7 muaj nga humbja e të birit, shkrimtarja rikthehet tek lexuesi
”Mam, prova jote se më ke dashur vërtet, fillon tani. Nëse do të dish të vazhdosh. Bëj gjënë më të mirë që di të bësh! Shkruaj! Të shkruash është terapia jote. Bëje, Mam, mos hyr në spiralen e dhimbjes, atje humb”.
Kjo ishte dëshira e Jerinit, djalit 18-vjeçar të shkrimtares Flutura Açka, i cili u nda nga jeta para shtatë muajsh nga një sëmundje e rrallë.
Shkrimtarja e ka përmbushur këtë “leksion”, i cili për të është më i rëndësishmi që ka marrë në jetën e saj, i dhënë nga djali i vetëm Jerini, “për të gjetur tokën pas shtrëngatës në oqeanin e dhimbjes”.
Shkrimtarja rikthehet tek lexuesi në Panairin e Librit me vëllimin poetik “Roja i dritës”.
Planeti ngjyrë uji
Tani kemi zbritur në perandorinë e pranimit,
ku portat janë të ngushta,
dhe ne, shndërruar në ajër, hyjmë,
të prekim kudo,
në shpirtin tënd,
ku pafundësia,
për herë të parë na është kufizuar,
nga eternía e mungesës,
që po ndërtohet,
ngadalë,
pa trajtë,
si amebë makabre,
në shpirtrat tanë,
që të duan,
që të deshën,
e do të t’duan pafund,
dhe do të ndalin këtyre brigjeve,
këtij planeti ngjyrëuji,
të flasin sy më sy,
me ty.