Presidenti Ilir Meta pritet me nderime nga Presidenti gjerman Steimeier
Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të homologut të Tij, Frank-Walter Steimeier.
Takimi i parë i kreut të shtetit është zhvilluar me presidentin e Gjermanisë. Në bisedën e zhvilluat mes dy krerëve të shteteve, Presidenti Meta i cilësoi marrëdhëniet me Gjermaninë si të shkëlqyera.
Nga ana e tij, Steimeier deklaroi se marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve i konfirmon edhe vizita e Presidentit Meta.
“Vëmendje e veçantë e Gjermanisë ndaj Shqipërisë. Gjermania mbështetje në reformat e brendshme të Shqipërisë”,- tha Presidenti i Gjermanisë. Kreu i shtetit gjerman shtoi se Gjermania vlerëson rolin e Shqipërisë në Ballkan.
Kjo vizitë përkon me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Pas pritjes ceremoniale në Pallatin presidencial “Schloss Bellevue” dhe takimit zyrtar, ku mori pjesë dhe Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, zoti Michael Roth, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti i Republikës theksoi gjatë takimit dhe konferencës për shtyp se: “Shqipëria u kushton një rëndësi shumë të veçantë marrëdhënieve me Gjermaninë dhe kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të tyre. Me shumë kënaqësi konstatoj se Presidenti Steinmeier ka një vëmendje të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.”
“Marrëdhëniet sot janë të shkëlqyera dhe të një bashkëpunimi strategjik, të cilat janë forcuar në këto 30 vjet, duke krijuar një perspektivë po aq të shkëlqyer dhe një klimë shumë të mirë për shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.” – u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë për mbështetjen dhe ndihmën që ajo i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në anëtarësimin në NATO.
Të dy presidentët, duke veçuar kontributin e shqiptarëve në Gjermani, vlerësuan mbylljen e procedurave të ratifikimit nga të dy palët të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore.
Presidenti Meta e siguroi Presidentin Steinmeier për vazhdimësinë e zbatimin të reformës në drejtësi, si një prioritetet i qenësishëm për të ndërtuar një sistem gjyqësor funksional e për pasojë krijimin e një klimë më të mirë për bizneset dhe investimet vendase e të huaja.
Në këtë drejtim u theksua njëkohësisht nevoja e nxitjes së bizneseve dhe investitorëve gjermanë për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre me Shqipërinë e për të rritur praninë e tyre në aspekte të ndryshme të jetës në vendin tonë.
Presidenti i Republikës, duke diskutuar për bashkëpunimin rajonal, u ndal veçanërisht në impaktin e rëndësishëm të Procesit të Berlinit për Shqipërinë si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, krijimin e një rajoni bashkëpunues, të sigurt, të qëndrueshme, të emancipuar dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
Presidenti Steinmeier i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke nënvizuar se kjo vizitë, nga të parat e Presidentit Meta jashtë shtetit, është dëshmia më e mirë e këtyre marrëdhënieve të veçanta.
Presidenti gjerman Steinmeier vlerësoi rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon dhe si partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Presidenti i Republikës e ftoi gjithashtu Presidentin Steinmeier për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi.
Konferenca për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta me Presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier
Shumë faleminderit i nderuar Presidenti Steinmeier për këtë ftesë, për këtë mundësi të shkëlqyer për të vizituar Berlinin dhe ju personalisht dhe mbi të gjitha për të rikonfirmuar vullnetin e përbashkët për të forcuar akoma më tej partneritetin e shkëlqyer midis dy vendeve tona në interes, jo vetëm të zhvillimit të Shqipërisë dhe perspektivës së saj evropiane, por njëkohësisht dhe perspektivës evropiane të gjithë rajonit tonë. Njëkohësisht dhe forcimit të bashkëpunimit tonë edhe më tej edhe për të gjitha ato tema të rëndësishme dhe kritike, që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë në Ballkan, në Mesdhe dhe në të gjithë kontinentin ku sikurse dhe ju e thatë.
Shqipëria, si një vend anëtare e NATO-s, luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe kontribuon pa ndërprerje, sidomos në luftën kundër terrorizmit kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kundër çdo rreziku që vjen nga jashtë kontinentit tonë, i cili synon të shfrytëzojë sidomos rajone ende të pastabilizuara mirë, sikurse është rajoni i Ballkanit.
Në këtë drejtim dua t’ju siguroj që ne do të vazhdojmë të forcojmë rolin konstruktiv dhe moderues në rajonin e Ballkanit në interes të perspektivës evropiane të përbashkët të gjithë vendeve tona dhe për këtë mbështetemi fuqimisht në marrëdhëniet me Gjermaninë.
