Dhjetë vjet pa kolosin e etnomuzikografisë shqiptare, Ramadan Sokoli

In memoriam Nga Shaqir REXHVELAJ

 

Sa shpejt rrjedhin  vitet. Më kujtohet si sot. Në 7 Marsin e vitit 2008  profesorit tonë të nderuar i uruem festën e mësuesit me një tufë lule mimozash (sa shumë i donte ai lulet) dhe ashtu si në agoni buzëqeshi lehtë duke shqiptuar një ”faleminderit”, dhe ne, në zërin e mekur dhe në sytë gjysmë të mbyllur, ndjemë një keqardhje të madhe, sepse ndoshta ato ishin të fundmet lule të mimozave, që ai po u merrte erë.

… pas  katër ditësh, me aromën e luleve të mimozës në shpirt, ishte data  11 Mars 2008, kur  jeta e tij u shua, duke lënë të ndrisë përgjithmonë vetëm; emri dhe veprat e tij.

Prof. Ramadan Sokoli është figura më e ndritur e kulturës sonë kombëtare në fushën e muzikologjisë. Është krijuesi dhe themeluesi i kësaj shkence në konceptin profesional të fjalës, rrënjët e së cilës u hodhën që në fillim të viteve ’50-të të shekullit që lamë pas.

Profesor Ramadan Sokoli jo vetëm është një shkencëtar i spikatur, por edhe një patriot i madh. Siç është cilësuar shpesh nga personalitete të ndryshme, por edhe nga media dhe shtypi, Radon  mund ta quajmë pa droje edhe si ”rilindësi i fundit”.

Ndoshta kjo ka ardhur edhe sepse Ramadan Sokoli  rrjedh dhe është pasardhës i denjë i një familje të madhe në qytetin e lashtë të Shkodrës. Gjyshi i tij, Hodo Pashë Sokoli, ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, por  edhe i njohur nga historia jonë kombëtare si mbrojtës i trojeve shqiptare të Plavës, Gucisë e të Ulqinit.  I ati i tij Isuf Sokoli, edhe ky i internuar në Itali gjatë pushtimit të Italisë fashiste. Dy vëllezërit e tij Ibrahim Sokoli e Hodo Sokoli, që bashkë me Radon (kështu e thërrisnin kolegët dhe të afërmit Ramadan Sokolin), provuan persekutimin e egër komunist, duke vuajtur mbi 40 vjet burg. Të gjithë intelektualë të ndritur dhe atdhetarë.

 

FORMIMI MES TINGUJVE TË MUZIKËS DHE AHENGUT SHKODRAN          

 

Talentin e tij muzikor Ramadan Sokoli e shfaqi që në vogëli, ndërsa njohuritë dhe mësimet e para muzikore i mori në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, qytet që njihet për traditat e mëdha kulturore sidomos në fushën muzikore.

Që në fillim të shekullit të 19-të, në këtë qytet janë krijuar formacionet e para orkestrale, siç qenë orkestrat frymore që kanë hyrë në historinë e artit tonë muzikor edhe si fillesat e para të hedhjes së hapave të muzikës profesionale, bashkë me muzikën kishtare. Por ajo që  përbënte palcën e kulturës muzikore në Shkodër është tradita e pashoqe e këngës qytetare shkodrane, krejt e veçantë në llojin e vet që nga tipet më të thjeshta deri te ato më të ndërlikuarat siç janë jaret, duke u bërë kështu pjesë shumë e rëndësishme e fondit të artë të kulturës muzikore shqiptare. Në këtë  atmosferë dhe në këto realitete u rrit edhe Ramadan Sokoli, në mes të tingujve të mrekullueshëm të muzikës së ahengut shkodran dhe orkestrave frymore, prandaj edhe jo rastësisht luante në disa vegla muzikore në bandën e qytetit. Më për zemër, në rininë e tij pati violinën, por dhe instumentin e kitarës siç quhet rëndom shpesh ky instrument ”piano e të varfërve”. Kjo vegël muzikore nuk iu nda edhe gjatë kohës së studimeve në gjimnazin e Shkodrës me të cilën, siç tregonte profesori, kompozoi edhe krijimet e para muzikore.

Me këto njohuri muzikore dhe me disa krijime në fushën e këngës, në vitin 1940, Ramadan Sokoli konkuron dhe regjistrohet për të vazhduar studimet në Konservatorin ”Luigi Cherubini” në Firence, Itali, për kompozicion dhe flaut. Ishte traditë në këtë konservator, tregonte profesori, që të gjithë studentët që studionin për kompozicion duhet të mësonin edhe një vegël muzikore. Unë zgjodha flautin.

