Vrasja e gjyqtares trondit Shqipërinë. Meta: Qëndrime të qarta për këtë çështje
Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi ka shokuar opinionin publik në vend. Rreth 24 orë pas ngjarjes vijojnë të dalin detaje të tjera lidhur me kërcënimet që ka marrë nga ish-burri dhe mos reagimin e institucioneve të shtetit.
Në media sot janë publikuar dëshmi të të afërmve, miqve dhe kolegëve të saj, të cilët deklarojnë se edhe disa ditë para vrasjes ajo ka marrë kërcënime nga ish-bashkëshorti. Këto detaje krijojnë të gjithë pamjen e një krimi që ka ndodhur nën sytë e shtetit dhe asnjë prej institucioneve nuk ka reaguar. Fakti që nëna e vrarë dje ishte dhe një gjyqtare e njohur e bënë dhe më alarmante situatën e sigurisë në një shtet që nuk mbron dot as zyrtarët e drejtësisë.
Presidenti i vendit, Ilir Meta në një komunikim për mediat, gjatë urimeve të Kurban Bajramit është pyetur sërish për këtë çështje. Presidenti tha se në ditët në vijim do të ketë një qëndrim të qartë për këtë çështje konkretisht, por edhe për fenomenin e dhunës në familje, i cili është shqetësues për shoqërinë shqiptare.
“Në ditët që vijnë do ketë qëndrime dhe më të qarta për këtë çështje dhe për të adresuar këtë fenomen kriminal që ka dëmtuar rëndë familjen në Shqipëri dhe shoqërinë tonë”, – paralajmëroi Meta.
Apeli i presidenti u drejtohet institucioneve të drejtësisë dhe organeve të sigurisë. Por deri ditën e sotme të vetëm reagime nga drejtuesit e shtetit dhe të institucioneve që kishin detyrë sigurinë e jetës së gjyqtares kanë qenë vetëm ngushëllimet në rrjetet sociale.
Vajza e gjyqtares së vrarë: “Babi” një monstër që s’meriton të marrë frymë
Vajza e gjyqtares Fildes Hafizi ka postuar një mesazh të dhimbshëm pas ngjarjes tragjike ku babai i saj vrau nënën, duke lënë dy fëmijë jetimë. Ajo e etiketon me fjalët më të rënda babain e saj, duke e quajtur mostër, plehra. Në çdo fjalë të mesazhit të saj për nënën, Melisa tregon atë çfarë kanë përjetuar nga babai, që i cilëson si kafshëri dhe thotë se e ëma sa herë shkoni për të kaluar kohën me të atin, rrinte me frikë. Ndryshe flet adoleshentja për nënën e saj, që e quan heroinë, engjëll e perëndeshë. Nuk mungon një premtim për të edhe pas vdekjes.
“Dje kam humbur personin më të rëndësishëm në jetën time. Mami im ishte heroina ime, perëndesha ime. Ajo ËSHTË njeriu më i mrekullueshëm i kësaj bote dhe KURRË në këtë botë s’do të ketë njeri si ajo më në këtë botë. Ajo sakrifikoi çdo gjë për ne duke përfshirë jetën që të na hiqte nga ai plehra. Pavarësisht çdo gjëje ajo fliste mirë për të PAVARËSISHT ÇDO KAFSHERIE QË KEMI JETUAR NË ATË SHTËPI.
Ajo ishte shoqja ime e ngushtë, motra ime, dashuria ime e parë në këtë botë. Kushdo që e njihte e adhuronte kurajën forcën inteligjencën dashurinë e saj për jetën dhe zemrën e saj të pastër. Vetëm ne e dimë se si rrinte me frikë kur iknim ÇDO FUNDJAVË te i ashtuquajturi “babi” që ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një monstër që nuk meriton të marrë frymë. Kur të kujtoj mamin tim unë nuk do qaj por do jem krenare për personin, heroinën që më rriti. Dhe sado që unë nuk besoj në Zot unë besoj që ajo tani është një engjëll që na ruan sepse e tillë ishte dhe gjallë. Dhe ne do ja dalim do e bëjmë krenare dhe do bëhemi të denjë që të quhemi fëmijët e saj. Sepse ajo është forca jonë dhe pse nuk është më mes nesh.
Faleminderit të gjithëve që na u gjendët pranë.
– Vajza e Fildes Hafizit( Fil Des) MELISA HAFIZI”.
Kolegu i gjyqtares së vrarë: Fajin e ka Drejtësia?!
Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi në mes të Tiranës, ditën për diell nga ish-bashkëshorti i saj ka shkaktuar indinjatë të madhe mes kolegëve të saj. Ditën e djeshme, Unioni i Gjyqtarëve, i Prokurorëve por edhe gjyqtarë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë, duke dënuar krimin dhe ngushëlluar familjen. Me tone të ashpra ka reaguar gjyqtari Artan Lazaj, i cili e quan vrasjen falimentim të shtetit. Duke iu përgjigjur kritikave mbi drejtësinë, Lazaj shkruan se lepuri fle tjetërkund.
“Sot ka falimentuar edhe ai pak shtet që kishim. Falimentim i plotë i Policisë dhe sistemit të vuajtjes së dënimit. Kur ndodh kjo me një nga shtresat më të nderuara të shoqërisë imagjino për shtresat e thjeshta. Fajin e ka Drejtësia?!Lepuri fle tjetërkund e shijohet nga tjetërkush. Duhet revolucion i vërtetë e jo nga këto ‘revolucionet’ që trumbetohen sot. U prehsh në paqe mikja dhe kolegia jonë”, shkruan ai.
