31 vite nga ezani i lirisë së besimit
31 vite më parë nga Xhamia e Plumbit në Shkodër, myslimanët dëgjuan ezanin e lirisë së rikthimit të besimit në Zot, 14 vite pasi Shqipëria komuniste ishte shpallur vendi i vetëm ateist në botë.
Në 16 nëntorin e 1990 u mbajt në mjediset e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, falja e parë që shënoi rikthimin e lirisë së besimit. Mehdi Myftia, ishte një prej atyre qindrave myslimanëve e të krishterëve që u bënë bashkë përballë instrumenteve të regjimit që kërcënonte edhe pse ishte në grahmat e fundit.
“Tri fetë, një kënaqësi e madhe. Jemi kënaqur kur na ka ardhur dhe feja tjetër”,- tha Mehdi Myftia, nismëtar i rihapjes së Xhamisë. Hafiz Sabri Koçi, nga çatia e Xhamisë, ashtu si dom Simon Jubani që drejtoi meshën e parë katolike, kishte dalë nga terri i burgjeve komuniste.