Zgjedhjet për Parlamentin Europian, ç’drejtim do të marrë BE nga sonte?
Nga radio shtetrore gjermane DW
Zgjedhet për Parlamentin e BE në fund të muajit maj do të japin drejtimin. A do të ketë kthim tek arsyeja në nivel kombëtar apo më shumë integrim për një force globale?
Bernd Riegert raporton nga Brukseli.
„Më 26 maj ne ndodhemi para zgjedhjeve vendimtare për kontinentin,” thotë kryetari i fraksionit të kristiandemokratëve në Parlamentin Europian, Manfred Weber, në javën e fundit të takimeve për zgjedhjet europiane që zhvillohen në plenium. Jo vetëm Weber, kandidati kryesor i familjes së partive ku merr pjesë edhe ai, por edhe shumë politikanë të kampeve të tjera i kanë deklaruar zgjedhjet për Parlamentin Europian, si zgjedhje që vendosin fatin e BE. Për Weberin, kristiandemokrat që kërkon të marrë postin e Presidentit të Komisionit të BE, në fund të majit kemi të bëjmë me një luftë dyshe midis pro-europianëve dhe nacionalistëve.
“Kjo Europë, në të cilën jetojmë sot është një Europë e mirë. Ne nuk do lejojmë që ajo të shkatërrohet nga nacionalistët,” thotë Manfred Weber. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë populistë të djathtë dhe skeptikë ndaj Europës në vendet anëtare të BE-së. Sipas sondazheve ata mund të marrin 20 përqind të mandateve
Europë e Orbanit apo Europë e Macronit?
Për kryeministrin nacional-konservator të Hungarisë, Viktor Orban, bëhet fjalë për një ndeshje midis demokratëve iliberalë, të cilët përfaqësohen prej tij, dhe demokratëve liberalë. Këta duan ta „ndryshojnë” popullsinë e Europës dhe ta islamizojnë duke futur migrantë, pretendon kryeministri hungarez, i cili është i lidhur me të djathtët gjermanë, francezë, danezë dhe italianë.
„Ne duhet të kuptojmë se Europa ndodhet në një moment kthese”, thotë Orban në fjalimin e mbajtur në festën kombëtare hungareze. Kush mirëpret migrantët ilegalë dhe refugjatët, „krijon kombe me rraca të ndryshme. Në vende të tilla marrin fund traditat historike dhe krijohet një rend i ri botëror.”
Armiku më i dashur për populistët e djathtë të llojit të Viktor Orbanit, ose ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, ose të kryetarit të FPÖ-së austriake Hans-Christian Strache është presidenti francez, Emmanuel Macron. Ai i ka shpallur luftë “demokratëve iliberalë” dhe kërkon „rilindjen” e Europës, solidaritetit dhe dhembshurisë. Edhe për Emmanuel Macronin, i cili propozon reforma të mëdha, dita e zgjedhjeve është ditë fati.
„Lufta më e rëndësishme në këto zgjedhje është beteja midis atyre që besojnë tek Europa dhe atyre që nuk besojnë “, thotë presidenti francez katër javë para zgjedhjeve, në një aktivitet të mbajtur në Paris.
Jo vetëm migracion
Vendet e punës, migracioni, mbrojtja e klimës, politika tregëtare, roli më i madh i Europës në botë. Këto janë temat me të cilat duhet të merret BE vitet e ardhshme, thonë partitë e etabluara pro Europës. Kandidatët kryesorë, Weber (kristiandemokrat) dhe Frans Timmermans (socialist) nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Të dy duan për shembull partneritet të ri me Afrikën, që të ketë më shumë investime tek vendet e origjinës së refugjatëve. Për populistët e djathtë nga ana tjetër ekziston vetëm një temë: izolimi, rrethimi dhe mbajtja e migrantëve jashtë Europës, thotë për shembull ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarty: “Për ne marrja e shumicës kundër migracionit është synim i rëndësishëm. Dhe Hungaria do të japë kontributin e saj.”
Populistët e djathtë i premtojnë zgjedhësve një BE krejt tjetër, në të cilin shtetet nacionale të rimarrin të drejtat që gjoja i kanë humbur dhe që Brukseli të shfuqizohet si qendër. Frans Timmermans, kandidati kryesor i socialistëve dhe aktualisht zëvendëspresident i Komisionit të BE në Bruksel, thotë se kjo është marrëzi. „Ne nuk do ia japim pushtetin ekstremistëve në Europë. Këto zgjedhje janë vendimtare. Zgjedhja është në dorën tuaj. Ju e merrni vendimin cilën Europë do të kemi pesë vjetët e ardhshme,” thotë Timmermans në një debat të zhvilluar në televizionin gjerman.
