Ajazi, kreu i SHISH:Pajisja e policisë, mjaft e fuqishme për të përgjuar

Kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, duke raportuar në Komisionin e Sigurisë, tha se pajisja e përgjimit që gjendet në Policinë e Shtetit është mjaft e fuqishme për të kryer të gjitha llojet e përgjimeve. Ai tha se një pajisje e tillë, që kishte hyrë dy muaj më parë përmes portit të Vlorës, do të ishte privilegj për të gjitha institucionet e inteligjencës. Ai sqaroi se nuk është në tagrin e Ministrit të Brendshëm të kryejë përgjime, por tha se nuk kishte dijeni nëse ajo ishte konfiguruar nga për të kryer përgjime.

“Kjo është një pajisje e domosdoshme për të gjithë. Do të ishim të privilegjuar nëse do ta kishim. Kur janë në dorë të organeve ato janë për të ndjekur shkelësit e ligjit. Nuk shoh ndonjë problem me trajnimin apo përdorimin, përderisa është ligjore. A përdoret për përgjim? Sigurisht pajisje të tjera janë mjaft të fuqishme. Por varet nga konfiguracioni. Sigurisht mund të jetë vetëm për gjurmim siç e ka thënë Ministri (Tahiri), por mund të jetë edhe për përgjim. Është krejt jashtë tagrit të Ministrit të Brendshëm të kryejë përgjime”, u shpreh Visho Ajazi Lika.

Kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika konfirmoi se pajisja përgjuese që u fut në Shqipëri nga Ministria e Brendshme është IMSI Catcher. Në raportimin në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, shefi i SHISH tha se pajisja përgjuese është futur në Shqipëri pa leje dhe shqetësimi ka qenë se mund të cënonte sigurinë kombëtare. “Dy muaj më parë SHISH u informua për futjen e kësaj pajisjeje në Shqipëri. Ishte problem se pajisja përgjuese kishte hyrë e padeklaruar në Shqipëri. I shqetësuar se mund të përdoret në mënyrë të jashtëligjshme, kërkova një takim dhe informova Prokurorin e Përgjithshëm për futjen e kësaj pajisjeje pa lejen e prokurorisë” ka thënë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, Visho Ajazi Lika.

Pas informimit që ka bërë në prokurori, SHISH duket se e ka mbyllur misionin e tij. “Nuk jemi të interesuar të dimë si u perdor. I takon prokurorisë të hetojë më tej. Nuk kemi informacion kush u përgjua dhe pse u pergjua” tha Visho Ajazi Lika, duke shtuar se Prokurori i Prgjithshëm u njoftua gojarisht dhe jo me shkrim. Sipas Visho Ajazi Likës, asnjë punonjës i SHISH nuk ka pasur kontakt fizik me pajisjen dhe as nuk e ka parë atë. Sipas tij, funksioni i pajisjes, varet nga konfiguracioni i saj. Pajisja mund të zbulojë vetëm numrin e telefonit, apo edhe të dhënat që janë në telefon, tha kreu i SHISH.

Ja debati:

Visho Ajazi:  Disa muaj të shkuar, 2 muaj të shkuar morëm informacion që një paisje e teknologjisë së lartë kishte ardhur në Shqipëri, u informuam që ajo paisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Është IMSI Catcher. Janë paisje që njihen nga të gjithë, ajo që ishte problematike ishte fakti që pajisja nuk ishte deklaruar kur kishte hyrë. Për këtë arsye i shqetësuar se një paisje e tillë mund të përdoret edhe në mënyrë ilegjitime, jo të ligjshme, mora kontakt me Prokurorin e Përgjithshëm dhe i raportova për informacionin që kishim marrë. Mu kërkua nëse kisha informacion më tepër, i thashë do të shikojmë ta grumbullojmë por për momentin kaq kemi.

SHISH kërkonte të informoheshin instiotucionet e shtetit për një paisje e cila mund të cënonte sigurinë kombëtare. Lidhur me çfarë është thënë në media, publikisht, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se nuk ka logjikë, ne kemi punën tonë. Pas kësaj ka qenë në dorën e Prokurorisë për të shkuar më tej, për të marrë të gjithë informacionet e duhura nga institucioni që besohej se e kishte këtë paisje. Për asnjë arsye, për asnjë moment ne nuk jemi interesuar të dimë sesi është përdorur kjo paisje pasi nuk është në tagrin tonë, kalonte në tagrin e prokurorisë së përgjithshme dhe drejtorisë së përgjithshme të policisë nëse kishte diçka për të thënë dhe këtu mbylljet detyra jonë. Megjithëse u kërkua të merrej më shumë informacion, ne nuk është se refuzuam, por nuk kishim mundësi të mblidhnim më tepër informacion.

I vetmi informacion që kishim ishte se paisja kishte hyrë në Shqipëri, ishte në një ambient trajnimi dhe përdorej, pra siç e dini nga policia italiane bëhej trajnim për policinë shqiptare. Kjo është e gjitha që ne dinim për këtë punë. Nuk kemi asnjë informacion se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar.

