Vrasja e babait nga 19 vjeçarja/Sociologu i njohur Gëzim Tushi: E padëgjuar!
E gjithë familja Meta është e dyshuar për vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta.
Vajza është kthyer në skenën e krimit, ndërsa ka rrëfyer se ka qenë ajo që vrau babain e saj. Pa asnjë shenjë pendese, 19-vjeçarja deklaroi se nuk pendohej që kishte vrarë babain pasi ai ia kishte nxirë jetën të gjithë familjes. Mësohet se Pëllumb Meta është vrarë me 4 plumba.
“E vrava vet se na nxiu jetën si familje dhe nuk jam penduar. Armen e krimit e hodha në det.”, mësohet të jetë shprehur ajo. Sakaq, pak metra më tutje, te Kthesa e Fllakës, është gjetur makina e autorit, që dyshohet se është transportuar nga djali i madh i tij, Hyseni. Kjo rrit edhe më tej dyshimet e policisë, se për ngjarjen ka pasur bashkëpunëtorë. Sakaq, makina po i nënshtrohet ekspertizës për gjetjen e gjurmëve të tjera. Ndërkohë, vajza nuk ka pranuar që të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Sociologu i njohur Gëzim Tushi shprehet në lidhje me ngjarjen e vrasjes së babait nga vajza 19 vjeçare. Ai thotë: “Pa diskutim, ngjarja është shumë e rëndë. Në fakt unë gjykoj që në nomeklaturën e krimit dhe në fenomenologjinë e krimeve që ndodhin në shoqërinë shqiptare, ky më duket një nga rastet sui generis, një nga rastet më të rënda. Nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër ku vajza vret babanë dhe për më tepër për motive të tilla, të cilat janë krejtësisht të pajustifikuara për t’i marrë jetën një njeriu, edhe pse mund të ketë një lloj debati që është i diskutueshëm për sa i përket kornizës morale ose si të thuash elementëve morale që sjellin konflikte të tilla deri në nivelet e vrasjes dhe të vetëvrasjes.
Në njëfarë mënyre mendoj se ngjarja që ka ndodhur, edhe pse doemos është objekt i një hetimi dhe ne nuk jemi të sigurt, po meqë është konsideruar se vajza, adoleshentja e ka pranuar që e ka kryer krimin, atëherë do të thotë që ne jemi përballë një fakti të kryer. Ka ndodhur një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, një ngjarje që përbën një skemë, përbën një motiv makabër.
Të gjitha vrasjet dhe vetëvrasjet janë krime, janë të shëmtuara dhe ato kanë anën e tyre të errët, por motivet në të cilat kryhet krimi, natyrisht janë të diferencuara dhe prandaj, edhe në gjykimin juridik, edhe në gjykimin social, shpeshherë diskutojmë për motive e krimit.
Mund të jenë motive banale, mund të jenë motive esenciale, mund të jenë motive të diskutueshme, megjithatë në të gjitha rastet, krimi dhe vetëvrasja janë të dyja të papranueshme.’- përfundon Gezim Tushi.
https://kohajone.com/policia-kthen-19-vjecaren-ne-vendngjarje-tregon-dinamiken-e-vrasjes-se-babait/