Parashikimi i zgjedhjeve
Përbërja e parlamentit të ri do të detyrojë kristiandemokratët, socialdemokratët, liberalët dhe Të gjelbërit që të punojnë në një koalicion të madh, mendon eksperti europian, Janis Emmanouilidis nga fabrika e ideve “European Policy Centre” me qendër në Bruksel. BE nuk do të ketë pas zgjedhjeve ndryshim total kursi, mendon Emmanouilidis. “Ne nuk do të shohim ndonjë marrje të BE nga armiqtë e saj. Kjo duhet parë me sy kritik, por nuk duhet ekzagjeruar dhe parë shumë negativisht. Vitet e fundit BE ka treguar një forcë të madhe rezistence. Kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen.”
E rëndësishme është për parlamentin e ri që pas përballimit të krizës së borxheve dhe të migracionit të armatoset për krizat e reja në ekonomi, në raport me SHBA, Rusinë dhe Kinën. Edhe këtu kemi të bëjmë me marrje vendime për drejtimin që do të jepet, paralajmëron eksperti i Europës, Emmanouilidis: “Do të ketë kriza të reja. Sot nuk dihet nëse këto kriza do të trazojnë edhe problemet e vjetra apo do të ketë sfida të reja. Ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar sulmet.”
BE duhet të përqëndrohet pas zgjedhjeve kryesisht tek zhvillimi ekonomik dhe afrimi i niveleve të jetesës midis veriut të pasur dhe jugut të varfër, mendon studiuesi i BE, Karel Lannoo, nga „Qendra për studimin e politikës europiane”, në Bruksel. Vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhen problemet me populizmin e djathtë, tendenca e të cilës shihet të jetë më e fortë në vendet e varfëra. Karel Lanoo kërkon “më shumë integrim”. „Më e rëndësishmha është që të forcojmë tregun e brendshëm në Europë dhe të bëjmë më shumë tregëti jashtë Europës. Brenda për brenda Europës ne duhet të mendojmë më shumë për politikën energjetike, ekonomike digjitale dhe më shumë liri lëvizje për njerëzit. Jashtë Europës ne duhet të merremi më shumë me tregtinë e lirë, e cila është sulmuar shumë që kur Trump është president. Ka mundësi që të vendosen më shumë tarifa doganore.”
Të shijohet momenti i demokracisë
Çështje vendimtare, moment kthese, rrugë që ndahen. Imazhet që përdoren për fushatën elektorale për zgjedhjet që mbahen më 23 deri 26 maj, janë dramatike. Sigurisht, që zgjedhjet janë të rëndësishme, mendon zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, por nuk duhet tepruar. „Unë marr pjesë prej disa vitesh në politikën europiane. Mua nuk më kujtohet të ketë pasur zgjedhje ku nuk është thënë: „Europa ndodhet në moment kthese”. Në një moment të tillë ne ndodhemi gjithnjë, dhe është në rregull që është kështu,” thotë Margaritis Schinas në një intervistë për “euronews”. “Ne nuk duhet t’i drejtojmë në mënyrë shumë dramatike zgjedhjet europiane. Ky është moment i demokracisë europiane dhe ne duhet ta shijojmë në njëfarë mënyre.”/DW/
Ngrihet sipari për finalen e zgjedhjeve evropiane
Këtë të diel votojnë 21 shtete anëtare të BE-së – shtatë tashmë kanë votuar. Pritet që të shtohen ulëset e partive djathtiste. Kampi liberal është nën presion.
Në këtë ditë të katërt të zgjedhjeve evropiane, shkojnë te kutitë e votimeve shumica e zgjedhësve në BE. Qendrat e votimit sot janë të hapura në 21 shtete anëtare, duke përfshirë vendet më të mëdha të BE-së: Gjermani, Francë, Itali, Spanjë dhe Poloni. Këto pesë së bashku dërgojnë pothuajse gjysmën e të gjithë deputetëve në Parlamentin Evropian: 348 nga gjithsej 751.
Deri tani kanë dorëzuar votat e tyre Holanda, Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Malta, Sllovakia dhe Republika Çeke, pasi në to e diela nuk është dita tradicionale e zgjedhjeve. Gjithsej 420 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë. Sondazhet presin që pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e mëparshme, 43 për qind, të rritet paksa kësaj radhe.
