Yuri Kim dhe Basha deklaratë për mediat: Reforma zgjedhore të përfundojë brenda afatit

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe kreu i PD-së Lulzim Basha kanë dalë në deklaratë për mediat pas takimit të zhvilluar në selinë e PD.

Ambasadorja e SHBA tha se me Bashën diskutuan për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. “Sapo zhvilluam një takim shumë të mirë. Isha shumë e kënaqur që pata mundësinë të takohesha me kryetarin e opozitës z.Lulzim Basha. Diskutimi ynë ishte i vendosur për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. Veçanërisht folëm për rëndësinë se si udhëheqësit shqiptarë duhet të përmbushin pritshmëritë e popullit shqiptar, sikurse e kanë premtuar, për të përfunduar reformën zgjedhore deri më 31 maj. Ky nuk është një afat kohor që e ka vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Ky është një afat kohor që e kanë caktuar mbi veten e tyre vetë udhëheqësit. Për nga përkufizimi opozita ka një punë shumë të vështirë përpara tyre, por ndihem shumë e inkurajuar nga diskutimi që kemi zhvilluar këtë pasdite dhe pres me kënaqësi për rezultatet”,- tha Yuri Kim.

Ndërsa Lulzim Basha tha se Reforma Zgjedhore do të përfundojë brenda 31 majit. Basha tha se opozita do bëjë gjithçka që të përfundojë në këtë datë. Ndërkohë, shtoi se opozita ka qëllim që sa më parë të shkohet në kutitë e votimit dhe zgjedhësit të pandikuar nga bandat, shitblerja e votës dhe paratë e korrupsionit, të zgjedhin qeverinë e parlamentin që duan.

“Organizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është prioritet absolut. Një orë e më parë në kutitë e votimit të pandikuar nga bandat, nga shitblerja e votës, paratë e korrupsionit. Jemi të vendosur për këtë betejë dhe jemi të vendosur që brenda 31 majit reforma zgjedhore do të mbarojë dhe do të bëjmë gjithçka që të zbatohet.

Që dhe kjo krizë të marrë zgjidhje që shqiptarët të zgjedhin parlamentin dhe qeverinë që duan. Që të hapet dhe rruga për integrimin europian, që është dhe zotim i opozitës”- tha Basha.

 

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/245054350115266/

SHKARKO APP