Kam raportuar vetëm tek prokurori i Përgjithshëm më vonë kam informuar institucionet që më kanë kërkuar.

Kam informuar dhe Presidentin e Republikës. S’kam kontaktuar me ministrin e Brendshëm. Informacionin ia kam përcjellë me gojë Prokurorit të Përgjithshëm.

Qefalia: Pse nuk keni informuar drejtëpërdrejtë kryeministrin?

 Visho Ajazi: Prokurori i Përgjithshëm është përgjegjës për këtë vend dhe unë kreva detyrën. Informacioni ishte i pakonfirmuar dhe nuk mund të  çoja një informacion të pakonfirmuar tek kryeministri

Keltis Kruja: A përbën pajisja kërcënim për sigurinë

Visho Ajazi: Një pajisje e tillë nëse është me kapacitete përgjuese të gjithë krerët e shtetit janë vulnerabël për përgjimin.

Nëse është futur në mënyrë klandestine ngelet për ta vërtetuar Prokurori i Përgjithshëm kjo është arsyeja përse e ndava me prokurorin e Përgjithshëm.

Paulin Sterkaj: Marrëdhëniet me prokurorin i ke institucionale apo gojore?

Vishi Ajazi:  Kishim informacione që një pasije e tillë ka hyrë, nuk kishim informacion me shkrim për këtë punë.Por kishim informacione që thoshin se janë të vërteta. Dhe unë kam shkuar dhe e kam ndarë këtë informacion me gojë me Prokurorin e Përgjithshëm. Së pari është një metodë pune mjaft e përdorur në gjithë shërbimet sekrete të botës, jo çdo gjë shkruhet zoti. Stërkaj. Ju keni qenë në institucione të sigurisë për shumë kohë, besoj që këtë e dini. Së dyti, arsye pse unë nuk  ia kam dhënë informacionin me shkrim Prokurorit është se unë nuk e kam marrë informacionin me shkrim. Kjo është mënyrë që funksionon si me Prokurorin e Përgjithshëm si me Kryeministrin. Ka plot informacione që unë ndaj me Kryeministrin gojarisht. Nëse është paisje përgjimi apo gjurmimi?Nuk është tagri im për ta përcaktuar këtë, po ju flas nga eksperienca jonë si institucion i sigurisë kombëtare. Ne dimë që ka paisje që janë mobile, paisje që kanë fuqi për të bërë shumë gjëra.Por për çfatrë bën konkretisht kjo paisje, unë ju thashë thjesht e iniciova si proçes dhe u takonte institucioneve të tjera për ta ndjekur. Nëqoftëse institucionet e tjera siç është Prokurori i Përgjithshëm më kërkonte mua të merresh më shumë për mbledhjen e fakteve të tjera unë do trë vazhdoja me këtë punë, përndryshe unë e ndërpres. Duke qenë se ishte një dyshim që lidhet me institucionin bazë dhe përgjegjës për shtetin shqiptar që është Prokurori i Përgjitshëm, unë e ndava së pari me Prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori pas grumbullimeve të fakteve mund ta ndante me institucionet e tjera të shtetit. Lidhur me Presidentin, ka qenë ai që më ka kërkuar të raportoj lidhur me këtë që dija. Dhe atë kam bërë, kaq. 

A është pajisje përgjimi apo trajnimi? Nuk është në tagrin e SHISH ta përcaktojë.

Unë iniciova si proces. Nëse do më kërkonte prokurori të merrja informacione të tjera unë do e vijoja por aty mbeti

 Luan Rama: Ambienti në Vlorë i trajnimit cfarë ishte policor apo privat.  Pas takimit me prokurorin keni folur prapë me të për ti thënë cfarë ndodh me informacionin paraprak?  Edhe me kryeministrin ndani informacione gojore, pas takimit me prokurorin e presidentin nuk e cmuat të arsyeshme ta ndanit këtë shqetësim me kryeministrin?

Visho Ajazi: Për ambientet e trajnimit nuk kam informacion.Nuk më është kërkuar informacion shtesë nga prokurori. Sigurisht pas informacionit kam pyetur prokurorin. Kur më kanë dhënë informacion shtesë kam dhënë.

Tek Presidenti i Republikës kam raportuar aq sa kam raportuar tek Prokurori.

Kisha informacion të pakonfirmuar me  të paktën dy burime, prandaj nuk kam informuar Kryeministrin. Pastaj hynte në një proces investigimi që për detyrë e ka Prokuroria

Deputeti: Informacioni i marrë është nga burimet tuaja apo partnerët ndërkombëtarë?

Visho Ajazi: Nuk kam koment

Deputeti: Pse informuat presidentin e jo kryeministrin?

Visho Ajazi: Presidenti më kërkoi që të flisja specifikisht pasi ishte informuar nga Prokurori.  Jo çdo informacion që unë marr e ndaj me kryeministrin.  Kryeministri merr një informacion të konfirmuar

 

SHKARKO APP