25 000 persona blejnë rrënojat e një kështjelle

Shpëtimi i një rrënoje të stilit romantik, në perëndim të Francës nëpërmjet blerjes në grup, tejkaloi të gjitha pritshmëritë, me rreth 25 000 persona nga 115 vende të ndryshme janë bërë bashkëpronarë të një kështjelle, duke grumbulluar 1,6 milionë euro.

“Ky është një rekrod në Francë dhe padyshim në Evropë përsa i përket grumbullimit të fondeve dhe kontribuimit”, theksoi dje Romain Delaume, drejtor i përgjithshëm i agjencisë së financimit në grup “Dartagnans.fr”, që filloi në tetor operacionin e blerjes në grup të kështjellës, “La Mothe-Chandeniers”, në bashkëpunim me shoqatën “Adopto një kështjellë”, një rrjet ndihme dhe këshillimi për kështjellat në rrezik. Shumica e personave janë nga Franca dhe SHBA-ja, por gjithashtu nga Afganistani, Burkina Faso, Peruja, ku disa kanë blerë brenda dy muajsh e gjysmë për 50 euro pjesën e tyre të kështjellës, ose ia kanë dhuruar ndonjë të afërmi për Krishtlindje.

Shoqëria do të funksionojë me këshill administrimi, asamble të përgjithshme vjetore, komitet ekzekutiv dhe një faqe të dedikuar që do t’i mundësojë çdo bashkëpronari të ndjekë përparimin e punimeve, evenimentet, si dhe të bëjë propozime. E shkatërruar gjatë Revolucionit, kështjella u ble në vitin 1809 dhe rinovua duke konservuar një pjesë të godinës mesjetare, më pas pësoi një ndryshim masiv në fund të shekullit XIX me një stil romantik. Kështjella u shkatërrua nga një zjarr në vitin 1932, më pas u rible në vitin 1982 nga një i apasionuar lokal ndaj trashëgimisë, që sot është 82 vjeç dhe vendosi ta shesë në tetor për 500 000 euro.

Rezidencë artistësh, vend i manifestimeve kulturore, spektakleve, pjesërisht dhoma hoteli, asnjë hipotezë nuk përjashtohet mes sugjerimeve të donatorëve. “Ideja është që kështjella të shndërrohet në një larborator bashkëpunues dhe krijues, një vend që jeton”, thekson “Dartagnans.fr”. Por nuk bëhet fjalë për ta restauruar krejtësisht, pasi kostot do të arrinin të paktën tre milionë euro, sipas Delaume. Javën në vijim do t’i dedikohen një studimi të strukturës së kështjellës, të impaktit që ka bimësia që prej një shekulli, më pas vendosja në siguri dhe sa më shpejtë të jetë e mundur, në vitin 2018 një vizitë e rezervuar vetëm për aksionerët, ndërkohë që do të përcaktohen punimet në vijim.

SHKARKO APP