Vrau 4 efektivë policie, Apeli rrëzon burgimin e përjetshëm për Dajtin

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit “Iliria” në Durrës.

Më herët ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm por me vendimin e sotëm të Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg.

Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim. Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 15 vite burg.

Efektivët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Ngjela komenton vendimin për Dritan Dajtin: Nuk jepet dënim i shkurtuar për katër vrasje policësh

Avokat Spartak Ngjela ka komentuar, në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, vendimin e Gjykatës së Apelit për rrëzuar dënimin e përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dhënien 25 vite heqje lirie. Ngjela theksoi se në Shqipëri “ligji është me probleme”, ndërsa vuri në dukje mungesën e Gjykatës së Lartë, ku mund të vijonte çështja.

“Nuk jepet dënim i shkurtuar për katër vrasje policësh. Anglia ishte e para që e hoqi dënimin me vdekje dhe u detyrua të rivendosë vetëm për vrasjen e policit. Është e rëndë vrasja e policit. Por sistemi ynë ky është. Di që nuk ka as Gjykatë të Lartë në këtë momente që të shikojmë se kush ka të drejtë Apeli apo Shkalla e Parë. Të gjitha këto janë defekte që shoqëria do t’i vuajë për një kohë”, theksoi Ngjela.

Reagojnë shoqatat e policisë: 4 dëshmorët u rivranë nga drejtësia

Nuk është pritur aspak mirë nga shoqatat e policisë vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për pranimin e gjykimit të shkurtuar për Dritan Dajtit, duke ia ulur dënimin për vrasjen e 4 efektivëve të policisë, nga burg përjetë në 25 vite burg. Një prej tyre që ka reaguar është shoqata e “Punonjësve të Policisë në Lirim 2013”, e cila thekson se Drejtësia me vendimin e sotëm rivrau 4 dëshmorët e Atdheut që ekzekutoi Dritan Dajti.

Reagimi i plotë i Shoqata e “Punonjësve të Policisë në Lirim 2013”

Sot drejtësia e kapur rivrau 4 dëshmorët e Atdheut që ekzekutoi Dritan Dajti. Vendimi i Gjykatës se Krimeve të Rënda, i cili ka rrëzuar vendimin për burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dëshmon qartazi jo vetëm kapjen e sistemit nga Krimi,por mbi të gjitha provon lidhjet e forta të sistemit drejtesis me krimin e organizuar. Odisea e pafund e kësaj çështjeje sa në dhomat e drejtësisë e paradhomat pushtetit të krimit, bëri të mundur që autori, i varsjes së katërfishtë të oficerëve të policisë në detyrë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm.

Ky vendim skandaloz ka tronditur gjithë opinionin publik shqiptar, por mbi të gjitha është një goditje shumë e rëndë që i jep organizatës së Policisë së Shtetit dhe gjithë punonjësve të saj, të cilët nga sot ndjen më të kërcënuar, më të braktisur, më të demotivuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe të tradhëtuar krejtësisht nga ata që duhet të garantonin jetën dhe aktivitetin e tyre. Shoqata e “Punonjësve të Policisë në Lirim 2013” shpreh zemëratën më të thellë ndaj këtij vendimi, i cili rivrau 4 dëshmorët e Atdheut që ranë në krye të detyrës dhe ka hidhëruar zemrat e familjarëve, të afërmëve dhe kolegëve të tyre. Për fat të keq ky vendim dëshmon se krimi i organizuar është në partneritet me Sistemi e drejtesis dhe onturazhin e tij politik, të cilët tashmë provojnë se janë në ortakëri të plotë.

Edhe pse realisht jetojmë në simbiozën më të frikshme të pushtetit me krimin, ne u shprehim kolegëve të ndershëm e të përkushtuar në detyrë në Policinë e Shtetit mbështetje tonë më të madhe dhe kemi bindjen se do të bëjnë më të mirën për të respektuar betimin e tyre në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. Ne jemi të bindur se të gjithë së bashku do t’ ja dalim shumë shpejt të ndalim represionin e krimit.

Prokuroria: Ishim kundër uljes së dënimit për Dritan Dajtin

Prokuroria ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për Dritan Dajtin duke shpjeguar se përfaqësuesi i akuzës ka qenë kundër aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Qëndrimi i Prokurorit ka qenë lënia në fuqi e vendimit të shkallës së parë, duke kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për të pranuar gjykimin e shkurtuar.

Ndërkohë shoqata e policëve në lirim theksoi se vendimi i gjykatës dëshmoi qartazi jo vetëm kapjen e sistemit nga krimi, por mbi të gjitha provon lidhjet e fortë të sistemit të drejtësisë me krimin e organizuar. Sipas shoqatës së policisë ky vendim ka tronditur të gjithë opinionin publik, por mbi të gjitha është një goditje e rëndë që i jep organizatës së policisë së shtetit që sot ndihen me të kërcënuar dhe braktisur.

Gazetarja: Jeta e një polici nuk vlen, i vrisni disa herë

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet të Rënda që pranon gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin, i akuzua për vrasjen e katër policëve, gazetarja e kronikës Anila Hoxha, thotë se pret hakërrimin e zyrtarëve të lartë.

Anila Hoxha: “Pres hakërrimin e ministrit te brendshëm. Pres hakërrimin e drejtorit te përgjithshëm te policisë se shtetit !!! Te kujtdo dreqi qe është ulur neper karrige shteterore dhe as qe i behet vone se sa vlen jeta e nje polici. Sepse jeta e nje polici nuk vlen perderisa i nxirrni neper aksione te tradhetuara, i dekonspironi dhe i vrisni ne menyra gjithfaresh. Disa i vrisni duke mos i motivuar. Disa i vrisni duke i pezulluar nga detyra. Disa duke ju kerkuar llogari pse nuk ju pershendeten ne menyre ushtarake. Disa se i quani trupe dhe flote kur ata jane efektive te policise. Disa vriten pak nga pak. Disa vriten brenda nje casti. Dhe disa rivriten.

Rip deshmoret e atdheut:

Fatos Xhani

Altin Dizdari

Saimir Duckollari

Kasteriot Feskaj“.

SHKARKO APP