8 dhjetori 1990, Lëvizja Studentore që i dha Shqipërisë si të vetmen fitore të madhe, “Ditën Kombëtare të Rinisë”

Nga Albert Vataj

Meritonte dhe aspironte të jepte shumë më shumë se kaq. Besuan dhe sakrifikuan që kjo ditë të ishte një datë në histori, një shënjim i përmbushjes, realizimit të ëndrrave. Por, nga fitoret më të mëdha, nga arritjet që i atribuohen asaj, ishte dhe mbeti futja e kësaj date në kalendarin e festave, si Dita Kombëtare e Rinisë. Po, Dita Kombëtare e Rinisë, asaj rinie që kërkon të ardhmen diku tjetër, sepse vendi që ka shndërruar një datë në ditë pushimi për administratën dhe hipokrizie për politikën, rinisë nuk mund t’i japë më shumë se shansin për t’u bërë vegël nëse do të besojë dhe të festojë.

Sot, 35 vite më pas, kujtesa na kthen tek një ditë që nuk ishte thjesht një protestë studentore, por një shkundje e papritur historike, një uragan i brendshëm që shpërtheu nga zemrat e të rinjve dhe u përhap si një valë drite në mbarë vendin. Aty ku frymëzimi dhe guximi u përkulën mbi një ideal, të bënim Shqipërinë si gjithë Evropa. Aty ku një brez i tërë besoi marrëzisht se ndryshimi ishte i mundur, i domosdoshëm dhe i arritshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por pikërisht ata që besuan më shumë, ata që brohoritën, ëndërruan dhe u ndeshën me murin e një sistemi që po shembej, sot janë edhe më të zhgënjyerit. Sepse aspiruan më shumë nga ajo ditë, sepse e panë me sytë e tyre mundësinë e rilindjes së një vendi që u kërkua të kthehej nga e shkuara drejt një epoke të re. Sot, 35 vite më vonë, Shqipëria ka ndryshuar në pamje, por thelbi i saj shpesh vijon të endet në mjegullën e një tranzicioni të pafund.

Swiss Digital Mobile Reklama

Është një Shqipëri që kishte shansin të bëhej vend i aspiratave, por shpesh ka zgjedhur të promovojë ikjen si alternativë. Është një vend që ëndërroi të rritej, ndërsa sot numëron më pak njerëz, më pak besim dhe më shumë braktisje. Shpopullimi është plagë që nuk mund të fshihet, një pasojë e heshtur e premtimeve të pambajtura, e dritave që nuk u ndezën kurrë.

8 Dhjetori 1990 shënon pikënisjen e rënies së regjimit komunist, gurthemelin e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Ishte ajo ditë kur studentët e Universitetit të Tiranës u ngritën në këmbë në Qytetin Studenti dhe ngritën zërin kundër një sistemi që u kishte marrë gjithçka. Kërkesat e tyre, që nisën për kushte më të mira jetese dhe arsimimi, shumë shpejt u transformuan në thirrjen më të rëndësishme të atyre viteve: ndryshim politik dhe fundi i diktaturës.

Nga ai moment lindi pluralizmi politik në Shqipëri, u krijua Partia Demokratike – partia e parë opozitare pas më shumë se 45 viteve monopartiake – dhe u ndez një shpresë e madhe se vendi më në fund po i hapte dyert lirisë.

Sot, 8 Dhjetori – Dita Kombëtare e Rinisë – nderon guximin e atyre që nuk pranuan të heshtnin. Është përkulje përpara brezit që guxoi të shkundte tiraninë dhe t’i përgjigjej me dëshmi njerëzore dhe qytetare erës së madhe të ndryshimeve që përfshiu gjithë Lindjen.

Por kjo ditë është edhe një plagë e hapur për shumë prej tyre. Sepse idealet e Lëvizjes së Dhjetorit, idealet e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit, shpesh u thyen bashkë me shpresat e tyre. Nuk ka dhimbje më të madhe sesa të shohësh ëndrrën e vet të ngurtësohet në kujtesë, të kthehet në një tingull të largët të asaj që mund të kishte qenë.

Sot Shqipëria është më e mirë se 35 vite më parë – kjo nuk mund të mohohet. Por mund dhe duhet të ishte më e denjë. Më e drejtë. Më e merituar. Më pranë ëndrrës së atyre që e panë lirinë jo si një privilegj, por si një përgjegjësi ndaj vendit të tyre.

8 Dhjetori mbetet një pasqyrë e dy anëve të së njëjtës histori: triumfit dhe zhgënjimit, shpresës dhe realitetit.
Dhe neve sot na mbetet detyra që kujtimi të mos jetë vetëm rituale, por një thirrje për ta ringjallur frymën e guximit që dikur e shtyu Shqipërinë të zgjohej.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?