Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë
Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, pretendon një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të së dielës që u përcollën me me raporte për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar po ashtu edhe në ditën e votimit.
Presidenti serb tha se lista “Serbia nuk guxon të ndalet”, e udhëhequr prej tij ka fituar 46.5 për qind të votave e pasuar nga lista “Serbia kundër dhunës” e partive opozitare me 23.5 për qind.
Nënkryetarja e Partisë Përparimtare Serbe, Ana Bërnabiç, kryeministre në detyrë, tha se në bazë të rezultateve paraprake lista e drejtuar nga partia e saj do të ketë shumicën absolute me mbi 125 deputetë në parlamentin 250 vendesh të Serbisë.
Vëzhgues të partive opozitare raportuan për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar ashtu edhe përgjatë ditës së votimit.
Mediat e pavarura thanë se serbë nga Bosnja fqinje u mblodhën për të votuar në një sallë sportesh në Beograd që nuk ishte një qendër votimi zyrtar. Një ekip monitorues u sulmua dhe makina e tyre u godit me shkopinj bejsbolli në një qytet në veri të Serbisë.
Vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi, (CRTA) shprehën “shqetësimin më të thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në Beograd.
“Përqendrimi i autobusëve, furgonëve dhe makinave u vu re në disa pika në Beograd, duke transferuar votuesit në qendrat e votimit në të gjithë qytetin për të votuar,” tha grupi, ndërsa autoritetet hodhën poshtë çdo keqbërje.
CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet dhe për praninë e personave të paautorizuar në qendrat e votimit.
Gjithsej 18 parti dhe koalicione u vunë në përpjekje për të siguruar mbështetjen e rreth 6.5 milionë votuesve. Pragu për të hyrë në parlamentin prej 250 vendesh është 3 për qind. Vendvotimet që u hapën në orën 7 të mëngjesit, u mbyllën në orën 20:00.
Dy sulme masive në muajin maj që lanë pas vetes 17 të vrarë, përfshirë nëntë nxënës të një shkolle fillore, çuan në protesta që tronditën pushtetin e presidentit serb Vuçiç dhe partisë së tij. Pakënaqësitë u thelluan nga rritja e inflacionit, i cili arriti ne 8 për qind në muajin nëntor.
Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë gjithashtu presidentin serb dhe partinë e tij për blerje votash, mbytje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.
Zgjedhjet në Serbi përkuan me një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën, mes tensioneve të larta që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.
(marrë me shkurtime nga VOA)