Vizita zyrtare e Presidentit Meta, jehonë e madhe në mediat e Kroacisë

Vizita shtetërore e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në Kroaci me ftesë të homologes së tij kroate, Kolinda Grabaar-Kitarovic, është ndjekur me vëmendje të veçantë nga media vendase. Televizionet dhe gazetat më të mëdha kroate i kanë kushtuar hapësirë të madhe pritjes së rezervuar për Presidentin Meta dhe deklaratës së përbashkët për shtyp me kreun e shtetit kroat.

“Kroacia do të vazhdojë të jetë një avokate e Shqipërisë në procesin e integrimit në bashkimn Europian, tha Kolinda Grabar-Kitarovic në deklaratën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta”, raporton televizioni më i madh kroat HRT, duke shtuar më tej: “Grabar-Kitarovic vlerësoi se Kroacia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta në drejtim të stabilitetit dhe prosperitetit të Eurpës Juglindore. Presidenti i Shqipërisë Meta tha se vendi i tij i vlerëson përpjekjet e Kroacisë për të gjetur konsensusin në Bashkimin Europian për çeljen e negociatave”.

Edhe një ndër portalet më të mëdha vendase “Hia.com.hr” ka theksuar veçanërisht impresionet e shkëlqyera që Presdentja e Kroacisë ka marrë pas vizitës së saj zyrtare në Shqipëri gjatë vitit të kaluar. Gjithashtu, nënvizohet edhe vlerësimi që Grabar-Kitarovic i bëri Presidentit Meta duke i dhënë titullin më të lartë të Republikës së Kroacisë, “Urdhri i Lartë i Mbretit Tomislav me Shirit dhe Yllin e Madh”, për kontributin dhe veprimtarinë e Tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë, dhe fqinjësisë së mirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Takimet e nivelit të lartë zyrtar mes Kroacisë dhe Shqipërisë konfirmojnë partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Pas vizitës time shtetërore në Shqipëri vitin e kaluar dhe nderimeve shumë të larta që më rezervuan atje, jam shumë e lumtur t’i akordoj Presidentit Meta, një miku shumë të vyer të Kroacisë, titullin e lartë Urdhri i Lartë i Mbretit Tomislav me Shirit dhe Yllin e Madh”, shkruan “Hia.com.hr”.

Gjithashtu, edhe gazetat kryesore “Jutarnji List” dhe “Vecernji List” i kanë rezervuar titujt kryesorë vizitës së Presidentit Meta në Kroaci, si edhe mesazheve të dhëna nga kreu i shtetit shqiptar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp dhe intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Link, mediat kroate për vizitën e Presidentit Meta:

SHKARKO APP