Washington Post: SHBA i kërkon privatisht Ukrainës të tregojë se është e hapur për bisedime Rusinë
Nga VOA-
Administrata Biden po inkurajon privatisht udhëheqësit e Ukrainës që të sinjalizojnë se janë të hapur për të negociuar me Rusinë, e të heqin dorë nga kushti që kanë paraqitur publikisht se do të përfshiheshin në bisedimet e paqes, vetëm nëse Presidenti Vladimir Putin largohej nga pushteti. Kjo thuhet në një artikull të botuar të shtunën nga gazeta ‘The Washington Post’.
Gazeta citonte burime anonime në dijeni të diskutimeve që thanë se kërkesa e zyrtarëve amerikanë nuk kishte për qëllim të shtynte Ukrainën drejt tryezës së negociatave, por një përpjekje e llogaritur për t’u siguruar që Kievi të vazhdojë të ruajë mbështetjen e atyre vendeve, popullata e të cilave është skeptike mbi zgjatjen me tej të luftës.
Në artikull thuhet se diskutimet janë një ilustrim i kompleksitetit të pozicionit në të cilin ndodhet administrata Biden lidhur me Ukrainën. Ndërsa zyrtarët amerikanë zotohen publikisht se do të mbështesin Kievin me shuma masive dhe “për aq kohë sa duhet”, ata gjithashtu shpresojnë për një zgjidhje të konfliktit tetë-mujor që ka dëmtuar ekonominë botërore e ka shkaktuar frikën e një lufte bërthamore.
Gazeta njoftoi se zyrtarët amerikanë ndajnë të njëjtin qëndrim me vlerësimin e homologëve të tyre ukrainas se zoti Putin nuk është për momentin serioz në lidhje me negociatat, por pranuan se bllokimi që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë bisedimeve me të, kishte krijuar shqetësim në disa pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine, ku efektet e luftës, sikurse kostot e larta të ushqimit dhe karburantit ndihen më shumë. (marrë me shkurtime nga VOA)