Zëri i Amerikës: Reforma zgjedhore në udhëkryq! PS nuk ishte e gatshme për të arritur konsensus
Nga Zëri i Amerikës
Në Shqipëri, Reforma zgjedhore duket të ketë mbetur ende në udhëkryq, me palët që fajësojnë njëra-tjetërn për mospërmbylljen e procesit brenda afatit që ato vetë kishin vendosur. Edhe mbledhja e të dielës që përfundoi në mbrëmje, la gjithçka pezull, me gjithë ndërhyrjen e një përfaqësuesi të ambasadës amerikane, i cili fillimisht u takua me përfaqësuesin socialist Damian Gjiknuri dhe atë demokrat Oerd Bylykbashi, për t’u ulur më pas dhe me dy anëtarët e tjerë të Këshillit politik, Petrit Vasili dhe Rudina hajdari.
Nga deklarimet e bëra nga palët në mbyllje të takimit, e vetmja gjë e qartë ishte se nuk ishte gjetur gjuha e përbashkët. Ndërsa për pikat që i ndajnë, u dhanë versione të ndryshme.
“Pavarësisht se opozita bëri propozimet e saj për çështjet kryesore dhe ofroi konsensus, PS nuk ishte e gatshme për të arritur konsensus për çështje të rëndësishme, duke synuar të mbajë privilegjet e saj.
Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën dhe për një proces zgjedhor që krijon besim dhe legjtimitet për të gjithë aktorët në lojë. Ne jemi të gatshëm për të vazhduar punën për të gjetur këtë konsensus dhe jemi në pritje që PS të tregojë gatishmëri për të bërë hapat e saj drejt konsensusit, siç kemi bërë ne koncensionet e nevojshme”, deklaroi demokrati Oerd Bylykbashi.
Por një tjetër panoramë ofroi socialisti Damin Gjiknuri. “Sot kemi një kuadër gati të përfunduar, me të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, por mbi të gjitha dhe me disa kërkesa thelbësore që ditët e fundit opozita i kishte kthyer në një kusht. Ne kemi gjetur hapësirën dhe do ti përfshijmë ato, por nuk mundet që pasi biem dakort e reflektojmë një pjesë të mirë dhe të kërkesave që quheshin parakushte, dhe me dëshmitarë ndërkombëtarë, të fillohet e të ndryshohet duke dalë më kërkesa të reja”, u shpreh Gjiknuri, duke deklaruar se shumë shpejt ai do të bëjë publike të gjitha kërkesat që siç tha ai ka paraqitur opozita dhe se i janë marrë ato parasysh.
Zoti Bylykbashi nënvizoi se “ne jemi të gatshëm të punojmë për të arritur zgjedhje me kompromis pa hequr dorë nga garancitë themelore. Le ti japim kohë PS të kuptojë pse nuk mund të jetë Kolegji që të vërë vulën e njomë mbi tabelën e rezultatit, që të kuptojë se KQZ nuk do jetë ai institucion i turpshëm që është sot, që është pronë e saj. Jemi përpara një modeli të ri, po nuk mund të jetë i tëri pronë e PS, të kuptojë që procesi i ngritjes së një administrate, e cila garaton profesionalizimin dhe depolitizimin, nuk mund të jetë fals, nuk mund të jenë komisionerë të PS të maskuar si të pavarur, dhe e gjitha kjo duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me garantimin 100 të identifikimit biometrik të votuesve. Në momentin kur do të kemi një kompromis mbi gjithë këtë aks të procesit, sigurisht që dhe hapësira dhe për çështjet e tjera është e thjeshtë”.
Por sipas zotit Gjiknuri “shqetësimet kryesore te opozitës janë reflektuar. Opozita ka një problem me vettingun e nuk do të njohë. Nga njëra anë vettingu pranohet se është detyrim kushtetues, te zgjedhjet thonë jo, nuk duhet. Rekomandimet e ODIHR-it, me garanci shtesë që do opozita, që të ketë njeri politik që ta ndjekë, është pranuar. Pyeteni zotin Bylykbashi nëse është realizuar 100 përqind identifikimi biometrik, a kanë më probleme?”, deklaroi përfaqësuesi socialist.
Palët u deklaruan të gatshme të ridiskutohen, por duket se nuk është lënë asnjë takim i ri. Madje zoti Gjiknuri, la të kuptohet se do të vijohet me procedurën parlamentare. “Dyert e dritaret e komunikimit për opozitën janë të hapura për të vazhduar e për të mbyllur dhe ato pak gjëra për të cilat ata kanë filluar të ndryshojnë mendje. Opozita të na bashkangjitet, që ta çojmë përpra këtë process. Parlamenti është legjitim, i ka votat, dhe pritja nuk mund të jetë pa fund”, paralajmëroi zoti Gjiknuri.
Si ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, nxitën ditët e fundit palët për një marrëveshje duke vlerësuar, qëndrimet në Këshillin Politik. Mbetet të shihet se si do të interpretohet prej tyre, dështimi mbrëmjen e së dielës./VOA