Vizat/ Presidenti Meta: Shqipëria nën monitorim të përditshëm nga BE e Schengen

Kreu i Shtetit Shqiptar Ilir Meta zhvilloi një takim me ambasadorët e Shqipërisë jashtë vendit, një takim i përvitshëm. Ndryshe nga kryeministri Rama, i cili ka sulmuar ambasadorët, Presidenti Meta vlerësoi punën e jashtëzakonshme të tyre.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta e quan të padrejtë izolimin e Kosovës nga BE sa i takon vonesës për liberalizimin e vizave. Gjatë konferencës së ambasadorëve në Tiranë, kreu i shtetit i është rikthyer debatit për mospajisjen me pasaporta shqiptare të qytetarëve të Kosovës, duke deklaruar se Shqipëria është në monitorim nga BE dhe Schengen sa i takon vizave dhe çdo hap në këtë drejtim do rikthente regjimin e vizave si dhe do të dëmtonte përspektivën europiane të Kosovës.

“Kosova meriton liberalizimin e vizave. Izolimi i këtij shteti është i padrejtë. Besoj se dhe ju ndjeni atë presion që ne ndjejmë ne këtu, me dëshirën për ta tejkaluar këtë pengesë apo izolim, përmes marrjes së shtetësisë shqiptare nga qytetarët e Kosovës, gjë që nuk është zgjidhje, jo për shkak të mungesës tonë të dëshirës, por për faktin se ne vetë jemi në monitorim për çështjen e liberalizimit të vizave nga vendet e BE-së dhe të zonës Shengen. Çdo veprim emocional nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës, por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë. Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë, edhe më të vështirë. Ndaj unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve që po bëhen atje edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment sepse zgjidhja e këtij problemi do ta përqëndronte akoma më mirë Kosovën në problemet më të mëdha që ajo ka për ta çuar përpara dialogun me Serbinë, por mbi të gjitha do t’i jepte fund një frustrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon që po përjetojnë një izolim të padrejtë e të pamerituar”, u shpreh Meta.

Ai foli dhe për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, duke shtuar se ky është prioritet i Shqipërisë. Hap pozitiv Meta cilësoi krijimin e Ministrisë së Diasporës për të forcuar lidhjet me shqiptarët në çdo cep të botës. “Hap pozitiv krijimi i Ministrisë së Diasporës për të mbajtur në kontakt të gjithë shqiptarët nëpër botë. Diaspora ka një potencial të fuqishëm në zhvillimin e Shqipërisë”, tha Meta.

Kreu i shtetit e cilësoi me rëndësi edhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, ndërsa vlerësoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. “Një hap me rëndësi ishte anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Sikurse mbetet e rëndësisë së veçantë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit”.

SHKARKO APP