Flet shoqja e gjyqtares së vrarë: Fildez ndihej e shqetësuar dhe e braktisur
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=nD_3BopYkxk” width=”560″ height=”315″]
Mikja e ngushtë e gjyqtares Fildeze Hafizi që u vra dje më 31 gusht nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasëmi ka rrëfyer se i dinte shqetësimet e 39-vjeçares dhe kishin folur shpesh për to.Në një prononcim për News 24, Majlinda Baci thotë se Fildez ndihej e braktisur dhe e zhgënjyer, ndërsa e vlerëson si një grua të jashtëzakonshme.
“Fildesi ishte një grua e mirë dhe një nënë e jashtëzakonshme. Kjo ngjarje tregoi se dështuam të gjithë, jo vetëm shteti. Fildesi më fliste shpesh për shqetësimet e saj. Ajo ndihej e braktisur dhe e zhgënjyer”, tha Baci.
Martesa me mblesëri, si nisën problemet mes gjyqtares dhe ish-burrit
Diferencat arsimore dhe profesionale duket se kanë qenë shkak i mosmarrëveshjeve të shumta mes dy ish-bashkëshortëve, Fildes Hafizi e Fadil Kasemi. Të martuar me mblesëri 17 vjet më parë, kur Fildesi sapo kishte mbaruar Pedagogjiken në Shkodër, çifti për afro 15 vjet jetuan bashkë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Ajo ishte me arsim të lartë, drejtoreshë në një kopsht, ndërsa ai me të mesme, tregtar në “Tregun çam”.
U bënë prindër të dy fëmijëve, një djali 14 vjeç dhe një vajze 16 vjeçe, që sivjet futet në shkollën e mesme. Mikesha të afërta të Fildesit tregojnë peripecitë që ajo ka kaluar, kryesisht vitet e fundit, pasi nisi të ngjiste shkallët e karrierës, duke filluar një fakultet të dytë, ku u diplomua juriste. Ky duket se ka qenë një problem për ish-bashkëshortin e saj, të mësuar me idenë se në kopshtin ku ajo ishte drejtoreshë do ta kishte nën kontroll, ndërsa si gjyqtare do të ishte më lart se ai. Vite më parë ajo iu bind “urdhrit” të tij, duke refuzuar propozimin për inspektore në Drejtorinë e Arsimit.
Por më pas vendosi që të realizonte ëndrrën e saj për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ndonëse ishin në gjendje shumë të mirë financiare, pasi i shoqi ishte pronar i një dyqani të madh te “Tregu çam”, ajo studimet për Drejtësi i vazhdoi me bursë, të cilën e fitoi falë rezultateve të shkëlqyera. Madje, fitoi edhe Magjistraturën, duke u bërë gjyqtare e, nga ana tjetër, ishte edhe pedagoge në universitetin privat ku ajo u diplomua juriste.
Mësuesja e fëmijëve të gjyqtares së vrarë: Babi nuk iu erdhi kurrë në shkollë
Mes dëshmive të shumta pas krimit të rëndë që tronditi dje Tiranën, kur gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës u ekzekutua me dy plumba nga ish-bashkëshorti, vjen edhe ajo një prej mësueseve të fëmijëve të viktimës.
Në një prononcim të shkurtër për “BalkanWeb” dhënë gazetares Klodjana Lala mësuesja e ka portretizuar gjyqtaren si një nënë të kujdesshme, e grua të shkëlqyer që interesohej vazhdimisht për ecurinë e djalit dhe vajzës. “Ajo ishte një grua dhe një nënë e shkëlqyer. Kujdesej vazhdimisht për fëmijët”,- thotë mësuesja.
E tronditur nga gjithë ajo që ndodhi, ajo nuk nguron të pranojë se të atin e fëmijëve nuk e ka parë kurrë në shkollë. “Ish-bashkëshorti i Fildezes, babai i fëmijëve nuk është parë kurrë në shkollë, nuk e njoh”,- shtoi mësuesja.
Kushëriri i gjyqtares : Ishte vrasje me paramendim
Një ditë pas ngjarjes tragjike që tronditi jo vetëm kryeqytetin, një i afërm i gjyqtares Fildeze Hafizi deklaron se Fadil Kasëmi, ish-burri i 39-vjeçares e vrau me paramendim. Në një prononcim të shkurtër për “BalkanWeb” dhënë gazetares Klodiana Lala, kushëriri i të atit të gjyqtares, që ndodhet në banesën e saj ku janë hapur dyert e mortit, thotë se ky është një krim me përmasa të rënda.
“Shteti ka përgjegjësinë e tij në këtë ngjarje tepër të rëndë jo vetëm për familjen por edhe për shoqërinë. Ish-burri e vrau me paramendim dhe kjo është e vërteta. Është një krim me përmasa të rënda”, u shpreh ai, raporton “BalkanWeb”.
Lexoni lajme të tjera për këtë argument:
Ekzekutimi i gjyqtares. Kronika e një vrasje të paralajmëruar
Ulërima e të birit: Mos e vrit mamin
Zbardhet letra që gjyqtarja e vrarë i dërgoi ambasadorit Lu
Presidenti Meta dënon me forcë vrasjen barbare të gjyqtares Hafizi
Basha: Shuplakë zgjimi për të reaguar kundër krimit
BE reagon pas vrasjes së gjyqtares: Jemi të tmerruar
Berisha: Gjyqtaren e vrau indiferenca kriminale e shtetit
Reagimi i Ramës për gjyqtaren acaron qytetarët: A mban përgjegjësi për ndonjë gjë?