A komunikon me të rinjtë trashëgimia filmike e komunizmit?
Kinemaja e krijuar nën komunizëm gjithnjë është rikthyer në qendër të vëmendjes. Por Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka vendosur të ndërtojë një program edukues për nxënësit e shkollave. A komunikon trashëgimia filmike e komunizmit? A ka çfarë t’i thotë publikut të ri? Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka kohë që i ka shtruar praktiksht këtë pyetje, për të nxitur kuriozitetin më shumë sesa dilemën.
Nuk janë shuar ndonjëherë zërat që e mohojnë dhe kërkojnë ta censurojnë, por në kontrapunkt me to, ky Arkiv dhe drejtoresha e re Iris Elezi që vjen nga një formim mbi kinemanë botërore dhe antropologjinë kulturore, po ndërton një axhendë tjetër nga e deritanishmja.
Ajo beson që dy dekada e gjysmë pas rënies së sistemit një-partiak, ka shumë pak informacion rreth kinemasë shqiptare, asaj që u prodhua nën Kinostudion “Shqipëria e Re”, 232 filma artistikë me metrazh të gjatë, mijëra dokumentarë e kronika dhe qindra filma të animuar.
Me programin “Imazhe nga rrethimi: kinemaja e harruar e Shqipërisë”, Elezi ka prezantuar në Festivalin e Kinemasë së Padukshme në Zagreb një përzgjedhje të prodhimtarisë së Kinostudios, vepra të cilat nuk janë shfaqur jashtë Shqipërisë, duke i vendosur në një kontekst historik për të parë dhe ato pak premisa të lirisë krijuese.
“Kapedani” i Muharrem Fejzos, “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës, filmi i parë artistik me ngjyra, “Tomka dhe shokët e tij” i Xhanfize Kekos i restauruar, “Nusja dhe shtetrrethimi” i Muçaj-Mitros, “Lumi që nuk shteron” i Fatmir Koçit dhe dokumentari “Toka e shqiponja” edhe ky realizuar nga Koçi si dhe filmi “Bota” i Iris Elezit dhe Thomas Logorecit, i vetmi përfaqësim nga kinemaja e re shqiptare.
Arkivi i Filmit mendon t’i çojë në një nivel tjetër kontaktet me publikun e ri, nxënësit e shkollave nëntëvjeçarë të Tiranës. Në kuadrin e edukimit artistik dhe kulturor Arkivi është akoma në hapat e parë të një projekti që synon jo vetëm testimin e dijeve të fëmijëve mbi kinematografinë shqiptare por edhe kultivimin tek ata të aftësisë për ta parë dhe shijuar të bukurën tek imazhi filmik.
Ministria e Kulturës e ka shpallur prioritet nxitjen e praktikave artistike dhe zhvillimit të kreativitetit tek fëmijët dhe të rinjtë. Ka nënshkruar një marrëveshje për këtë qëllim me Ministrinë e Arsimit që fëmijët të përfitojnë nga ky edukim jashtë programeve shkollore dhe t’iu krijohet mundësia për të përpunuar ndjeshmërinë dhe imagjinatën, për të zhvilluar identitetin dhe pavarësinë personale. Takimi me kinemanë është një nga këto hapësira.