Zaev: “Shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. Po Shqipëria?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pas vendimit të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat.
Në një konferencë për shtyp, të zhvilluar sot, Zaev theksoi se propozimin për zgjedhje të parakohshme do e bëjë në takimin në Presidencë me liderët e partive të tjera politike.
“Para dy dite Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Kjo është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha mes tjerash Zaev.
Edhe pse vendet e BE nuk kishin asnjë rezervë për Shkupin, Zaev thotë se çdo politikan duhet të tregohet i përgjegjshëm.
Ndërkohë lista e ankesave për Shqipërinë ishte e gjatë, duke nisur nga 9 kushtet gjermane e deri te azilantët në Francë, por qeveria “Rama” thotë se s’ka asnjë përgjegjësi.
Kryeministri Edi Rama, në qëndrimet e mbajtura dje dhe sot ka akuzuar Francën për mos hapjen e negociatave duke pretenduar se reformat që ka bërë qëveria e tij janë vlerësuar të sukseshme nga institucionet e BE.