Zbulohet kontrata e tmerrshme Milot-Balldre 15 milionë euro një km!
“News 24” siguron kontratë marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë fituese të koncensionarit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Sipas projektligjit të mbërritur në Kuvend për ndërtimin e këtij segmenti rrugor prej vetëm 17.2 km duhen gati 260 milionë euro.
Kjo do të thotë se taksapaguesit shqiptarë do paguajnë shifrën e çmendur prej 15 milionë euro për çdo kilometër të rrugës, e cila shtrihet në një terren fushor dhe ndjek gjurmën e rrugës ekzistuese.
Por si arriti në këtë vlerë kaq të lartë kostoja për ndërtimin e aksit Milot-Balldren nga kompania ANK sh.p.k? Fillimisht, në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 qeveria kishte përcaktuar një fond total prej 113 milionë euro. 7 muaj më vonë kostoja e rrugës u shtua me 48 milionë euro duke shkuar në 161.5 milionë euro, vlerë kjo e paraqitur nga kompania ANK sh.p.k e cila hyri në garë me propozim të pakërkuar dhe përfitoi menjëherë bonusin prej 8.5 pikë %.
Pas këtij momenti qeveria dhe kompania negociuan dhe normën e fitimit e interesat për 13 vitet e shlyerjes duke e çuan koston e rrugës në 213,7 mln euro, e cila në total bashkë me TVSH arrin gati 260 milionë euro.
Sipas kontratës së propozuar për miratim, bëhet fjalë për një rrugë fushore pa vështirësi e pengesa punimesh e cila shtrihet përgjatë aksit ekzistues që lidh Milotin me qytetin e Lezhës. Ka vetëm një devijim ku do të ndërtohet rrugë e re nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren dhe projekti lidhet sërish me një rrugë ekzistuese në drejtim të Shkodrës.
Në relacion sqarohet se do ndertohen dy ura paralele me ato ekzistuese mbi lumen e Matit, dhe të Drinit, gjatësia e të cilave është 840 metra. Po kështu parashikon edhe ndërtimin e një tuneli me dy tuba në malin e Rencit edhe ky vetëm 850 metra i gjatë.
Shifra e fryrë e kësaj rruge nuk ka të krahasuar me çmimin dhe terrenin e rrugës së Kombit. Dhe për më tepër as nuk i afrohet shifrave të përdorura për autostradën Levan-Vlorë e cila kaloi e gjitha në një gjurmë të re dhe në një terren pothuaj të njëjtë me atë të Milot-Balldren.
Çmimi prej 15 milionë eurosh për kilometër nuk gjendet as në projekte të ngjashme në vende të Rajonit e të Europës.
Bashkë me rrugën Milot-Balldren qeveria ka dërguar në Kuvend edhe kontratën koncensionare për rrugën Orikum-Dukat, vlera e të cilës është 67.3 mln euro me një gjatësi prej 14.7 km.
Koncensioni për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat u dhanë nga qeveria në një kohë kur ka propozuar që nga 1 Korriku 2019 të mos jepen PPP me propozim të pakërkuar në infrastrukturë. Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore i kanë cilësuar koncensionet me propozim të pakërkuar si forma të rrezikshme për buxhetin dhe me ndikim në borxhin publik.