Figura e gruas dhe vajzës shqiptare në kryeveprën epike “Lahuta e Malcisë”

Nga Gentiana Nishica Malaj /At Gjergj Fishta poet kombëtar, akademik, publicist, dramaturg, polemist e satirist i shquar, autor i një korpusi të begatshëm letrar na ka lënë një trashëgimi letrare e cila me të drejtë konsiderohet një gur themeli i identitetit kulturor e historik për kombin shqiptar. Ajo që ai krijoi për 40 vjet e që i dha emër të pavdekshëm në historinë e letërsisë e të kulturës sonë, është vepra madhore epike “Lahuta e Malcisë” e cilësuar me të drejtë si “Iliada” shqiptare. Është afërmendsh që në një epope të tillë kombëtare autori i saj të gdhendte me një mjeshtëri të lartë artistike, me patos e njëherësh frymëzim hyjnor portretin e gruas e të vajzës shqiptare të cilat mbeten në shekuj simbol i fisnikërisë, dëlirësisë, bukurisë e trimërisë së racës shqiptare. Nënat e vajzat shqiptare populli e tradita historike i ka lartësuar në panteonin e nderit duke i quajtur të parat fisnike e sokolesha e të dytat duke i krahasuar me zanat. “Luaneshat lindin luanë”, thotë një shprehje e urtë që na vjen nga thellësia e shekujve. Për Fishtën femra shqiptare është simbol i dëlirësisë, etalon i virtyteve më të larta njerëzore, i dashurisë e sakrificës për familjen, i mikpritjes e përkujdesjes për miqtë e saj. Në kraharorin e nënave shqiptare janë mëkuar viganët e historisë Aleksandri i Madh e Gjergj Kastrioti, Lekë Dukagjini e Karl Topia, Gjergj Arianiti e Princat e Arbërit. Për nderin e nënës e të motrës trimat shqiptarë janë hedhur në zjarrin e betejave pa iu dridhur qerpiku i syrit. Kryefigura e femrës në “Lahutën e Malcisë” është zana, një personifikim i përsosur i bukurisë femërore e i forcës së saj të mbinatyrshme. Zana e Shqipërisë është kryembrojtësja e saj. Ajo u ka dhënë shpirt, forcë e qëndresë luftëtarëve shqiptarë në sa e sa beteja të përgjakshme me armiqtë e trojeve të tyre. U kujton atyre historinë e lavdishme që vjen nga epoka iliro – arbërore, i porosit të jenë të bashkuar e të luftojnë për lirinë e tyre. Ja çfarë i thotë Ali Pashë Gucisë Zana e Shqipërisë kur i shfaqet në rrugën e tij drejt kuvendit të Lidhjes së Prizrenit:

Se ngusht janë punët e Shqipnisë,

se mbrendë besa ish krejt harrue,

se lugat m’te Knjazi ish que,

ka qitë sogjet shpat më shpat,

don me dal der n’ Rozafat,

se në Berlin a da pleqnia,

në dorë të shkjaut me ra Shqipnia.

Zana i fton shqiptarët të jenë të bashkuar e i jep Aliut një fuqi të mbinatyrshme me të cilën mund të shkulte lisat e malit. Në “Lahutën e Malcisë” Gjergj Fishta ka përshkruar me një mjeshtëri të madhe artistike tri personazhe historike të femrës shqiptare: Eufrosinën e Janinës, Tringën e bukur e martire të martirizuar në pragun e shtëpisë dhe mbretëreshën krenare Teutën iliriane.

Tringa zë një kapitull të veçantë në “Lahutën e Malcisë” në këngën e XXII të saj. Është kënga më e bukur e tronditëse e thënë ndryshe portreti më madhështor që një poet i ka gdhendur bukurisë femërore e virtyteve njerëzore të një vajze bashkëkombëse. Tringa paraqet simbolin ideal të vajzës shqiptare. E bukur si zanë ajo është njëherësh simbol i mirësisë, i dashurisë për familjen e vëllain të cilit i shërben natë e ditë mbi shtratin e vdekjes, i nderit e dinjitetit të vajzës shqiptare e cila pranon më mirë vdekjen se të bëhet robinë e shërbëtore e armiqve të egër të atdheut të vet. Pasi ngre lart virtytet e fisnikërinë e babait të Tringës dhe fisit të saj, Fishta përshkruan bukurinë mahnitëse të kësaj Tanushe shqiptare:

