148 autorë dibranë në Panairin e Librit në Peshkopi
Prezantohen librat e poetit, romancierit dhe kantautorit Naim Berisha
Nga Halil Rama
Për tre ditë me radhë, 148 autorë të njohur dibranë, mes të cilëve Agron Tufa, Shaban Sinani, Xhafer Martini e Naim Berisha, u prezantuan me botimet e tyre në Panairin e Librit, në mjediset e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit, Pallati i Kulturës, Peshkopi.
E pranishme në këtë panair, në takimin me kryebashkiaun e Dibrës, z.Muharrem Rama, si dhe një një veprimtari promovuese, Ambasadorja e Republikës se Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Znj. Lea Stančič, u shpreh ndër të tjera për domosdoshmërinë e intensifikimit të punës me librin, sidomos nga institucionet arsimore e kulturore. Ndërsa vizitoi Panairin e Librit në Peshkopi, Ambasadorja e Republikës se Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Znj. Lea Stančič, vlerësoi librat e dhuruara nga poeti e prozatori Naim Berisa, si dhe librin tim të 12-të “Lutfi Ndreu – mësues dhe artist” (që i dhurova unë), si dhuratat më të çmuara që ajo ka marrë. Pasi vlerësoi mikpritjen e qytetarëve dibranë, Ambasadorja Lea Stančič, konfirmoi mbështetjen e Republikës se Sllovenisë për çeljen e negociatave për anëtararësimin e Shqipërisë në BE.
Si redaktor i disa prej botimeve të Shtëpisë botuese “M&B”, unë prezantova botimet e fundit të poetit, romancierit dhe kanautorit dibran, me banim në Londër, Naim Berisha. Që në fillim evidentova faktin që ndër 148 autorët dibranë të prezantuar në Panairin e Librit në Peshkopi, që qëndroi i hapur nga data 4 tetor deri më datë 6 tetor, në mjediset e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit, Pallati i Kulturës Peshkopi, Naim Berisha është ndër më produktivët dhe cilësorët. Kjo për faktin se në harkun kohor të dy dekadave të fundit, Naim Berisha ka hyrë me dinjitet në historinë e letrave shqipe si poet dhe prozator. Dëshmia më e qartë për këtë është botimi i 30 vëllimeve me poezi për të rritur e për fëmije, i dy vëllimeve me haike e sonete dhe i gjashtë romaneve të vlerësuara nga lexuesi e nga kritika letrare. Vëllimet poetike dhe romatet e tij janë vlerësuar nga korifejtë e letrave shqipe Dritëro Agolli, Teodor Laço, Odhise Grillo, Fatos Arapi, Bedri Dedja etj. Kështu, nëse për Dritëro Agollin: “Naim Berisha shkruan pastër dhe pa estetizime e letrarizma të panevojshme, duke e përballuar me sukses maratonën e pamëshirshme në hapësirën e poezisë, këtë vrapim të madh që është krejtësisht i pakorruptueshëm, ndaj dhe si i tillë premton shumë për të ardhmen”, T.Laço është shprehur se: “Naim Berisha nuk vjen nga librat, por nga nëna. Ai mëson nga letërsia, por nuk imiton letërsi. Ashtu si në jetë edhe në krijimtari, ai është një zë i sinqertë, një talent gjenuin, veprat më të mira të të cilit, bëjnë pjesë në fondin më të mirë të letërsisë sonë.”.
Ndërsa Fatos Arapi e vlerëson poezinë e Naimit si të veçantë për faktin se ajo mbart historinë dhe filozofinë e Dibrës, vendlindjes së tij.
Në prozë, Naim Berisha di të gërshetojë linjat kryesore të subjektit me detajet konkrete. Lirshmëria narrative, bukuria e shkrimit dhe prania aktive e autorit në rrëfim e bën prozën e tij të gjatë, konfidente dhe të dashur për lexuesin.
Vlerësime pozitive shprehën për krijimtarinë e Naim Berishës edhe shkrimtarët dibranë Emrie Skuka-Mera, Haki Përnezha, Zamira Xheleshi, Tofik Kurti e Murat Koltraka. Ata vlerësuan veçanërisht romanin e fundit të N.Berishës “Të jetosh në paqe”, një roman i zhanrit historik, që trajton temën e qëndresës së popullit të arbërit në kohën e Skënderbeut. “Të jetosh në paqe” që i dedikohet familjes së lashtë, të vjetër dhe të re të Berishëve të Muhurrit dhe jo vetëm, është një kontribut i ri si në thesarin e historiografisë skënderbegiane, ashtu dhe për letërsinë që i korrespondon asaj periode legjendare e të papërsëritshme. Mesazhet filozofike përcillen edhe tek romanet “Bjeshkët e dashurisë”, “Zëri i Malit të Shën Mërisë” dhe “Shpresa” të Naim Berishës, përmes një gjuhe të gjallë e të pasur dhe një stili elegant, që kushtëzon në bukurinë e shprehjes koncize dhe lakonike.
Dhjetra autorë dibranë, sidhe intelektualë të qytetit të Peshkopisë vlerësuan gjithashtu librin “Ditënetët e një muaji të bekuar” të autorit Osman Xhili, i cili u promovua në një nga ditët e këtij panairi.
Në ditën e fundit të Panairit të librit në Peshkopi u promovua edhe vëllimi poetik “Të jesh grua”, i autores Sanie Degjoni Ndreka, botuar nga Shtëpia botuese M&B. Ky libër me poezi vjen pas disa botimeve të tjera të autores.
Sanie Degjoni Ndreka u lind në Brezhdan, Peshkopi. Pas diplomimit në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, ka punuar si mësuese në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. Ajo ka botuar librin me poezi “Ëndrra të vrara”. Poezitë e saj janë botuar edhe në librin “Antologji e poezisë dibrane”.
Administratori i Shtëpisë Botuese “M&B”, Bujar Karoshi u shpreh në mbyllje të panairit të librit se ideja për realizimin e tij ka lindur në kuadrin e një jave kulturore në Dibër, e cila shpresojmë të kthehet në një traditë, sidomos kur të marrë udhë Rruga e Arbrit. Një javë plot veprimtari në vjeshtë ishteë një prezantim shumë i mirë i Dibrës. Pasi evidentoi kontributin e librarisë “Fleta XXI” në Peshkopi, Botimet “Naimi”, si dhe mbështetjen e Bashkisë Dibër, z.Karoshi premtoi se nisma për të rikthyer autorët në vendlindje, përmes veprimtarive “Shkrimtari në vendlindje”, është një nismë që do të vazhdojë. Dibra ka shumë poetë, shkrimtarë e studiues të njohur, puna dhe sukseset e të cilëve janë një shembull i mirë për rininë atje. Gjithashtu, edhe nisma tjetër “Dhuro një libër” do të vazhdojë.