Yuri Kim në Senat: Si ambasadore në Shqipëri do i shtyj liderët të zgjidhin menjëherë krizën politike

Yuri Kim ka dalë sot përpara Komisionit për Politikën e Jashtme në Senatin Amerikan ku ka folur për prioritet nëse emërohet ambasadore në Shqipëri. Në deklaratën përpara senatorëve, Yuri Kim u fokusua në tre pika kryesore sa i përket objektivave të saj si ambasadore në Tiranë.

Fillimisht, tha Kim, do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate.

Yuri Kim theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

“Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjehërshëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Kim.

Së treti, tha Kim, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet.

Në hyrje të fjalimit të saj, kandidatja për ambasadore vlerësoi simpatinë dhe besnikërinë që shqiptarët kanë shfaqur ndaj SHBA-së.

“Shumë pak miq e kanë përqafuar më ngrohtë Shqipërinë – sondazhe pas sondazhe tregojnë se mbështetja e shqiptarëve për SHBA-në mbetet më e larta në botë. Shumë pak miq kanë qenë më besnikë – trupat shqiptarë kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bsonje dhe krahun lindor të NATO-s. Dhe pak partnerë janë kaq të gatshëm për të bërë më shumë me SHBA-në. Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh Kim.

SHKARKO APP