Mbas studimeve u kthye në Shqipëri me ëndrrën e një të riu për të vënë në shërbim të vendit dijet dhe kulturën e tij perëndimore. Por menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë u instalue regjimi komunist dhe fatkeqësisht idealet, pikëpamjet e tij, por edhe tradita familjare, kultura perëndimore pluraliste binin ndesh dhe nuk përputheshin me këtë regjim diktatorial, siç rezultoi famëkeq për liritë e të drejtat demokratike të shqiptarëve.

Meqenëse si njeri i lirë me pikëpamje demokratike idetë që kishte i shfaqte hapur në rrethet shoqërore, në Shkodër, sidomos gjatë lëvizjes antikomuniste të Postribës, në vitin 1946 arrestohet dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ramadan Sokoli ishte antifashist dhe antikomunist, kryesisht ishte nacionalist liberal. I dashuruar dhe i përkushtuar për kulturën kombëtare shqiptare, atdhetar.

Profesor Sokoli përsëriste herë pas here me shpoti, duke pohuar se dijet e tij për etnomuzikologjinë e kishin zanafillën në ”universitetin” e burgut, të cilat më vonë zunë vend në vepra të ndryshme sipas rastit.

 

GJITHNJË NË ROLIN E HULUMTUESIT…                           

Kudo ku ndodhej studiuesi ynë i apasionuar nuk qëndronte indiferent, por gjithnjë ishte në rolin e hulumtuesit.

Edhe në Liceun Artistik “Jordan Misja” interesohej dhe pyeste vazhdimisht nxënësit që vinin nga krahina të ndryshme për këngët për fëmijë, për këngët e djepit, ninullat dhe gjithçka ndodhej brenda objektit të tij të studimit. Informacionin e mbledhur e hidhte në fletoret e tij të shënimeve.

Prof. Ramadan Sokoli na ka lënë në fondin tonë të kulturës muzikore mjaft vepra instrumentale e orkestrale, por edhe për vegla të ndryshme. Më së shumti janë për flaut, degë që ai e themeloi në Liceun Artistik si: suita, pjesë të ndryshme muzikore deri të koncerte për flaut e piano në tre kohë, në vitin 1958. E gjithë kjo krijimtari përbën risi dhe kontribut kombëtar, sepse gjithë repertori i flautit deri atëherë ishte i huaj.  Por Prof. Sokoli ka shkruar edhe  për klarinetë, shumë duete e trio, muzikë dhome, gjithashtu edhe për vegla të tjera  frymore, sidomos për piano, dy cikle të përmbledhura në dy botime të veçanta me karakter koncertal dhe didaktik, sidomos për moshat e reja. Prof. Sokoli ka provuar të shkruajë muzikë edhe në gjini më të mëdha instrumentale si suita simfonike deri dhe një  poemë simfonik, por që nuk kanë gjetur dritën e ekzekutimit të tyre në publik, sepse ato nuk qenë me program ose me tematikë që sugjerohej nga regjimi diktatorial. Me interes janë krijimet në fushën e këngës dhe sidomos përpunimet në stilin popullor për kor, kryesisht për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe për korin e Liceut Artistik. Pra, ka shumë vepra të krijuara në gjini të ndryshme, që nuk gjetën ndonjëherë dritën e ekzekutimit në shfaqjet publike. E ky ishte një makth i madh për profesorin.

Krijimtaria muzikore në fushën e këngës të kompozitorit Ramadan Sokoli në peridhën e parë të krijimtarisë është interpretuar edhe nga artistët tanë lirikë duke filluar nga Marie Kraja , kënga Turtulleshë,Luçije Miloti, kënga Zanusha,  ndersa këngët : ”Jelino”, ”Burimi në Mal” dhe romanca ”Lisi” nga Zihni Berati , ”Rritu mollëzo” nga Meliha Doda. Po ashtu dhe romancat: ”Ulem, po s’dua të fle” dhe ”Fryjti erë e malit” kënduar nga tenori Gjoni Athanas (Artist i Merituar), ndersa Ramiz Kovaç Artist i Popullit, ka interpretuar romancën ”Shkojnë udhët” Ky repertor ësht rregjistruar edhe në fonotekën e Radio-Tiranës.