Pse edhe të mirë po e kish ba nana,

ardhun shtatit si “breshana”,

synin hyll, ballin si Hana,

dishka njethë si molla n’ rrem,

si ajo lulja shpërthye n’ gëm,

që ke dal m’ ka ashtu te dera,

sikur ban me qilë prandvera,

sikur Djelli ban me dalë,

nëpër aha, brej e halë,

kaq gja të mirë Zoti e ka falë.

Portreti i Tringës, bukuria e vargjeve e krahasimet e goditura me elementet kozmikë Djellin, Hanën e dritën të kujtojnë Tanushën e Eposit të Kreshnikëve. Në dallim nga Tanusha, bijë e Krajlit, Tringa është një vajzë e thjeshtë malësore të cilës Zoti i dha bukuri e virtyte pa kursim. Tringa u rrit në alpet shqiptare nën kujdesin e Orëve e të Zanave të cilat ishin miket e mbrojtëset e saj. Ato kur mësuan se ajo u vra në derë të shtëpisë nga dora mizore e armikut i bënë një varrim madhështor e vajtuan dhe e shpaguan gjakun e saj me 3000 malazezë të vrarë në fushëbetejë. Me fantazinë e tij markeziane Fishta e bëri të pavdekshme Tringën, martiren shqiptare ashtu si Homeri Trojën me “Iliadën” dhe “Odisenë” e tij.

Eufrosina e Janinës. Ngjarjet zhvillohen në Janinë. Vajza me bukuri mahnitëse, virgjëreshë dhe në finishin e adoleshencës së saj i bie radha, ashtu si shumë vërsnikeve të saj, të provojë epshet e shfrenuara të pashait të egër. Ali Pasha dërgon Harapin e zi, eunukun e haremit me urdhrin e prerë për ta sjellë Eufrosinën në kalanë e tij. Vajza e vendosur për të mbrojtur nderin, dinjitetin e fenë e saj pranon më mirë vdekjen se nderin e dinjitetin e humbur. Ajo hidhet nga varka e zhytet si sirenë në fund të liqenit duke mbetur simbol i krenarisë së vajzës shqiptare. Këngën e Eufrosinës zanat shqiptare ua këndojnë dragonjve në Bjeshkët e Dukagjinit pas betejës së tyre të përgjakshme e fitimtare me kuçedrën:

Varza ka e varza s’ ka,

por si ka një varzë në Janinë,

kurkun shoqen s’ ja ke pa,

ka bje diell e serotinë,

synin diell, ballin si hana,

ardhun shtatit si selvija,

Eufrosinë e quajti nana,

ogur të mirë me e pas Shqipnia.

Vetëflijimi i Eufrosinës, ëndrrat e jeta e këputur në lule të rinisë e bënë atë të pavdekshme sepse:

Doli fjala nëpër dhe,

njëkëso vajzash ka n’ Shqipni,

që për erz edhe për fe,

të ritë e jetën e bajn fli.

Teuta mbretëresha krenare ilire ka qenë në shekuj një simbol krenarie kombëtare. Ajo hidhej në beteja kundër legjioneve romake pa iu dridhur syri ashtu si Amazonat e mitologjisë greke. Poeti kombëtar e portretizon në pak vargje staturën madhështore të mbretëreshës iliriane:

Dhe Teuta mbretëreshë,

vashë ilire sokoleshë,

që nuk dijte se shka a tuta,

si ajo shqipja skepe kërruta,

shuete hovin mbi romakë,

pa dhimbë Adrien tuj përgjakë.

Adria (Ardianët) seli e mbretërve të shquar ilirë u bë fushëbetejë e përgjakshme mes ilirëve dhe romakëve. Në vazhdën e traditës të rilindësve të mëdhenj Gjergj Fishta e ka lartësuar femrën shqiptare, bukurinë e virtytet e rralla të saj duke u dhuruar të Bukurave të Dheut vargjet brilante të penës së tij të artë.

SHKARKO APP