Vizita në SHBA. Ilir Meta takim në Departamentin Amerikan të Shtetit

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta është pritur sot në një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit. Kreu i Kuvendi është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit William Brownfield.

Ilir Meta ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump.

 il2

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,Ilir Meta takohet në Washington DC me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin William Brownfiled.

Gjatë vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Ambasadorin William Brownfield.

Ndihmës Sekretari Brownfield vlerësoi miratimin e reformës kushtetuese në drejtësi me konsensus të gjerë si hap që shtron rrugën për një implementim të shpejtë dhe efikas të saj. Brownfield vlerësoi lart rolin e Kryetarit Meta për kontributin e tij të drejtpërdrejtë në këtë arritje madhore për Shqipërinë. Ai konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së administratës amerikane në fazën delikatë të zbatimit të reformës për një proces të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

Ambasadori Brownfield shprehu kënaqësinë për hapat e kryera në reformën në drejtësi nga që nga takimi i fundit me Meta, në qershor të vitit të kaluar.

Gjatë takimit u konfirmua mbështetja për implementimin e Byrosë së Hetimit dhe SPAK-u dhe gatishmëria e SHBA-së për të monitoruar nga afër këtë proces.

ili

Kryetari i Kuvendit, Meta falënderoi Ndihmës Sekretarin, Brownfield për mbështetjen e tij, vlerësoi që Shqipëria ka hyrë në një trend pozitiv dhe shprehu gatishmërinë për të ecur shpejt në implementimin e kësaj reforme të rëndësishme.

Gjithashtu,Meta falënderoi z. Brownfield për rikonfirmimin e mbështetjes amerikane në zbatimin e reformës në drejtësi si dhe nënvizoi vullnetin e tij të palëkundur për rritjen e fuqisë së zbatimit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe për zbatimin me vendosmëri të dekriminalizimit. Meta vlerësoi edhe një herë partneritetin e qëndrueshëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në dhe me NATO-n si garanci të vazhdimit dhe të implementimit të reformave të rëndësishme dhe të domosdoshme në Shqipëri.

Në fund të takimit, Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasadori William Brownfield dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhanë një prononcim të përbashkët për shtyp.

ll3

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Ambasadori William Brownfield 

“Në përfundim të këtij takimi me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta më duhet të them se Departamenti i Shtetit, veçanërisht zyra e forcimit të ligjit, ndjehet shumë krenare për bashkëpunimin midis dy qeverive tona, duke mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri, miratimin e ligjeve të reja apo reforma kushtetuese. Dhe ne presim bashkëpunim të mëtejshëm edhe në fazën e implementimit të reformave, në mënyrë që të mund të punojmë së bashku edhe në vazhdim për të siguruar institucione të forta, që janë të afta të garantojnë demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin për popullin shqiptar”.

ill9

 Kryetari i Kuvendit Ilir Meta 

“Ishte kënaqësi e veçantë për t’u ritakuar me Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Ambasadorin William Brownfield për ta informuar atë lidhur me ecurinë e suksesshme të reformës në drejtësi. Jo vetëm me miratimin konsensual të ndryshimeve kushtetuese, por edhe me miratimin e ligjeve të tjera kryesore dhe me vullnetin për të zbatuar sa më shpejt këtë reformë përmes ligjit për Vetting-un, por edhe përmes ngritjes së gjithë institucioneve të tjera.

Njëkohësisht për ta falënderuar për vëmendjen që Departamenti i Shtetit dhe në mënyrë të veçanta zyra e Ambasadorit Brownfield i kushton mbështetjes së zbatimit të kësaj reforme. Sidomos ndihmës dhe mbështetjes për ngritjen institucioneve të reja, të Byrosë së Hetimit të Prokurorisë Speciale për luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjes që i japin SHBA-të misionit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që është vendimtar për suksesin tonë të përbashkët në realizimin e kësaj reforme.

Edhe një herë falënderoj Ambasadorin William Brownfield dhe jam i bindur që vazhdimësia e kësaj reforme do ta bëjë Shqipërinë një partnere më të besueshme për Shtetet e Bashkuara, për NATO-n dhe për Bashkimin Evropian”.

il5

 

SHKARKO APP