 

BOTIMET E PARA NË MUZIKOLOGJI TË

R.SOKOLIT ME KARAKTER NDËRKOMBËTAR

 

Botimet e para serioze në muzikologji me karakter ndërkombëtar për lexuesin e huaj janë:

“Les dances populaires et les instruments mousicaux du people albanais” – Tranë 1958. ( Vallet popullore dhe instrumentet muzikore të popullit shqipëtar)

Ky botim pati mjaft interes dhe u prit shumë mirë në qarqet muzikologjike ballkanike dhe ato europiane. Kjo vepër u pasqyrua në shumë revista studimore muzikologjike, por edhe në konferenca të ndryshme shkencore ndërkombëtatre.

Kryesisht jehona ishte në vendet e ish-kampit socialist të Lindjes, ku bënte pjesë dhe vendi ynë si, në Bullgari, Rumani, Hungari, Rusi, në Republiken Demokratike Gjermane, etj. Por edhe në disa vende perëndimore si Itali, Francë, Angli, etj.

Ky ishte një inkurajim shumë i madh për autorin. Menjëherë pas këtij botimi filloi korrespondenca me studiues të ndryshëm nga vende të ndryshme, por dhe komunikimi duke shkëmbyer studime të ndërsjellta, artikuj, revista e botime, gjë që i dha mundësi profesorit të bëjë krahasime dhe të njohë nivelet shkencore të homologëve të vet bashkëkohorë.

Duke shfrytëzuar këtë njohje, brenda vitit 1957 në vendin tonë mbërriti një ekspeditë me dy muzikologë gjermano-lindorë, Shtokcman dhe Fidler. Ekspedita u organizua në rang shtetëror   mes dy qeverive dhe përfaqësues i palës shqiptare u caktua muzikologu ynë Ramadan Sokoli, të cilin e kishin sugjeruar shkencëtarët gjermanë.

Kjo është e para ekspeditë shkencore që vinte në vendin tonë për etnomuzikologjinë dhe ky qe pa dyshim dhe shansi më i madh që po i jepej studiuesit tonë të punonte me shkencëtarë të nivelit europian, por edhe të pajisur me një teknikë moderne dhe një ekip të kompletuar për regjistimin e folklorit tonë muzikor.

Ekspedita u përqëndrua kryesisht në viset e Shqipërisë së Jugut dhe bëri regjistrime në të gjitha gjinitë folklorike, një pasuri kjo e rrallë dhe shumë e vyer që u bë objekt studimi shkencor në mediumet ndërkombëtare, por që gjendet edhe sot pranë arkivit të Institutit të Kulturës Popullore.

Pas dy vjetësh të ekspeditës gjermane, erdhi në vendin tonë një ekspeditë tjetër rumune që kryesohej nga muzikologia znj. Emilia Comishel, shkencëtare e njohur jo vetëm në vendin e vet, por edhe në qarqet shkencore europiane. Edhe në këtë ekspeditë, për palën shqiptare u caktua nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, të përfaqësoj nga studiuesi ynë Prof. Ramadan Sokoli.

Këto dy ekspedita mblodhën dhe regjistruan pasurinë më të madhe folklorike të këtyre viteve në Shqipëri, por dhe që përbëjnë bazën kryesore të studimeve shkencore dhe shembujve që përbëjnë veprën muzikologjike të Ramadan Sokolit.

Në qoftë se shkencëtarët e huaj gjermanë dhe rumunë i përdoren të gjitha regjistrimet e folklorit muzikor shqiptar në të gjitha konferencat ndërkombëtare muzikologjike, por dhe mbrojtën tituj shkencorë me to, profesorit tonë, për arsye biografike, nuk iu dha asnjëherë rasti ta përfaqësojë vendin tonë në këto tribuna shkencore për të treguar dhe mbrojtur këtë kulturë të lashtë të popullit tonë përballë kulturave të popujve të tjerë, qoftë edhe nga deformimet dhe keqtrajtimet që herë pas here i janë bërë asaj duke mos e njohur atë apo hera-herës edhe me synime dashakeqe.

Qëndrimet politike të regjimit komunist për arsye “biografike” profesorit i qëndruan si hije të “zeza” gjithë jetën deri në vitet ‘90-të.

Gjithsesi, Prof.Sokoli ishte shumë i vëmendshëm dhe përpiqej me të gjitha mënyrat që të gjente dritare për të botuar studimet e veta jo vetëm në organe shkencore, por edhe në revista politike kulturore siç ishte” L’Albanie Nouvelle” organ i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme.

