajtjen e rrugëve. Ajo shkon në buxhetin kombëtar dhe buxheti kombëtar bën investime në rrugë. Buxheti kombëtar bën mirëmbajtje në rrugë. Buxheti kombëtar paguan borxhe. 110 milionë dollarë janë vetëm borxhe që ne paguajmë nga e shkuara. Kush është ai kryeministër që do t’i thotë popullit të vet, do ju vë një tarifë këtu, do keni një taksë aty, nëse mundësitë e lejojnë që ato të mos vihen. Këto janë të domosdoshme.

Nuk e di a lashë ndonjë gjë pa thënë, por ju keni radhën tuaj dhe mund të shtoni, apo të bëni vërejtjet për përgjigjet, nëse diçka nuk ju bind.

Faleminderit zoti Kryeministër! Ne i morëm përgjigjet për pyetjet që bëmë, por unë dua të falënderoj edhe një herë për fjalën në Parlament para një ore, që kërkove ndjesë publike banorëve të Qarkut të Kukësit për atë që ndodhi para 1 jave tek protesta për Rrugën e Kombit. Unë besoj tek autoriteti juaj, që ju dhe qeveria juaj do vini dorën në zemër për këta banorë kaq të varfër dhe të jesh i garantuar që politika nuk ka për t’i përdorur këta banorë. Se gjithmonë na ka përdorur politika, por këtë radhë nuk arriti dot politika. Kukësi ka votuar Edi Ramën, ka votuar për Shqipërinë që duam dhe kemi besim tek qeveria juaj dhe tek autoriteti i juaj zoti Rama.

Kryeministri Rama: Të lutem, faleminderit, por nuk dëshiroj që të hyj në këtë pjesë, se nuk është çështje politike. Fatkeqësisht, edhe sot që ishim në Parlament, ne kemi një opozitë që nuk vjen të thotë dakord, është e lartë, si bëhet? Por jo me dorën në zemër, sepse dora në zemër nuk ndihmon mendjen që të bëjë gjënë e duhur, nëse nisesh nga ideja “eja ta kalojmë këtë”. Është gjëja më e kollajshme në botë të thuash “pa taksa fare”. Kush e mban nesër, përgjegjësinë përpara fëmijëve tuaj, kur tarifa mund të shkojë dyfishi i kësaj që është sot, nëse sot ne nuk e fillojmë? Kush e mban, kur do duhet pastaj të hymë në cikle të tjera? I ka provuar bota të gjitha këto. Njerëzit tregojnë Gjermaninë. Është e vërtetë, Gjermania është vendi i vetëm ndoshta që nuk ka pagesa në autostradë. Por Gjermania ka hyrë në diskutime për të vendosur pagesa dhe më falni t’ju them dhe një gjë, përsëri duke i ndarë gjërat. Nuk u flas atyre banorëve që rruga iu duhet për nevoja jetike dhe e përdorin, po flas në përgjithësi. Po kur shkojmë në Greqi dhe paguajmë nga Janina deri në Athinë gati 100 euro, si i paguajmë dhe nuk themi si ka mundësi? Po ashtu në Itali që të gjithë autostradat i paguajmë. Kur shkojmë në Mal të Zi, 2.5 euro duhet për t’u futur në tunel dhe e paguajmë. Që të mos përmend të gjithë vendet e tjera.

Po flas për ata që e kanë mundësinë. Vijnë me pushime Shqipëri dhe nuk paguajnë dot 5 euro në vajtje e 5 në ardhje, kur harxhojnë 700-1000 euro në plazh?

1.3 miliardë euro kanë harxhuar shqiptarët për turizëm vitin e shkuar. Nuk e them unë, e ka thënë Banka e Shqipërisë, 1.3 miliardë euro për turizëm jashtë shtetit. Janë pro, apo janë kundër? Sot shqiptaret e kanë parë botën, e dinë shumë mirë sesi funksionon.

