Vula e PD merr udhën për te “rrugica e Salës”
Nga Daniel Muçaku-
E gjithë loja për ta lenë Berishën dhe partinë e tij pa emër e pa vulën që i takon, duket se po merr fund.
Jo vetëm si logjikë dhe si realitet, por edhe de jure duket se ata që e penguan deri më tani të vertetën, po tërhiqen dhe po e lenë drejtësinë të punojë e lirë.
Dihet se PD-ja është Berisha dhe këtë e kanë treguar votat masive nga radhët demokrate, ndonëse jo mjaftueshëm sa për të rrëzuar Edi Ramën.
Gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka dhënë të drejtë palës së ish-kryeministrit Berisha, ndërkohë që gjykata e apelit veproi me militantizëm partiak, gjë të cilën e verteton vendimi i fundit i gjykatës së lartë.
Vendimi i plotë i Gjykatës së lartë, lidhur me atë që tashmë njihet si çështja e “vulës dhe logos” së PD-së, është publikuar sot. Referuar vendimit të Kolegjit çështja do të shqyrtohet në Apel, ndërsa Gjykata e Lartë në vendimin e saj deligjitimon si palë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.
Kolegji arrin në konkluzionin se Gjykata e Apelit i është shmangur detyrimeve të saj ligjore, të cilat janë të detyrueshmë për tu zbatuar, pasi garantojnë kryerjen e një procesi gjyqësor civil të rregullt, ligjor, efektiv dhe brenda afateve ligjore të arsyeshme.
Gjykata e Apelit, vetëm pasi të arrinte në një konkluzion përfundimtar nëse mjeti i ankimit objekt shqyrtimi i plotësonte të gjitha parakushtet formale të pranueshmërisë, kishte të drejtë ti hapte rrugë shqyrtimit të shkaqeve të ankimit dhe ti jepte zgjidhje në themel çështjes objekt shqyrtimi. Ndërkohë, me disponimin për prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, Gjykata e Apelit ka krijuar konfuzion dhe paqartësi në lidhje me çështjen objekt shqyrtimi përsa i përket objektit të kërkimit, si dhe me natyrën e gjykimit (ritin e gjykimit) që ndiqet në shqyrtimin e saj”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, “në rast se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se në themel të këtij gjykimi, qëndron përcaktimi se kush është juridikisht organi ligjor që përfaqëson tek të tretët subjektin juridik PDSH, kjo gjykatë, duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit, duke orientuar palët që të zhvillojnë një gjykim themeli mes tyre (gjykim kontencioz). Megjithatë, në asnjë rast gjykata nuk mund të vendoste prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi në mënyrën se si e ka analizuar çështjen kjo gjykatë nuk ka dhënë konsiderata në lidhje me çështje substanciale të ligjit procedural e që duhet të merren parasysh gjatë rigjykimit, të cilat lidhen me: (i) cili do të jetë rit i gjykimit që duhet të ndiqet në rigjykim (riti gracioz apo ai kontecioz); (ii) cili do të jëtë pozicioni procedural i PDSH së përfaqësuar nga Kryetari z.Lulzim Basha, përsa kohë ky subjekt ka paraqitur ankimin mbi bazën e të cilit gjykata e apelit ka vijuar zhvillimin e gjykimit në shkallë të dytë gjykimi (pra është legjitimuar si palë ndërgjyqëse në proces, por çfarë pozicioni do të ketë, person i interesuar, ndërhyrës kryesor me padi, ndërhyrës dytësor); si dhe (iii) cili do të jetë objekti i shqyrtimit në rigjykim, regjistrimi i vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, apo pavlefshmëria e vendimeve dhe ndryshimeve statutore të nxjerra nga ky Kuvend”.
Kështu shkruhet në vendimin e gjykatës së lartë.
Pra do të ketë tjetër trup gjykues në Apel bazuar në vendimin e gjykatës së lartë.
Nuk duhet dhe nuk ka asnjë arësye pse ta vonojë gjykata e Apelit që të jap vendimin final për PD.
Të gjitha rrugët për në PD të çojnë te Berisha, ndaj vendimi pritet të jetë që emri, logo, financat, etj duhet të kalojnë te PD-ja që përfaqëson Berisha.