“Zëri i Amerikës”/Ekspertët: Perëndimi duhet të ndryshojë politikën në Ballkan
Nga “Zëri i Amerikës”-
Blerja nga Kosova e sistemit të raketave ‘Javelin’, të prodhimit amerikan, u vlerësua si një nga zhvillimet e pakta pozitive për Ballkanin Perëndimor, në një debat që u mbajt në Uashington nga Instituti “New Line” mbi dhjetëvjeçarin e ardhshëm në rajon. Njohësi i çështjeve për Ballkanin dhe shkrimtari, Jasmin Mujanoviç tha se vendimi për të fuqizuar mbrojtjen e Kosovës ka ndikim pozitiv për të gjithë rajonin.
“Një Kosovë e fortë, e qëndrueshme, sovrane, që ka fuqinë të pengojë sulmet dhe që nuk bëhet nga KFOR-i, por që është pjesë e Forcave të Sigurisë së Kosovës është shumë pozitive për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Mujanoviç.
Ai tha se një tjetër zhvillim pozitiv që ka nisur sidomos dy apo tre vitet e fundit është një rritje e kontakteve formale dhe jo formale mes zyrtarëve dhe diasporës të tre vendeve të Ballkanit, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi. Duke përmendur gabimet e të kaluarës, për shembull kur studentët shqiptarë të Kosovës në demonstratat e vitit 1981 “brutalizoheshin nga forcat jugosllave të sigurisë” dhe Bosnja, Kroacia dhe Sllovenia nuk reagonin, janë gabime që sipas zotit Mujanoviç, nuk duhen përsëritur.
“Siç e kemi mësuar edhe gjatë viteve ‘90 dhe siç është dashur ta mësojmë sërish edhe herë të tjera, ajo që fillon në Kosovë, përfundon në Bosnjë dhe ajo që fillon në Bosnjë, përfundon në Mal të Zi, pasi çështjet janë të ndërlidhura. Kur Aleksandar Vulin apo Vuçiç flasin për Botën Serbe, nuk duhet pritur reagim vetëm nga miqtë tanë në Prishtinë, duhet të reagojmë të gjithë ne, pasi ajo është një kërcënim për të gjithë”, thotë zoti Mujanoviç.
Sipas analistit Mujanoviç dhe profesores mbi të drejtat e njeriut në Ballkan në Universitetin “Columbia” të Nju Jorkut, Tanya Domi megjithatë mungesa e përkushtimit të perëndimit ndaj rajonit, por mbi të gjitha politikave të gabuara me nacionalistët pro rusë dhe pro kinezë në Ballkan, kryesisht në Serbi dhe Republikën Serbe të Bosnjës, rrezikojnë sigurinë e rajonit dhe besueshmërinë e politikës së jashtme të perëndimit.
“Problemi me të cilin po merremi është një politikë e dobët e jashtme nga Shtetet e Bashkuara dhe për më tepër nga BE dhe unë do të argumentoja dhe e di që ka njerëz që nuk pajtohen për këtë, se është një politikë që duket se zbut qëndrimet për disa nga impulset më të këqija nacionaliste dhe është në kundërshtim me vlerat e Shteteve të Bashkuara”, tha Profesorja Domi.
Rusët kanë ngritur një qendër të madhe të zbulimit në periferi të qytetit serb, Nish, shumë afër kufirit me Kosovën, tha analisti Jasmin Mujanoviç, ndonëse Kosova është ajo që përballet me masa nga perëndimi.
Më 28 qershor, Bashkimi Evropian e njoftoi Prishtinën për masa ndëshkuese ndaj saj, pasi sipas Brukselit, autoritetet kosovare nuk ndërmorën hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Disa muaj më vonë, siç e nënvizoi edhe Profesorja Tanya Domi, në fshatin Banjskë në veri të Kosovës një grup serbësh të armatosur kaluan kufirin nga Serbia dhe kryen një sulm që edhe perëndimi e konsideron si sulm terrorist. Prishtina e ka akuzuar Beogradin se qëndron pas sulmit, akuza që janë hedhur poshtë nga Serbia.
