“Njeriu me maksë” , si  skaner i një realiteti tronditës

Romani i ri i Agim Demirit, me një subjekt që mbush një zbrazëtirë të dukshme në analet e letërisë shqipe

Pas suksesit me disa studime për kuptimin e shprehjeve e fjalëve të rralla frazeologjike, për disa dukuri fonetike të të folmës së Bulqizës, për probleme të “analfabetizmit funksional”, sidhe me prozën e shkurtër, duke publikuar disa tregime që janë mirëpritur nga lexuesi e kritika letrare, shkrimtari Agim Demiri botoi më së fundmi romanine  tij të parë“Njeriu pa maskë”.

Për vetë tematikën nga një kohë jo shumë e largët, kur kuadrot mediokër e militant partiakë të tejskajshëm, të vënë padrejtësisht në drejtimin e punëve, përshpejtuan fundin fatal të sistemit komunist, ky roman mbush një zbrazëtirë të dukshme në analet e letërisë shqipe.

Portretizimi brilant i dy personazheve kryesorë: sekretarit të Byrosë të fshatit malor të Cakulit dhe përgjegjësës së kulturës të këtij fshati, e bën më tërheqës veprën letrare, kompozicioni i së cilës i ngjan një ansambli ku interpretojnë mjeshtërisht artistë popullorë të disa gjinive e zhanreve.

Ngjarjet zhvillohen në mënyrë të atillë saqë të tërheqin për ta lexuar romanin me një frymë. Veprimi i personazheve mjaftë energjikisht në kahje të kundërta: nga njëra anë Zeneli – tornitori që kur u thirr për t’u bërë kandidat partie nuk dinte as kuptimin e fjalës “komunist”, por që më pas Partia e ngjiti në majë, dhe nga ana tjetër Ramia, përgjegjësja e kulturës që po materializonte dijet e marra në shkollë në këtë zonë të thellë malore, sjellin në vëmendjen e lexuesit kohën kur sundonte skamja e varfëria, por edhe mediokriteti e meskiniteti i drejtuesve partiakë.

I ndërtuar në dy pjesë, përkatësisht me 13 dhe 17 krerë, romani rrëfen ngjarje dhe episode vërtetë tronditëse të atij realiteti të hidhur. Vajza e re nga qyteti shkon për të përçuar kulturën e jetesës, por dhe atë të artit në një fshat ku pothuajse jetohej si në mesjetë dhe numri një i partisë, në vend që ta mbështesë e inkurajojë, përpiqet me të gjitha mënyrat e mjetet që ta nënshtrojë e poshtërojë atë dhe pasi nuk ia arrin kësisoj, i ngre akuza nga mëabsurdet.

Me një gjuhë të pasur artistike autori shtjellon këtë antagonizëm, ku padyshim triumfon meiokriteti që sundon deri në rangjet më të larta të partisë e pushtetit monist….Mjafton për këtë qoftë dhe rrëfimi i skenarit të sekretar Ramizit, i cili ndonëse nuk ka haber nga problemet e arsimit, pasi vetë kishte mbaruar një të mesme natën, vë nën tutelë funksionarë të seksionit të arsimit të rrethit dhe “uzurpon” deri dhe analizat në këshillin pedagogjik.

Struktura dhe kompozicioni i romanit ku spikasin personazhe të ndryshëm nga struktura e një ish kooperative malore, sjellin një zhvillim real të personazheve dhe frymëmarrja e tyre shfaqet si një rrëfim duke ndriçuar historinë e secilit, pa rënë në një historizëm letrar. Kjo duket tek veprimi i personazheve të tillë si Deliu-kryetari i këshillit të Bashkuar, drejtori i shkollës, Hamdiu, njëherësh dhe kryetar i këshillit Artistik, Sekretari i rinisë, Llani, shoferi i kooperativës që “theu” urdhërin e kryeagronomit për të mos marrë pjesë si këngëtar në grupin artistik të fshatit, etj. Ndërkohë risi e këtij romani janë pjesët “Kreu pa numër”, ku autori, me gjuhë të pasur letrare jep konkluzione pas rrëfimit të veprimit të një personazhi apo të një ngjarjeje.

Në tërësinë e tij, ky roman ka disa fakte “pikante” të asaj periudhe të çmendur. Sekretari i Byrosë që para se të bëhej kandidat partie kërkon nga e bija, Sofia, t’ia bëjë të qartë kuptimine fjalës “komunist” dhe ajo e zënë ngushtë , s’di ç’ti thotë, veçse i reciton “…me 200 petrita, komunista lule…”, vite më vonë vë nën akuzë përgjegjësen e kulturës, pse ajo paska lejuar që në një festival folkorik të këndoheshin vargjet e këngës popullore me një tekst të tillë: “Tum tum lodra/s’ka mish vorba/ ku ta gjejmë mishin/ veç të therim këlyshin….!!!!”…Këto vargje, ia shndrruan në akuzë ata të Degës së Punëve të Brendëshme me pretekstin se aludohej për bagëtinë e fshatarit që ia kishte marrë tufëzimi…