Dua t’ju falënderoj për vëmendjen tuaj edhe personale, të veçantë për të ndjekur zhvillimin e Shqipërisë, reformat e saj të cilat e afrojnë edhe më shumë dhe me BE-në.
Një falënderim të veçantë e kam dhe për mbështetjen e veçantë të Gjermanisë për të inkurajuar reformën në drejtësi, e cila tashmë është në momentet mjaft të rëndësishme të zbatimit të saj, gjë që do të ndihmojë shumë në forcimin e sundimit të ligjit në vend, njëkohësisht do të ndihmojë edhe në një aspekt tjetër tepër domethënës që ju e përmendët pikërisht në përmirësimin e klimës së biznesit, në rritjen e investimeve të huaja dhe natyrisht dhe rritjen e mundësive sidomos për të rinjtë në vendin tonë në mënyrë që ata të punësohen aty dhe ta shohin të ardhmen në Shqipëri.
Dua t’ju falënderoj për fjalët mjaft të mira që thatë për komunitetin shqiptar që jeton në Gjermani dhe në këtë drejtim dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, që është një ndihmë për këtë komunitet.
Ashtu sikurse jam i bindur se bashkëpunimi ynë në shumë fusha të tjera do të bëjë të mundur sidomos të formimit profesional që të rinjtë shqiptarë të shohin mundësinë e të ardhmes së tyre në Shqipëri, ashtu sikurse shpresojmë që me efektet pozitive të reformave dhe me përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit të rriten dhe investimet gjermane dhe ato të huaja në Shqipëri, por dhe shumë të rinj të talentuar dhe të aftë që jetojnë në Gjermani apo në vende të tjera të kthehen në Shqipëri dhe të kontribuojnë për zhvillimin e saj.
Një falënderim të veçantë për angazhimin e Gjermanisë për Procesin e Berlinit, që nga fillimi i tij dhe për vazhdimësinë e mëtejshme. Është një mënyrë tjetër që na bashkon ne vendet e rajonit për një të ardhme të përbashkët jo vetëm për infrastrukturë më të mirë, por për një marrëdhënie mirëbesimi dhe për një perspektivë më të fortë dhe më të prekshme evropiane për të gjitha vendet tona.
Me këtë rast do të dëshiroja të shprehja kënaqësinë që në këto 30 vitet e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona ka një lulëzim të pandërprerë të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe kemi hedhur një themel mjaft të fortë për një të ardhme të shkëlqyer afatgjatë dhe strategjike midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, sepse stabiliteti i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor, jam i bindur që është kyç edhe për sfidat me të cilat ndeshet Gjermania dhe BE-ja sot dhe në të ardhmen.
Edhe një herë shumë faleminderit për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e Gjermanisë z. President!
Pyetje nga gazetarët
A mendoni qe pas zgjedhjeve në Gjermani do të mbetet ende në fokus integrimi evropian i Shqipërisë dhe rajonit tuaj, duke pasur parasysh edhe problemet e brendshme që po kalon BE-ja?
Presidenti Meta: Unë do të doja të theksoja se ne jemi të bindur që e vetmja perspektivë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian. Besojmë që për këtë është e bindur edhe vetë Evropa, pasi nuk ka alternativë tjetër për vendet tona përveç anëtarësimit në BE, sepse çdo alternativë tjetër është kthim te nacionalizmi, tek e kaluara dhe te konflikti, gjë që nuk është në interes as të vendeve tona, por padyshim dhe të vet BE-së.
Jam i bindur se disa nga shqetësimet me të cilat ndeshet dhe opinioni publik këtu në Gjermani dhe që mund të kenë reflektuar dhe në këto zgjedhje na obligojnë si ne, si Shqipëri, si dhe vendet e tjera të rajonit tonë që të bashkëpunojmë akoma më shumë me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane në luftën kundër krimit të organizuar për të luftuar akoma më tej kundër gjithë atyre fenomeneve të cilat jo vetëm mund të largojnë të rinjtë nga vendet tona, por njëkohësisht të forcojmë dhe sigurinë e vendeve tona si pjesë e sigurisë së Evropës, duke kontribuuar në këtë mënyrë në vetë rritjen e mëtejshme të sigurisë dhe të besimit në vendet tuaja për vendet tona dhe për atë që ne do ta meritojmë, anëtarësimin në BE vetëm përmes reformave edhe më të suksesshme, dhe më të besueshme sesa deri tani.