Atyre që thonë se ne nuk jemi bota, ne nuk kemi bukë dhe nuk duhet të bëjmë si bota, ju them vetëm kaq; E para, nuk mund të kemi kurrë më shumë sesa kemi sot, nëse nuk bëjmë si bota sot. E dyta, nëse gënjejmë njëri-tjetrin me lëmosha e me borxhe, me mbyllje sysh, ne e pësojmë, siç e pësuam me piramidat e siç e pësuam prapë me piramidën e borxhit për të bërë rrugë të pambaruara, që ngelën rrugëve.

Sa herë e përsëriste paraardhësi im që do përfundoni si Greqia? E thoshte sepse dinte gropën që kishim përpara. Si u mbyll ajo gropë? U mbyll me buxhet, u mbyll me kontributet e të gjithëve. Natyrisht që mbetemi në disavantash në një kuptim. E thotë shprehja, kur gënjeshtra ka marrë dhenë, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat. Ka shumë gënjeshtra, ka shume shpifje, ka shumë baltë vërdallë, megjithatë pjesa jonë është pjesa jonë, përgjegjësia jonë është përgjegjësia jonë.

Nuk është aspak e paudhë që një kryeministër, qoftë kur ka diçka që nuk shkon dhe kur ka një pjesë përgjegjësie, ai apo qeveria, të kërkojë ndjesë. Nuk është hera e parë që kërkoj ndjesë, por e rëndësishme është që të mësojmë e të vazhdojmë t’i përmirësojmë gjërat. Ky është një mësim për ne, jo vetëm në kuptimin e Kukësit, por në tërësi dhe kjo nuk ka lidhje me ata që dogjën.

E fillova me kryetarin e Bashkisë së Kukësit e po e mbaroj me kryetarin e Bashkisë së Kukësit. Nuk ishte zjarri që na vuri ne në punë. Ne ishim në punë. Gabimi ynë ishte që nuk parashikuam rëndesën 6-mujore tek njerëzit e ndershëm, tek njerëzit e zakonshëm, tek qytetarët, qoftë dhe tek ata që vajtën në protestë jo për të djegur, por vajtën në protestë për të thënë prit se nuk e përballojmë dot.

Ky ishte gabimi ynë e për këtë gabim, ne mbajmë përgjegjësinë tonë. Ndjesa është fjalë goje, ndërsa fakti është që ne do të bëjmë maksimumin për të bërë një zgjidhje e për të dhënë një tarifë për përdoruesit e shpeshtë, që të jetë e arsyeshme. Asnjëherë nuk do kënaqeni, sepse 0 është më mirë se 1 dhe 1 është më mirë se 2 e kështu me radhë. Por e rëndësishme është që të kuptoni që, nëse ka një njeri sot, bashkë me ju, në Kukës, që do që kjo të jetë më e mira e mundshme për ju, jam unë dhe këtë ju lutem mos ta diskutojmë.

Zoti Kryeministër, në vijim të problematikave që trajtuam deri më tani, a ka ndonjë projekt ide për zhvillimin e Kukësit qeveria Rama, apo jo, pasi ka shumë resurse në këtë vend, me pyje, me blegtori, me ujëra, me të gjitha.

Pyetja e dytë, çfarë do bëhet me njësitë administrativë Topojan dhe Shishtavec me lejet e dhëna për HEC-et?

Kryeministri Rama: Këto janë pyetje që janë jashtë temës së sotme dhe janë të rëndësishme, por unë ju siguroj se do kemi ditë për t’i diskutuar, por meqë u bë një pyetje konkrete, ministri do ju përgjigjet konkretisht, por një gjë ju e dini më mirë se unë. Sektori minerar në Kukës ka qenë i vdekur komplet. Sot, ne kemi disa investime të rëndësishme në atë zonë që kanë nisur, apo do të vazhdojnë në sektorin minerar. ​

SHKARKO APP