Demokracia liberale lufton me nacionalistët
Blloqet e mëdha të partive politike i kanë kthyer këto zgjedhje të nënta për parlamentin e vetëm ndërkombëtar në botë në zgjedhje vendimtare. Kandidati kryesor i demokristianëve, politikani i CSU-së, Manfred Weber, dhe kreu i socialdemokratëve, Frans Timmermans, komisioneri i BE-së nga Holanda, në këtë fushatë zgjedhore ishin të tërë në një mendje. Ata janë të shqetësuar për kohezionin e BE-së, për mbrojtjen e demokracive “liberale” kundër modelit “joliberal” të përfaqësuar nga nacionalistët dhe populistët, siç është kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Presidenti francez Emmanuel Macron bën thirrje për një “Evropë që mbron” dhe kërkon reforma të gjera në fushat sociale dhe politiko-ekonomike. Udhëheqësi i populistëve të djathtë italianë, Matteo Salvini, në të kundërt, dëshiron ta zvogëlojë rrënjësisht bashkëpunimin në Evropë. Si populistët e krahut të djathtë në shumë shtete anëtare të BE-së, ai ndjek moton – “vendi im është i pari”. Partia e tij pritet të jetë forca më e fortë në Itali në këto zgjedhje.
Kolaps në Austri
Java e kaluar para zgjedhjeve ishte shumë dramatike. Në Austri, qeveria kombëtare-konservatore u prish, sepse populistët e krahut të djathtë të FPÖ, u kapën me një video duke thurur plane se si do t’ia shisnin tenderë një kinse mbesës së një oligarki rus. Nuk dihet nëse ky skandal do të ketë pasoja edhe në rezultatet elektorale në vende të tjera të BE-së. Davide Ferrari nga instituti hulumtues i Votewatch në Bruksel i tha DW-së se ai besoj se efekti do të mbetet brenda kufijve të Austrisë. “Votuesit e krahut të djathtë nuk janë aq të shqetësuar për etikën, ata duan të protestojnë.”
Sipas sondazheve të përpiluara nga 28 shtetet anëtare, populistët e krahut të djathtë dhe kundërshtarët e BE mund të marrin 20 deri 23 përqind të vendeve në parlamentin e ri. Natyrisht, kjo është mjaft, thotë eksperti i BE-së Janis Emmanouilidis nga “Qendra e Politikave Evropiane”, “por kjo nuk mjafton për të marrë pushtetin”. E djathta vështirë se do të ketë sukses në formimin e një grupi të vetëm parlamentar në parlamentin e ri.
Pa kokë në Britaninë e Madhe
Pikërisht deputetët e Britanisë së Madhe, që në fakt është duke u larguar nga BE-ja, do të luajnë rol të madh në ndryshimin e ngjyrave në ulëset parlamentit. Partia e re “Brexit Party” ndoshta do të jetë fituesi i zgjedhjeve, por edhe përkrahësit e BE-së pritet të kenë pësuar rritje.
Vetëm konservatorët pritet të dalin me humbje të madhe. Kryeministrja e pasuksesshme Theresa May u dorëzua. Një ditë pas zgjedhjeve, të premten ajo bëri të ditur dorëheqjen duke pranuar se ajo nuk mundi ta organizonte daljen e Britanisë nga BE për tre vjet. Megjithatë, rezultatet zyrtare nga Britania e Madhe – dhe të vendeve të tjera të BE-së do të bëhen zyrtare të dielën pas orës 22.
Mbështetje e përkohshme për socialistët
Socialdemokratët britanikë megjithatë do të dërgojnë rreth 20 deputetë në Strasburg. Kjo i vjen në për mbarë grupit socialist, i cili nuk do të tkurret aq shumë sa të ketë frikë nga sondazhet. Rezultati i mirë që thuhet se ka arritur kandidati kryesor socialdemokrat Timmermans, në Holandë, të enjten, është shpresëdhënës, edhe nëse ka vetëm dy vende shtesë. Megjithatë, deputetët e partisë britanike Labour mund të largohen sërish nga parlamenti në tetor – nëse Brexit do të zbatohet me të vërtetë. Grupi parlamentar i socialistëve kështu do të tkurrej sërish.
Ndikimi në Berlin
Performanca e kandidatit kryesor evropian Manfred Weber (CSU), i cili kryeson listën konservatore në Gjermani, do të ketë një ndikim në politikën e brendshme gjermane. Drejtoresha e “Akademisë për Formimin Politik” në Tutzing, Ursula Münch, i tha DW se ajo priste humbje si për CDU / CSU ashtu edhe për SPD – d.m.th, për të tri partitë që marrin pjesë në koalicionin federal. Ursula Münch konsideron një fund të parakohshëm të koalicionit ose një zëvendësim të kancelares Angela Merkel si rezultat i rezultatit të mundshëm të zgjedhjeve evropiane.