VKM e Ramës: Pedagogët do përzgjidhen nga Ministria e Arsimit
Një Vendim i Këshillit të Ministrave i marrë pak ditë më parë nga qeveria “Rama” për të plotësuar në dukje kërkesat e studentëve mund të sjellë një situatë të rrezikshme për gjithë stafin akademik të universiteteve.
Vendimi për “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e Arsimit të Lartë, edhe nëpërmjet sondazhit kombëtar të studentëve”, parashikon që gjithë studentët të “votojnë” me sondazhe për punën dhe cilësitë e çdo pedagogu. Deri këtu duket si një arritje e madhe e studentëve. Por më pas vendimi i qeverisë parashikon që Ministria e Arsimit, me anë të një ekipit të posaçëm të analizojë rezultatet e sondazhit dhe të propozojë apo marrë masa për çdo pedagog.
Kur themi Ministria e Arsimit fare mirë emërtimi mund të jetë “Qeveria”, pasi institucioni i Ministrisë është në varësi të Qeverisë dhe sado që të krijohen ekipe me pjesëmarrjen edhe të studentëve, në fund vendimmarrja është e Ministrisë (qeverisë). Aq më tepër që VKM e ka lënë të paqartë përbërjen e këtij komisioni i cili mund të ndryshojë në varësi të humorit të Ministres apo drejtuesve të tjerë në këtë institucion.
Me hyrjen në fuqi të kësaj VKM-je të gjithë pedagogët duhet të kenë frikë jo sesi do të dalin nga sondazhi i studentëve, por edhe sesi do t’i interpretojë qeveria rezultatet e këtij sondazhi.
Një vendim i tillë duket se bie ndesh dhe me Ligjin për Arsimin e Lartë, në të cilin qeveria pretendon se u ka dhënë autonomi universiteteve për zgjedhjen e stafit akademik. Me këtë vendim, pedagogët që do të japin mësim tashmë nuk kontrollohen vetëm nga struktura e universiteteve, por edhe nga qeveria. Dhe kudo ku fut duart qeveria, nuk ka sesi zgjedhja dhe përjashtimi i emrave të mos bëhet mbi bazën e lidhjeve dhe bindjeve politike.
Vendimi i fundit i qeverisë “Rama” është një sinjal alarmi për pavarësinë e universiteteve dhe stafit akademik. Pas kësaj nisme, pedagogëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse ose t’i binden qeverisë në mënyrë të verbër, pasi ndonjë “sondazh” do t’i nxjerrë të paaftë, ose të shkojnë dhe të vihen në krye të protestave të studentëve.
VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Nr. 783, datë 26.12.2018 “PËR VLERËSIMIN E PERFORMANCËS NË MËSIMDHËNIE TË PERSONELIT AKADEMIK NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, EDHE NËPËRMJET SONDAZHIT KOMBËTAR TË STUDENTËVE”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 104, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë vlerëson procesin dhe performancën në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, me qëllim sigurimin, promovimin dhe përmirësimin e cilësisë së procesit të mësimdhënies në këto institucione.
- Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë të ndjekë të gjithë procedurën e njoftimit të IAL-ve, ngritjes së grupeve të punës që do të realizojnë procesin e vlerësimit të performancës në mësimdhënie të personelit akademik, deri në hartimin e raporteve përfundimtare.
- Procesi i vlerësimit të mësimdhënies monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe përmes sondazhit kombëtar të studentëve, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë harton metodologjinë dhe instrumentet e sondazhit kombëtar të studentëve për cilësinë e mësimdhënies.
- Në procesin dhe grupet e vlerësimit, të ngritur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, marrin pjesë dhe përfaqësuesit e studentëve të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë.
- Raporti përfundimtar, i përgatitur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë, i paraqitet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe institucionit të arsimit të lartë që i është nënshtruar procesit të vlerësimit të performancës në mësimdhënie.
- Strukturat përgjegjëse në institucionet e arsimit të lartë shqyrtojnë dhe marrin në konsideratë rezultatet e raportit për vlerësimin e punës mësimdhënëse të çdo anëtari të personelit akademik.
- Vlerësimi përfundimtar, për çdo anëtar të personelit akademik, bëhet pjesë e dosjes së tij personale, së bashku me vlerësimet e tjera gjithëvjetore.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe institucionet të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI, Edi Rama
VENDIMI I PUBLIKUAR NË FLETOREN ZYRTARE