1909/ Deklaratat e Ismail Qemalit për Perandorisë Osmane
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Korrik 2019
“L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 25 tetorit 1909, në faqen n°3, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj me Ismail Qemalin, në lidhje me të ardhmen e Perandorisë Osmane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Nga korrespondenti ynë i veçantë :
Londër, 24 tetor.
Qëtësimi i Orientit (Lindjes) varet aktualisht nga dy faktorë :
1° Një zgjidhje paqësore e çështjeve të Kretës dhe, në lidhje me këtë, tetë ditë më parë, duke përdorur informacionin e marrë nga burimi më i mirë, ne theksuam rrezikun e mosveprimit të katër fuqive dhe ekspozuam kompromisin me të cilin, ne kemi arsye për të menduar kështu, do të pajtohej qeveria greke;
2° Nga përgjigjja e dhënë nga ngjarjet në lidhje me pyetjen e bërë dje nga De Raçonigi, bashkëpunëtori ynë Z. Dru : Çfarë do të ndodhë me regjimin xhonturk ? Kam patur fatin e mirë për të pyetur gjerësisht mbi këtë temë një nga burrat më energjik dhe të shkolluar që e ka vënë në pah Revolucionin turk : Ismail Qemal Beun.
Është një shqiptar shtatshkurtër dhe i fuqishëm. Sytë e tij shkëlqejnë, mjekëra e bardhë vë në pah buzëqeshjen e tij. Të pordorura sipas të gjitha nuancave të tyre etimologjike, fjalët franceze rrjedhin lehtë. Bashkëpunëtor i Mit’hat Pashës në 1876, me një eksperiencë prej shtatë vitesh në mërgim, duke vënë në pah cilësitë e mëdha të administratorit si guvernator i Galipolit, i pritur si mbret nga shqiptarët e Beratit, në vendlindjen e tij, pas grushtit të shtetit të 24 korrikut, Ismail Qemal Beu ka ndërmarrë që prej asaj kohe një betejë të guximshme.
Ai është përpjekur të luftojë kundër zakoneve dhe praktikave të imituara nga despotizmi, të përdorura lehtësisht nga revolucionarët e pasur të të gjitha kohërave dhe të gjitha vendeve.
Këshilltar i afërt i Vezirit të Madh Qamil Pasha, i cili e vlerësonte për njohuritë e burrave të shteteve evropiane, i ofroi atij disa herë pushtetin dhe gjatë dorëheqjes së këtij të fundit, në një parlament të terrorizuar, zëri i tij i pavarur u dëgjua. Udhëheqës i Bashkimit Liberal, ngjarjet e 13 prillit e çuan atë në presidencën e Dhomës. Me ardhjen në pushtet të Shefqet Pashës, për t’i shpëtuar litarit, atij iu desht të largohej jashtë vendit.
Por sot, duke besuar në ligjet e vendit të tij, duke dashur të njohë vetëm idetë dhe injoruar njerëzit, ai do të kthehet në Konstandinopojë dhe do të marrë pjesë në proçedurat parlamentare. Pra, ky është Ismail Qemali.
E pyeta :
“A mendoni se regjimi i ri i ka gjetur tashmë themelet e tij të vërteta, dhe se nuk duhet pritur ndonjë përplasje ?”
Ai u përgjigj : “Shpresoj që çdo përplasje e re do të shmanget në vendin tim dhe unë do të përkushtohem që ta parandaloi atë. Reforma e zakoneve politike të liderëve tanë të tanishëm është kushti i domosdoshëm për një epokë të re stabiliteti. Deri më tani, njerëzit kanë evoluar në Konstandinopojë, por praktikat e qeverisë mbeten të njëjta si në kryeqytet ashtu edhe në provinca. Asnjë reformë nuk është raportuar në administratë, qoftë për punët publike ose drejtësinë. Në pushtetin qendror, në ministritë, ndjekin gjithmonë metodat rigoroze të despotizmit, kështu që regjimin e ri me atë të vjetërin e ndan vetëm një linjë : pakënaqësia e popullit është shumë më e madhe sot, ministrat ekzistojnë vetëm në aparencë : personaliteti i tyre zhduket para Komitetit i cili, që nga dita që thirri ushtrinë në ndihmë kundër Qamil Pashës, i dha vetes rolin e drejtuesit.”
Sipas analizës së fundit, sovraniteti qëndron tani në qarqet e oficerëve të rinj të ushtrisë.
— Cili është mendimi juaj mbi qeverinë dhe personelin legjislativ aktualisht në vend ?
— Burra të shkëlqyer; ata mund të jenë të dalluar, por në fakt nuk janë veçse figurantë (kukulla). Mungesa e karakterit më duket të jetë veçori dalluese e numrit më të madh të tyre. Ju nevojitet një shembull ? Dy ditë para trazirave revolucionare, më 13 prill, Hilmi Pasha, Veziri i Madh, më thirri tek ai duke mu lutur që t’i sillja me vete njerëzit më me ndikim nga miqtë e mi politikë. I përgjigjem ftesës së tij.
— Rreziku është i madh – tha ai – le të pajtohemi për një program, dhe ju do të merrni drejtimin e Ministrisë së Brendshme, të cilën unë e kam lënë për një kohë të gjatë pa drejtues dhe ky post është për ju.
— Ndihma ime nuk ka nevojë të shpërblehet – i thashë; Nesër do të përcaktojmë vijën e politikës sonë.
Të nesërmen ndodhën trazirat. Dhe ja ! Hilmiu nuk pati frikë të më caktojë, që komiteti të hakmerrej, se përballë rrezikut, unë i kisha refuzuar atij ndihmën time.
