“Zoti mund të na e kishte kursyer këtë!”
Deri tani janë 26 të vdekur dhe po kërkohen nëpër rrënoja për njerëz të tjerë me shpresën se janë akoma gjallë.
Njerëz pa strehë, në panik dhe një qytet i tërë në Durrës që nuk guxon të futet në shtëpi. Edhe në Tiranë pjesa dërmuese po fle nëpër makina, aqsa po të shikosh natën rrugën për te TEG-u krijon idenë e saktë të kësaj tragjedie dhe paniku bashkë.
Gazeta britanike Express thotë se tragjedia goditi vendin më të varfër në Europë.
Kurse Radio-Televizioni i Zvicrës e evidenton akoma më shumë besimin e shqiptarëve se një mallkim po na ndjek.
“Zoti mund të na e kishte kursyer këtë,” titullohet shkrimi i SRF, bazuar mbi ato që deklarojnë shqiptarët pas tërmetit tragjik.
Shqipëria po kalon momente të vështira ekonomike dhe sociale pa ardhur kjo tragjedi. Buxheti i vitit që vjen është cilësuar një buxhet krize.
Tashmë shpresat e shqiptarëve, por edhe të vetë kryeministrit Edi Rama mbeten te të huajt. Vetë kryeministri deklaroi se do të kërkojë ndihmë nga NATO, shkruan gazeta e njohur britanike.