Zv/kryeministrja Balluku: Mbyllim 9 muaj para afatit fazën e dytë të punimeve në autostradën Tiranë-Durrës
Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, inspektoi kantierin e Autostradës Tiranë-Durrës, ku tashmë punimet kanë avancuar ndjeshëm. Balluku theksoi se ky është një nga kantieret që po ecën më mirë në të gjithë Shqipërinë. ”Ndodhemi në fazën e dytë të këtij kantieri. Faza e parë ka një ecuri të mirë të qëndrueshme, 65%. Ndërkohë që faza e dytë ka 80% ecuri”, u shpreh Balluku. Ajo shprehu bindjen se për festat e fundvitit do ta kemi dorëzuar.
”Pavarësisht se afati kontraktual është shtatori i vitit 2026, ne jemi afër 200 metrave të fundit, afër mbikalimit të Kasharit. Jemi duke krijuar trasenë aty për pjesën e re dhe shpresojmë ta dorëzojmë 9 muaj para afatit”, tha Balluku. Zv/kryeministrja theksoi se tashmë autostrada Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë, duke nisur nga “Casa Italia” dhe deri në mbikalimin e Kasharit kthehet në një autostradë të tipit A me një gjerësi 32.5 metra.
”Autostrada ka 3 korsi nga të dyja krahët plus një korsi emergjence, pra bëhet me katër korsi nga të dyja krahët. Ecuria e projektit është shumë e mirë. Faza e parë është 65 %, ndërkohë në fazën e dytë e kemi 85%. Kemi edhe dy nyjet lidhëse njërën me Laknasin dhe tjetra ura e re që do të ndërtohet për njërën nga hyrjet në Rinas”, u shpreh Balluku.
”Kemi nisur nga puna edhe për të bërë një ndryshim brenda tuneleve të Shqiponjës për sa i përket arredimit duke qenë se janë hyrje zyrtare të Tiranës. Ndërkohë që po punohet në të gjithë vendin dhe në të gjitha akset rrugore për sa i përket pastrimit nga ndërtimet pa leje në afërsi të akseve rrugore që nuk kanë respektuar distancën. Gjelbërimi do të jetë një element thelbësor për gjitha akset kombëtare”, siguroi Balluku.
KOHA JONË SONDAZH









