A ju pëlqejnë këngët e dashurisë?

Nga Mariola Poro

A ju pëlqejnë këngët e dashurisë?

“Pëllumbi i bardhë” i Scorpions p.sh.?

Po pëllumbat që qajnë, ju pëlqejnë?

Jo?!

E pra, pëllumbat e Prince dhe sidomos ata që u këndon Laerti, do t’ju sillnin përveçse lot dashurish të humbura ndër psherëtimash shpirti e nota disonante, po edhe aq rindezje pasioni. Flakë që luan mes jetës e vdekjes…

Protagonistë këtu, ata, “pëllumbat” e zinj… KORBAT.

Këngë vaji, klithma që të çjerrin deri palcën… E zezë, e bardhë, apo e kuqe? Tinguj harrese, apo shprese?

 

A është një ëndërr, apo zgjëndërr?

Jo…

…thjesht TEATËR.

Shfaqja më e re, stil musical e talenteve të skenës shqiptare, mes tyre edhe debutantë, që arritën më së miri të na përçonin emocione në këto dy net e të na hidhnin nga njëra ndjesi në tjetrën, pa na pyetur më parë. Një spektakël ndjesish… dritash, shiu, hiri, ndjenjash të ngrira në kohë, hakmarrje, pasion, jetë, agoni… vdekje.

Korba të zinj që mbajnë në krahë një vashëz të bardhë… Vashëz që mban në duar ca pluhur zanash, të cilin ia hedh mbi kokë dashurisë së saj për t’i rikthyer kujtesën e vakur nga koha… Korba që hedhin shi mbi pluhurin, për ta bërë edhe më konfuz atë.

Një vashëz që vjen nga e përtejmja dhe një djalosh i mpakur që lufton mes fajit, pendesës dhe shpresës për të patur një shans të dytë të rimarrë atë që tashmë… është tepër vonë!

KËNGË DASHURIE ME KORBA

Shpirtra që vallëzojnë në ritmin e valsit fillimisht e më pas, ashtu furishëm, nën hapat e tangos… Vdekje e ringjallje e shpirtit.  Klithma, psherëtima e nota në të katër anët e skenës, nga talente që pa patur nevojën për efekte speciale të regjistruara, t’i sjellin ato në Dolby Surround për së gjalli.

Dashuri, psikedelikë, ART!

A ju pëlqejnë këngët e dashurisë tani?

Nxitoni t’i dëgjoni sonte, në natën e tretë dhe sërish më 17, 18, 19, 20 Maj.

https://www.facebook.com/events/244460932959141/

SHKARKO APP