Qoftë edhe episode të tilla të çojnë në konkluzionin e dy linjave kryesore mbi të cilat është ndërtuar romani “Njeriu me maskë”. Janë këto dy linja, njëra horizontale e tjetra vertikale që shkojnë e vijnë brenda një strukture të ndërlikuar me linjëza të tjera. Në veprimtarinë e Ramies zë e formësohet fati i ngrirë i një vajze të re të shkolluar, që do të përhapë të renë, progresisten, duke reaguar ashpër kundër realitetit tronditës kur sheh se “Gratë ishin ngarkuar me barrë në shpinë si mushka”. Në linjën tjetër rrjedhin intrigat e fuqishme të thurura nga kreu i partisë nëish kooperativën malore të Cakulit. Këto intriga konsistojnë nëzhbirimin deri te enigma e shkuarjes padashur të përgjegjëses së kulturës tek shtëpia e “armikut të klasës”, e detyruar qoftë dhe për t’u larë, sepse që kur kishte ardhur në këtë fshat e kishin sistemuar në një dhomë të shkollës pa asnjë kusht…Po kësaj linje i përkasin dhe  mbushja e dosjes së Ramies me cikërrima të tilla, si, reagimi i saj për të mos lejuar shfaqje të filmave në natyrë nga kinooperatori, si në rastine  filmit “Ne dhe Lenini” që ai s’i dinte as titullin dhe ku dëgjohej vetëm “tovarish Lenin sllushajet !!!”. Si mund të lejohej që një film krejt i paqartë, në gjuhë të huaj, me përkthim që nuk dukej se si ishte shkruar, të shfaqej kështu me disa fëmijë dhe të regjistrohej: “ u shfaq për popullin!”… Por edhe ky reagim i Ramies u keqinterpretua nga sekretari byrosë…

Në romanin “Njeriu me maskë”, zëri i rrëfimtarit ndërkëmbehet me atë të personazhit. Ligjërimet e brendshme të personazhit, mendimet  apo përjetimet e tij që ndërtojnë diskursin e personazhit, depërtojnë në ligjërimin e rrëfimtarit të jashtëm. Kjo duket qartazi tek rrëfimi i Ramizit, babai i Dritanit, recituesit më të mirë të shkollës. Ai ishte shpallur i deklasuar, pasi babai i tij që kishte patur shumë ndikim në fshat, kur kishin kaluar nëpër atë zonë forcat gjermane që vinin nga Struga u kishte nxjerrë flamurin e bardhë, që tregonte se jemi për paqe….”. Atë e fajngjitën për tradhti ndaj atdheut dhe e pushkatojnë……”. Më pas kalvari i familjes për këtë shkak!!!…Por Ramizi ishte njeri i punës, me shtëpi moderne të kohës dhe me pasuri të vënë me mund e djersë, siç kishte edhe qindra koshere bletësh…. Ramia nuk e dinte këtë “sekret”, por e pësoi pse shkoi tek kjo familje e deklasuar?! Dikur ajo, në shkollën e mesme të Kulturës në Tiranë kishte interpretuar “Cucën” tek drama “Cuca e Maleve”, ndërsa tani do të survejohej nga agjentët e Degës së Punëve tëBrendëshme, pse paska recituar gjatë një shfaqjejenjë fragment që sikur thoshte partizani komunist: “ky xhelat me plumba më mbërtheu..ky xhelat ma griu shpirtin tim…”. Por nënteksti për sekretarin e Byrosë  ishte i qartë, xhelati për të ishte  vetë ai, Zeneli…. Ky xhelat…,-thoshte ajo, dhe njerëzit mbanin frymën….

Rastet e një përzierje të tillë të ligjërimit  të rrëfimtarit me anë të personazhit nuk janë rastësore.  Ato shtrihen përgjatë gjithë veprës dhe i shërbejnë qëllimit final të ekzistencëssë këtij romani. Ndërthurja e ligjërimeve në këtë roman është e dukshme dhe mjaft efikase në funksion të mesazhit që përcjell vepra: Kur Ramia kishte gati programin artistik për festat e nëntorit për ta shfaqur para popullit dhe përurimin me këtë rast të shtëpisë së kulturës,  sekretari i Byrosë që s’kishte haber nga punët e kulturës vë veton: përurimi nuk bëhet si e keni menduar ju! Do vemë rreth e rreth tavolina, stolat janë dhe do organizojmë një drekë këtu me pije etj…Do marrim një berr nga të kooperativës dhe do ta kuzhinojmë në mensë dhe më pas pjata e pije……!!!”. Por Ramia, kurrësesi nuk mund të vepronte kësisoj; koncertin e mirëpërgatitur do ta jepte për popullin dhe jo për zyrtarët e kooperativës….Dhe kjo do t’i kushtonte në përbaltjen e personalitetit të saj, qpftë dhe duke nënvizuar përpjekjet për të sjellë televizorin dhe librat për biliotekën e shtëpisë së kulturës, që mund të përdoreshin në funksion të armikut të klasës.

 

Njoftimet që i shkonin Degës së Punëve të Brendëshme ishin të tilla sikur kjo vajzë që kishte ardhur si përgjegjëse kulture në Cakul po bashkëpunonte me armiq të partisë dhe po bënte punë armiqsore…

Si e tillë, kjo vepër merr përmasa të gjera dramatike në brendinë e vet, si një strukturë që ngrihet mbi vetë zhanrin e dramës artistike dhe mbi vetë dramën reale që zhvillohet para syve të njeriut gjatë regjimit totalitar. Për ta kontretizuar këtë, mjafton të perifrazojmë autorin në mbyllje të veprës: “Një gaz dege që erdhi natën kishte ndaluar si armike përgjegjësen e shtëpisë së kulturës, Ramie Lama..Po atë natë bastisën dhe shtëpinë e kulturës duke grabitur gjithshka, librat..stolat…Partia me syrin vigjilent kishte zbuluar një armike të rrezikshme….”!

Halil Rama

SHKARKO APP