“11 minuta” e Coelho-s bie pre e censurës politike në Turqi. Reagojnë lexuesit, përgjigjet botuesi dhe përkthyesja
Nga: Albert Vataj
Shkrimtari i madh brazilian Paulo Coelho ka rënë pre e censurës turke. Romani i tij i vitit 2003 “Njëmbëdhjetë minuta” është pikasur nga lexuesit se është tjetërsuar një frazë nga origjinali, për shkak të një shtyse politike që ka lidhje me kurdët. Coelho është autori më i suksesshëm brazilian dhe njëherash më i famshëm për romanin e tij alegorik të vitit 1988 “Alkimisti”. Ai ka shitur më shumë se 350 milion libra në mbarë botën. Por kjo famë nuk ka ndaluar editorët turq të vënë dorë mbi “Njëmbëdhjetë minuta”, këtë romani, i cili konsiderohet të jetë po kaq i famshëm sa dhe “Alkimisti” që e bëri Coelhon të njohur botërisht.
Në përkthimin në gjuhën angleze të origjinalit portugalisht, Coelho mes të tjerash shkruan: “Ajo hyri në një kafe në internet dhe zbuloi se kurdët erdhën nga Kurdistani, një vend jo ekzistues, i ndarë tani midis Turqisë dhe Irakut.” Përkthimi turk ndryshon pjesën e dytë të fjalisë si vijon “është shkruar në internet se kurdët jetonin në Lindjen e Mesme”. Mund Öz, pronar i shtëpisë botuese Can, i’u përgjigj kritikës në Twitter shkruan “The Guardian”, duke thënë se lexuesit kishin të drejtë të ishin të zemëruar. “Ne do të korrigjojmë atë në edicionin e ardhshëm,” është shprehur ai. “Nuk e di kush është përgjegjës për ndryshimet midis versioneve origjinale dhe atyre të përkthyera. Edicioni ynë është shumë i vjetër. Megjithatë, nuk ka të drejtë që botuesi të ndryshojë tekstin ashtu siç dëshirojnë”,-vijoi ai.
Saadet Özen, përkthyesi, tha se nuk kishte idenë se si kishte ndodhur ndryshimi. Ajo tha se ishte e sigurtë se nuk ishte vendimi i saj, duke ndarë shembuj nga përkthimet e saj të tjera që kanë përfshirë referenca ndaj Kurdistanit. “Unë kam qenë duke u përpjekur për të kujtuar, nëse unë mendova ndryshe, atëherë, por jo. Unë jam ende i njëjti person. Parimet, janë ato që na shpëtojnë në kohë të pavendosmërisë. Përkthimi gjithmonë ecën krah për krah me interpretimin por censura është jashtë diskutimit. Unë kurrë nuk kam qenë i njëanshëm me censurën”,-shkroi ajo në Twitter .
Öz gjithashtu mbrojti Özen. “Kjo ndërhyrje është bërë në fazën editoriale, pa dyshim,” tha ai. Ka patur tension të gjatë midis qeverisë turke dhe popullatës kurde, pakicës më të madhe etnike të vendit. Në 1924, shkrimi ose përdorimi i fjalëve kurd, kurd dhe kurdistan u nxjerrë jashtë ligjit në Turqi, më pas ky ligj u përmbys. Sidoqoftë, partia AKP e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ka bërë shumë goditje kundër partive politike dhe mediave kurde, gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2017, AKP miratoi një rezolutë që ndalonte përmendjen e Kurdistanit në parlament.
Po çfarë është ky roman dhe si zhvillohen ngjarjet në të? “Njëmbëdhjetë minuta”, romani i Brazilit Paulo Coelho i vitit 2003 tregon përvojat e një prostitute të re braziliane dhe udhëtimin e saj drejt vetë-realizimit përmes përvojës seksuale. Maria, kjo vajzë e re nga një fshat i largët i Brazilit, takimet e para me të dashurin e lënë zemërthyer. Kaq mjafton që ajo të shkojë për të kërkuar të ardhmen e saj në Zvicër. Ajo punon për një periudhë kohe në një klub nate, por shpejt ndihet e pakënaqur, dhe pas një bisede të tensionuar me menaxherin e saj ajo lë punën. Përpiqet të bëhet modele, por nuk është e suksesshëm. Për shkak të rrethanave të vështira ekonomike, ajo pranon 1000 franga nga një arab, për të kaluar natën me të. Kjo natë është vendimtare për të jetën e saj. Përfundimisht vendos të bëhet një prostitutë dhe përfundon në një shtëpi publike në Rue de Berne, zemra e Gjenevës.
Atje ajo miqësohet me Nyahun, që i jep këshilla për “profesionin e saj”. Pasi mëson truket e tregtisë nga Milani, pronari i bordellos, ajo hyn në punë me trupin dhe mendjen e saj, duke mbyllur të gjitha dyert për dashuri, dhe duke mbajtur hapur zemrën vetëm për ditarin e saj. Shpejt ajo bëhet mjaft e suksesshme dhe e famshme dhe kolegët e saj fillojnë ta kenë zili. Kalojnë muajt dhe Maria bëhet e famshme. Tashmë ajo është një prostitutë e pastër profesionalisht, që jo vetëm i relakson mendjet e klientëve të saj, por edhe i qetëson shpirtrat e tyre, duke u folur atyre rreth problemeve të tyre.
Bota e saj kthehet me kokë poshtë, kur takon Ralf, një piktor i ri zviceran, i cili sheh “dritën e brendshme” të saj. Maria bie menjëherë në dashuri me të dhe fillon të përjetojë atë që “dashuria e vërtetë” është (sipas autorit, është një ndjenjë e të qenit në marrëdhënie me dikë, e tillë pa e zotëruar atë). Maria është ndarë tani midis fantazive të saj seksuale dhe dashurisë së vërtetë për Ralf. Përfundimisht ajo vendos që është koha e duhur që ajo të largohet nga Gjeneva me kujtesën e saj për Ralf, sepse ajo e kupton se ato janë botëra të ndara. Por, para se të largohet, ajo vendos të rindez zjarrin e vdekur seksual në Ralfin dhe mëson prej tij për natyrën e seksit të shenjtë, seksit, i cili është i përzier me dashurinë e vërtetë dhe që përfshin heqjen dorë nga shpirti i dikujt për të dashurin.
Ky libër eksploron natyrën e shenjtë të seksit. “Njëmbëdhjetë minuta” përshkruan kohëzgjatjen e seksit. Gjithashtu, përshkruan dy lloje prostitucioni: prostitucioni për para dhe prostitucion e shenjtë. Ka gjithashtu referime të drejtpërdrejta për sadomazokizmin. Ky libër mund të quhet kryevepër dhe është po aq i suksesshëm sa “Alkimisti”. Ka një skenë në librin, në të cilën nëna e Marias ndihej e turpëruar kur Maria i kërkoi nënës së saj për martesën, dhe fëmijën. Pastaj ajo ndihet e turpëruar, ndërsa rrëfehet, duke kujtuar të kaluarën e saj ku ajo mbeti shtatzënë para martesës. “Njëmbëdhjetë minuta” ka ardhur në shqip nga botimet e “Toena” më 2004.