Zv/kryeministri Niko Peleshi :Kongresi ka mbaruar pa filluar


Elvi Fundo

Deputeti socialist Ben Blushi, dje në mbrëmje në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”, shpalli kandidaturën e tij në garë për kreun e PS-së.

Blushi njihet si një “rebel” dhe kritik ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij, ku jo pa peshë është edhe një nga njerëzit e futur në karrierën politike nga vetë Ben Blushi, ai është Niko Peleshi, zv/kryeministri i qeverisë “Rama”. Peleshi është personi që karrierën e tij politike e ka nisur me mbështetjen dhe suportin e vazhdueshëm të rivalit të Edi Ramës, Ben Blushit.

Niko Peleshi është emëruar Prefekt i Korçës, i propozuar nga Ben Blushi në vitin 2004. Zv/kryeministri aktual, me mbështetjen e rivalit të Ramës, atëhere mik i ngushtë i tij, për pak muaj mori drejtimin e Partisë Socialiste në Korçë, e cila iu dorëzua nga Ben Blushi dhe klani i tij i cili e kontrollonte prej disa kohësh. Në krye të PS-së ai qëndroi për disa vite derisa zgjodhi vetë pasardhësin e tij.

Ben Blushi ka qenë fillimisht prefekt dhe më pas deputet i Korçës, nga viti 2001 deri në vitin 2013. Mbështetja dhe suporti  politik i Niko Peleshit. Ky i fundit në vitin 2007 u kandidua nga Blushi, pas marrëveshjes së bërë kohë më parë, si kryebashkiak i mundshëm i Korçës. Detyrë të cilën e mbajti deri në shtator të vitit 2013 kur dha dorëheqjen për t’iu bashkuar qeverisë “Rama”.

Në garën e 2007 dhe 2011, Ben Blushi ka qenë drejtues i fushatës elektorale të Niko Peleshit, truri i dhe aksioni, jo vetëm politik në strukturat e PS, por edhe në terren. Mbështetja e “rebelit” socialist ndaj Peleshit nuk është ndalur asnjë cast që nga dita kur Blushi vendosi që ta reformonte PS-në e Korçës duke futur një grup të rinjsh, të cilët sot janë në poste kyçe dhe drejtojnë jo vetëm PS-në lokale dhe qytetin e Korçës, por mbajnë edhe poste të rëndësishme në qeveri. Ajo që duhet theksuar është fakti se edhe vetë Niko Peleshi, në zgjedhjet parlamentare të vitit  2005 – 2009 ka qenë një nga njerëzit më të fortë dhe më aktiv në krah të Ben Blushit. Në Korçë drejtonin dy emra, PS-në dhe bashkinë, Ben Blushi dhe Niko Peleshi. Një dyshe, e cila i dha fitore të vazhdueshme të majtës në qarkun e Korçës.

Blushi largohet nga Korça në vitin 2013 për të shkuar në qarkun e Elbasanit. Ndërkohë në shtator të vitit 2013, Niko Peleshi bëhet zv/kryeministër dhe kishte mësuar të ecte vetë, i mësuar nga Beni që tani është kandidat për kreun e PS-së si rival i Edi Ramës.

Ben Blushi ka kundërshtar në garë Edi Ramën, që dje e ka pasur mik, por përplasjet e tyre të filluara muaj e muaj më parë, duket se nuk janë thjeshtë një zënkë e momentit, por janë të forta dhe parimore, sa sot mbështetësi kryesor dje i Ramës për kreun e PS-së është rivali më fortë i tij.

“Ironia e fatit” na tregon se “nxënësi” i Ben Blushit, aktualisht zv/kryeministër Niko Peleshi, është numri dy i qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, krahu i tij i djathtë, një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, që menaxhon dhe drejton një pjesë të madhe të qeverisjes së vendit. Janë dhjetra mbledhje qeverie të drejtuara nga Niko Peleshi. Vendime me vulën dhe firmën e tij, sot ish-kryebashkiaku i Korçës dhe miku i ngushtë i mbështetur fort në karrierën e tij politike nga Ben Blushi, është krahu i djathtë i Edi Ramës, një nga njerëzit e tij më të besuar.

Edhe Peleshi si të gjithë socialistët e tjerë do të zgjedhë një nga kandidatët. Vota e tij është ajo më e veçanta për tu ditur dhe lexuar, pikërisht sepse karrierën politike e ka si meritë e Blushit.

Ngjitjen e shkallëve dhe shpërblimin ja ka dhënë Edi Rama, jo se vetë nuk ka merita në karrierën e tij politike, por në rastin konkret duhet të zgjedhë midis mirënjohjes ndaj Ben Blushit për hapat politike apo të vlerësojë ofiqin e dhënë nga Rama në 2013.

As Rama, as Blushi nuk do ta besojnë kurrë se për kë do votojë Niko Peleshi, edhe sikur ai ta deklarojë votën. Që ta besojë njëra palë, Niko Peleshi duhet të votojë hapur, vetëm atëherë do të kuptonim se kë vlerësoi politikisht dhe kë jo./citynews

SHKARKO APP