“Unë mendoj se ka një zhgënjim të madh në rritje me sjelljen e qeverisë serbe”, deklaroi në një raportim para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit britanik Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron më 9 janar. Raportimi pasoi një vizitë të zotit Cameron një javë më herët në Kosovë.
Zoti Cameron shtoi se ndonëse nuk mund të flas në emër të Brukselit apo Uashingtonit, “unë e ndjej se edhe në BE dhe SHBA ndjehet një zhgënjim me Serbinë, pasi e kuptojnë se rasti i Banjskës ishte një rrezik i madh”.
Për analistin Jasmin Mujanoviç, ajo që tha Sekretari i Jashtëm Britanik, Cameron në Londër është shumë e saktë, pasi politika e perëndimit ndaj Ballkanit ka ngecur në periudhën para nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
“David Cameron pranoi se pavarësisht gjithçkaje që po bën perëndimi me agresionin rus në Ukrainë, madje edhe në lidhje me kundërshtarët tanë në Pekin përballë Tajvanit, ata po bëjnë të kundërtën në Ballkan”, tha zoti Mujanoviç.
Ata nuk e shohin Ballkanin me vëmendje derisa janë të detyruar të bëjnë diçka. Dhe nëse vjen puna që ata duhet të bëjnë diçka, do të jetë tepër vonë”
Për profesoren Tanya Domi, “Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë në këtë moment kanë prioritete të ndryshme”. Sipas saj edhe Presidenti Biden, që vlerësohet se ka njohuri të mirë për Ballkanin, është i ngarkuar me çështjen e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe “ata nuk e shohin Ballkanin me vëmendje derisa janë të detyruar të bëjnë diçka. Dhe nëse vjen puna që ata duhet të bëjnë diçka, do të jetë tepër vonë. Ky është shqetësimi dhe frika ime më e madhe”.
Harun Karçiç, producenti ekzekutiv i televizionit Al Jazeera Balkans, që transmeton nga Sarajeva, vlerësoi gjatë debatit se “nuk ka mundësi që (Presidenti serb) Vuçiç të mos ketë ditur paraprakisht për rastin e Banjskës”.
Gjatë debatit u tha se Serbia gjatë katër viteve të fundit ka shpenzuar “shuma të jashtëzakonshme parash” duke lobuar në Shtetet e Bashkuara përmes rrugëve zyrtare dhe jo zyrtare, duke shfrytëzuar edhe ndasitë e mëdha që ekzistojnë momentalisht në politikën amerikane edhe në lidhje me politikën e jashtme.
“Serbia shumë konkretisht është duke u përpjekur që të ndikojë në drejtimin e ardhshëm të një administrate të re potencialisht republikane”, tha analisti Jasmin Mujanoviç.
“Unë mendoj se ata kanë identifikuar shumë qartë disa emra që do të donin t’i shihnin në poste të larta. Nuk mendoj se është ndonjë sekret, për shembull, e dini, Serbia do të donte shumë ta shihte Richard Grenell-in si Sekretarin e ardhshëm të Shtetit. Për Shtetet e Bashkuara, kjo është një çështje e sigurisë kombëtare pasi një qeveri e huaj po përpiqet të ndikojë tek emërimet brenda administratave të ardhshme amerikane”.
Për zotin Mujanoviç, është e habitshme se si kjo nuk po ngre alarmin në Shtetet e Bashkuara, pasi përpjekjet e Serbisë me zotin Grenell po bëhen publikisht.
“Kur udhëtoni për në Beograd dhe merrni nderime shtetërore nga një njeri që është bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i Xi Jinpingut dhe jeni pjesë e bisedave serioze për të qenë një zyrtar shumë i lartë amerikan në administratën e ardhshme, kjo çështje do të duhej të alarmonte”, tha ai./VOA/