9 vite nga shenjtërimi i saj, Samarxhi: Nënë Tereza, gruaja që i mungonte shekullit dhe ndërtoi qytetërimin e dashurisë
Në përvjetorin e nëntë të shenjtërimit të Nënë Terezës, gazetari Ferdinand Samarxhi sjell një reflektim të thellë për figurën dhe trashëgiminë shpirtërore të shenjtores shqiptare, duke e cilësuar atë si një grua që i mungonte shekullit dhe që solli një vizion të ri njerëzor për botën. ”Nënë Tereza lindi si grua që i mungonte shekullit. Ajo sfidoi egërsinë dhe barbarinë me dashurinë e pastër njerëzore”,-u shpreh ai.
Gazetari theksoi se jeta dhe vepra e Nënë Terezës nuk mund të maten me kohën, por me përmasën shpirtërore që ajo la pas, një qytetërim i bazuar në dashuri, humanizëm, liri dhe paqe. ”Nënë Tereza ndërtoi qytetërimin e dashurisë njerëzore. Ajo besonte se vetëm dashuria mund ta bëjë botën më të mirë, vetëm dashuria i bën njerëzit më të mirë”,-tha ai.
Samarxhi solli në vëmendje mesazhet më të fuqishme të saj, që vijojnë të jenë aktuale në një botë të trazuar. Ai kujtoi gjithashtu angazhimin konkret të Nënë Terezës për Shqipërinë, përfshirë hapjen e misionit të parë të motrave të saj në vend, si dhe pjesëmarrjen në hapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke theksuar rolin e saj në ndërtimin e urave ndërfetare dhe bashkëjetesës shpirtërore.
”Nënë Tereza është gruaja që bëri një revolucion për një botë tjetër, më të butë, më të drejtë, më të dashur. Ajo na mësoi që të mos ua vrasim njerëzve buzëqeshjen”,- përfundoi Samarxhi.
KOHA JONË SONDAZH