Disa ditë më vonë, pasi Tufik Pasha mori postin e Vezirit të Madh – e rrespektoj shumë besnikërinë dhe guximin e tij – unë u thirra në pallat, meqë sulltani dëshironte të sigurohej ndaj mendimeve të mia.
Ai bëri disa komplimenta ndaj meje dhe bashkatdhetarëve të mi shqiptarë.
I kthyer në Dhomën e parlamentit, ua komunikoj kolegëve të mi të Shqipërisë, fytyra e tyre ndriçohet nga fjalët e mia. Por ne biseduam në gjuhën tonë amtare. Disa shikime të dyshimta u hodhën mbi ne. “Ju duhet të na tregoni se çfarë ju gëzon”, na thanë. Megjithatë, vura re, se një deputet, i ulur për të dëgjuar më mirë në tryezën time, kishte shënuar disa fjali. Ai papritmas flet :
“E pyeta Ismail Qemalin nëse ai kishte qenë në pallat; ai më tha jo. Unë kam provën se ai shkoi atje. Intriga fatale po zhvillohen kundër nesh.”
Po këta politikanë të njëjtë, të cilët më kanë denoncuar si një mik i Abdul-Hamidit, më kanë raportuar disa muaj më parë në pallat si mik të Reshadit, sulltanit aktual, duke marrë në konsideratë disa raporte policore. Sipas këtyre tipareve, gjykoni atëherë Burrat.
— Por patriotizmi i komitetit është i patundur ?
— Ai u ofrohet të huajve, veçanërisht Gjermanisë dhe Austrisë, ashtu si Regjimi i Vjetër ofrohej gjatë grindjeve tona me Austrinë. Një rast u paraqit për ne që të heqim një pengesë kundër ambicieve të kësaj fuqie. Në të njëjtën kohë kur ne njohëm aneksimin e Bosnjes dhe Herzegovinës, na duhej të kërkonim nga qeveria e Vienës – dhe pastaj nga qeveritë e tjera evropiane – një garanci ushtarake për integritetin tonë territorial. I konsultuar, baroni Marschall, ambasador i Gjermanisë, na pati inkurajuar në këtë drejtim. Por ja që Rifat Pasha nënshkroi konventat austro-turke pa formuluar ndonjë kërkesë. Dhoma mbajti seancën deri në orët e vona të natës për të ratifikuar projektligjin.
“Ose do të japim dorëheqjen – tha ministri – ose do të dalim nga këtu me traktatin e ratifikuar.”
Bërtita : “Është si nën regjimin e vjetër; refraktarët futen në kurth nëpërmjet urisë dhe gjumit.” Nuk më dëgjuan, dhe kur Rifat Pasha, i cili kishte firmosur, erdhi për të kërkuar garancitë austro-hungareze, ata iu refuzuan. Pse kjo tërheqje ? …
Sot, Gjermania dhe Austria kanë vënë dorën mbi këta oficerë të rinj, ndër të cilët ne duhet të kërkojmë, siç ju thashë më parë, nervin e regjimit tonë; duke i imponuar nga aparati ushtarak, ato mund të rrezikojnë ndërhyrjet më të këqija dhe, përsëri, është e nevojshme të bërtasësh. Interesi kombëtar kërkon që ne të reagojmë kundër ndikimit të tyre; pas ndërtimit të hekurudhës së Bagdadit, ta shfrytëzojmë vetë atë, duke paguar kështu thjesht kapitalet e huaja. Duhet të ndërtohet hekurudha e Bagdadit, mirëqenia e Perandorisë varet nga ajo, por është e nevojshme që kjo hekurudhë të jetë turke, është çështje që prek pavarësinë tonë.
— Cili është përfundimi juaj ? …
— Ne kemi nevojë për një qeveri të përgjegjshme dhe reformuese, duke hedhur poshtë traditat politike dhe administrative të regjimit të vjetër, duke hequr dorë nga kundërshtimi i kombësive që karakterizuan regjimin e mëparshëm.
Më qortojnë se jam shqiptar mbi të gjitha, se dua të marr drejtimin nuk e di se të cilës mbretëri malsore; Më kanë akuzuar për nxitjen e revoltës shqiptare, për mbrojtjen e kapitullimeve, se jam federalist.
Por u them udhëheqësve: “Reformoni qeverinë, që të ketë drejtësi, financa, polici; shqiptarët menjëherë do t’i dorëzojnë armët që për momentin i mbajnë për këto arsye. Dhe, meqenëse garancitë nuk janë më të nevojshme për të huajt, kapitullimet do të bien vetë. Mbroni, inkurajoni kombësitë, tek ato Perandoria do të gjejë rrënjët më të forta. Këto janë idetë që unë do të mbroj në Kostandinopojë. Unë nuk po kthehem si një lider partiak me dëshirën për t’u hakmarrë, por si një bashkëpunëtor i etur për të ndihmuar të gjitha elementet e mira që lëvizja revolucionare ka bërë të triumfojnë. Të realizojmë reformat, që në këtë mënyrë të pakësojmë pakënaqësitë popullore që sot janë më shumë se kurrë; Të bashkojmë kombësitë, dhe në këtë mënyrë të konsolidojmë Perandorinë; të çlirojmë Turqinë nga kompanitë e huaja, shumë më të rrezikshme për të ardhmen e saj sesa pretendimet e banorëve të Kretës, ky është programi im.”
Këto ishin fjalët e Ismail Qemal Beut.
Dua të shtoi se këto fjalë konfirmohen edhe në një libër interesant, i botuar 8 ditë më parë mbi “Turqinë në tranzicion”, autori i të cilit është një anglez nga Selaniku, i shquar për përvojën dhe njohjen e tij ndaj njerëzve dhe çështjeve të Orientit (Lindjes).