 

NJË FIGURË POLIEDRIKE QË I DHA AQ SHUMË KULTURËS KOMBËTARE

 

Profesor Ramadan Sokoli ishte njeri me kulturë të gjerë dhe një figurë poliedrike në kuptimin e mirë të fjalës. Me profesorin mund të bisedoje për çdo fushë të artit dhe kulturës, por dhe për probleme filozofike dhe ato të shkencave humanitare. Lexonte shumë dhe ishte në korent të botimeve bashkëkohore. Biblioteka e tij në shtëpi ishte shumë e pasur jo vetëm me literaturë muzikore, partitura, por edhe me libra nga filozofë të ndryshëm që nga ata antikë deri te ata të kohës, por edhe kritikë letrare e  sigurisht shumica ishin, etnomuzikologji. Dinte shumë mirë gjuhën italisht, lexonte dhe komunikonte në frëngjisht e gjermanisht, por edhe serbo-kroatisht.

Profesor Sokoli ishte shumë komunikues dhe kishte krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me shtypin jo partiak dhe qeshte me ironi; “televizioni shqiptar nuk më nxjerr me figurë se nuk jam fotozhenik”

Shtypi kulturor ku ai botonte ishin revistat me karakter artistik e kulturor, që nga revista “Pionieri” deri te “Nëntori” e “L’Albanie Nouvelle”. Për publikimin e veprave të tij ai shfrytëzoi dhe Radio Tiranën për biseda muzikore për probleme etnomuzikologjike dhe folklorin muzikor, më vonë  ai arrinë të transmetojë edhe dokumentarë për figura të ndritura të komit tonë në shëkuj në emisinet e kulturë në televizionin shqiptar.

Ramadan Sokoli, për arsye biografike, e kishte të ndaluar të botonte në  gazetën “Zëri i Popullit”, por dhe të dilte me figurë në Televizionin Shqiptar.

Madje shiheshin me “lupë’’shkrimet e tij edhe te gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori”.
Në atë regjim shumë të mbyllur, por edhe shumë të kontrolluar qoftë për  literaturën që hynte në Shqipëri, por aq më shumë për atë që dilte jashtë, sidomos gjatë perudhës së vetëizolimit, botimet e R.Sokolit ishte shumë vështirë që të gjenin dritën e botimeve jashtë vendit, edhe pse ishte    kulturë dhe etnokulturë e mirëfilltë e pastër shqiptare. Por ai shfrytëzoi me shumë maturi  dhe zgjuarsi korrespondencën dhe njohjen që kishte patur me personalitete të etnomuzikologjisë që kishin vizituar Shqipërinë gjatë viteve ‘50-’60, sidomos të atyre të ish-vendeve të kampit socialist të cilët e informonin për botimet, por edhe për forumet apo kongreset që mbaheshin në vende të ndryshme të botës për etnomuzikologjinë. Gjithashtu, ata e ushqenin edhe me shumë artikuj që ishin botuar gjatë kësaj periudhe në këto vende.  Dua të perifrazoj një fragment nga libri “ Ramadan Sokoli – Jeta dhe Vepra” të autorit Osman Xhatufa , që më është dukur mjaf interesant. Në vitet e diktaturës në Gjermani herë pas here zhvilloheshin panaire të librit shqiptar. Në një nga këto panaire një stujues i huaj amerikan,  i interesuar për muzikologjinë tregon: “Nuk po i besova syve kur pas shumë vitesh heshtje, po shihja emrin e Ramadan Sokolit me veprën “Gjurmime folklorike”.

Pas ndërkombëtarizimit të veprës së Sokloit, atij i erdhën shumë ftesa për të marrë pjesë në simpoziume ndërkombëtare etnomuzikoligjike që nga Moska, Tokio, Parisi, Roma, Budapesti e Sofja deri në Amerikë, por ai nuk mori pjesë dhe nuk realizoi asnjë nga këto ftesa. Kjo nuk qe vetëm një dëm për atë, por qe një dëm i madh për mospërfaqësimin denjësisht të kulturës sonë etnomuzikologjike në këto forume dhe një dëm i drejtpërdrejtë i kulturës sonë kombëtare.

Ramadan Sokoli është i pari që përgatiti tekstin e Folklorit Muzikor Shqiptar për shkollat e mesme artistike dhe Konsevatorin Shtetror të Tiranës.

Ramadan Sokoli me zellin e tij prej studiuesi, por edhe si mendjendritur që ishte, na ka lënë një trashëgimi të vyer studimesh etnomuzikologjike që fillon nga antikiteti ynë me studimin dhe librin e tij “Vallet dhe muzika e të parëve tanë,  ilirët”. Si një gjurmues i zellshëm dhe i pasionuar e pasuroi fondin tonë kulturor e kulturën tonë etnomuzikore, duke zbuluar figura të ndritura siç janë Niketë Dardani, Jan Kukuzeli, duke plotësuar shekujt nga antikiteti nëpër mesjetë e deri në ditët tona me figura të ndritura, që pasqyrohen më së miri në librin e tij të mrekullueshëm “16 shekuj”.

Hulumtimet e tij etnomuzikologjike janë shtigje të reja që shkelen për herë të parë nga ky studiues pasionant që shquhet për thellësinë e mendimit, gjerësinë e horizontit kulturor dhe seriozitetin e gjykimit shkencor të lëndës që merr për objekt studimi.

Duke i hedhur një vështrim të shkurtër veprave studimore të prof. Sokolit, konstatojmë se ajo shtrihet dhe përfshin mbi 20 shekuj të etnisë së kombit tonë dhe përbën vlera të pamohueshme në panteonin tonë kulturor.

Ndryshimet demokratike në vendin tonë Prof. Sokolin e gjetën në moshën e tretë, pra mbi 70 vjeç, pasi tashmë kishte harxhuar gjithë dijet dhe mundin për të vënë gjithçka në të mirë të kulturës kombëtare, por pa ndonjë vlerësim  dhe pa më të voglën vëmendje për ta shpërblyer me ndonjë titull apo ndere të tjera që kishin përfituar bashkëkohësit e tij edhe me shumë më pak kontribut, apo vlera studimore në fushën e kulturës sonë kombëtare.

Ishte qeveria e Partisë Demokratike dhe institucionet e ngritura prej saj që vlerësuan punën dhe veprën e etnomuzikologut Ramadan Sokoli.

Në vitin 1995, Akademia e Shkencave të Shqipërisë i akordoi titullin “Profesor”. Në vitin 2000, Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge të Anglisë e përfshiu në enciklopedinë e “Personaliteteve të Shquara”. Në vitin 2002, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, i jepet titulli “Mjeshtër i Madh” dhe po këtë vit, Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Shkodrës, qyteti i tij i lindjes, i jep titullin “Qytetar Nderi”.

Në vitin 2006, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike Kombëtare i akordon medaljen “Emblemë e Kulturës Shqiptare” dhe po brenda këtij viti ABI, “Instituti Amerikan i Biografive” i jep diplomën “Ekspert në Etnomuzikologji dhe Kompozim”. Këshilli Bashkiak i Tiranës e ka nderuar me titullin “Nderi i Tiranës”.

Profesor Ramadan Sokoli njihet edhe si një penë e fortë dhe shumë e njohur në publistikën kulturore shkencore. Ai ka shumë artikuj dhe trajtesa kulturore shkencore si te revista “Nëntori”, “Shkenca dhe Jeta”, “Kultura Popullore”, “L’Albanie Nouvelle”, revista “Ylli”, etj., si dhe në gazetat “Drita”, “Zëri i Rinisë”, etj.

Profesor Sokoli ka shkruar edhe disa skenarë për filma dokumentarë të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe Televizioni Shqiptar, por sidomos shumë emisione dhe biseda radio-televizive, tekste mësimore, reçensione, etj.

Një faqe të ndritur jo shumë e njohur është dhe krijimtaria muzikore në gjini të ndryshme e Prof.Sokolit, por ajo meriton një vështrim serioz me karakter njohës, studimor dhe publikues, sepse ka dhe shumë kompozime që ende nuk kanë parë dritën e ekzekutimit në publik.

Në këtë përkujtimore apo vështrim të shkurtër të  Prof. Ramadan Sokolit, vetëm sa rikujtuam këtë figurë të ndritur të kulturës sonë kombëtare, por vepra dhe figura komplekse e tij meriton të jetë edhe më shumë objekt studimor  i Akademisë së Shkencave si dhe në vëmendje të Ministrisë së Kulturës, për të përgatitur një kolanë të plotë të veprës së këtij “kolosi” të etnomuzikologjisë sonë, pasi botimet e deritanishme lënë shumë për të dëshiruar për nga cilësia e botimit të tyre.

SHKARKO APP