Abdulla Grimci, lamtumirë o virtuoz i heshtur…
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Menjëherë, sapo miku im, kompozitori i mirënjohur dhe i suksesshëm Spartak Tili më njoftoi privatisht për ndarjen nga jeta të një prej figurave më të ndritur të Artit Shqiptar, veçanërisht atij muzikor, Abdulla Grimci, ndjeva trishtim.
Midis arsyeve të shumta që u trishtova ishte edhe fakti, sepse të gjithë ne humbëm një ndër kolosët e mëdhenj të Artit dhe Kulturës Shqiptare, një nga kompozitorët e shquar të viteve ‘40-të, që vunë themelet e Muzikes Shqiptare, i studiuar dhe i kulturuar profesionalisht në Itali, shefi i parë i muzikës në Radio Tirana, themelues i Orkestrës Simfonike, iniciator i Festivalit të Parë, por edhe se, në vitet e largëta të rinisë sime, atëherë kur studioja për instrumentin muzikor trompë në Tiranë, më ishte dhënë mundësia të isha takuar dy herë nga afër me professor, Abdulla Grimci.
Dhe, ato dy herët e takimit tim me të ndriturin profesor Grimci, m’a mundësoi një tjetër artist i madh, profesori që na bënte praktikë nota të gjata muzikore herët në mëngjes pa filluar ende mësimi, profesor Muharrem Bërxolli. (Për sqarim dhe për mos patur keqkuptim, sepse në Tiranën e asaj kohe jetonin dy burra të nderuar me të njëjtin emër dhe mbiemër; ishte profesor Muharrem Bërxolli, për të cilin po shkruaj dhe Muharrem Bërxolli babai i mikes sonë të nderuar, artistes Majlinda Bërxolli).
Profesori ynë, Muharrem Bërxolli, na njoftoi disa ditë para se, kishte menduar një takim me autorin e metodës së trompës, të cilën ne e studionim, Abdulla Grimci, të cilin e kishte ftuar të vinte në shkollë dhe profesori i nderuar Abdulla Grimci, e priti me kënaqësi ftesën e profesor Muharemit.
I kam ende të freskëta në mendjen time, takimet dhe bisedat e ngrohta, këshillat që mjeshtër Grimci zhvilloi me ne nxënësit, si edhe këshillat e tij që na jepte ne muzikantëve të rinj.
Burrë intelektual i qetë, i kulturuar në komunikim, njeri inteligjent që të impononte respekt që në pamjen e tij të jashtme…
Takimin e dytë më të afërt e kam patur në shtëpinë e professor, Muharrem Bërxollit. Shtëpia e tij ndodhej pranë rrugës Myslym Shyri në Tiranë. Profesor Muharrem Bërxolli ishte familje dëshmori dhe, sipas traditës së atyre viteve, ditën e 5 Majit, personalitetet e larta politike të kohës shkonin për vizita në familjet e dëshmorëve.
Ne nxënësve të shkollës, pasi na dhanë leje për të festuar festën e 1 Majit pranë familjeve tona në qytetet edhe prej nga ne vinim, profesor Muharremi, më jep një porosi. Kur të kthehesha në Tiranë pas festës së 1 Majit, t’i sillja një buqetë të madhe me lule nga Berati, pikërisht për festën e 5 Majit, ku edhe do priste vizitat si familje dëshmori.
Një tjetër ish nxënës nga Berati, Lulëzim Poçi, që kishte studiuar përpara meje për trompë dhe, që, sigurisht, kishte njohje edhe me profesor Muharremin, babai i tij punonte në ndërmarrjen e gjelbërimit në Berat…
Babai i Lulzimit, që, nuk po më kujtohet emri i tij, bëri një buqetë të madhe dhe të bukur me lule, për ta patur “zili”, kryesisht trëndafila disangjyrësh…
Atë mbasdite të dielë, më 3 maj, me buqetën e madhe me lule nga Berati në duar, trokas në derën e profesor Muharrem Bërxollit… U ndjeva pak i ligështuar, sepse luleve kishin filluar t’u binte freskia. Midis atyre pak njerëzve të ardhur për vizitë, në atë dhomë pritjeje të këndshme, kishte ardhur edhe miku i tij, professor, Abdulla Grimci.
Ishte i vetmi njeri i njohur për mua, që sapo më pa, buzëqeshi dhe me shenjë më ftoi të ulem pranë tij… Ato 30 minuta bisedë të përgjithshme, sepse unë po rrija “si me gjemba” dhe i druajtur, buqeta e madhe me lule bëri që, biseda e njerëzve të pranishëm të kalonte për Beratin dhe për shokët beratas që ata i njihnin.
Më pyetën për muzikantët berates, Sotiraq Konçi, Xhevdet Dervishi, Asqeri Kadëna, Teki’ Luari, madje njëri nga ata njihte edhe aktor regjisorin e mirënjohur beratas, Nikolla (Liçi) Vera…
– Mos u shqetësoni për lulet – foli profesor Muharemi, sikur ta dinte edhe merakun a shqetësimin tim. Që tani do t’i vendos në vazon e madhe me ujë dhe do t’i fus brenda ujit një kokërr aspirinë. Do rifreskohen dhe lulet do qëndrojnë ashtu të freskëta për ditë të tëra…
Që nga ajo ditë, unë mësova që, aspirina ndikoka edhe në mbajtjen e luleve të freskëta për njëfarë kohe. Këto kujtime të atyre viteve të largëta m’u kujtuan, ndërsa maestro Spartak Tili më njoftoi humbjen e kolosit, Abdulla Grimci…
Biografi
Abdulla Grimci, kompozitor, shkrimtar, lindi në një familje muzikantësh me 2 korrik 1919, në Shkodër. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Shkodër. Shkollën e lartë e kreu në Konservatorin “Santa Cecilia”, në Romë, Itali në vitet 1940-1944. U nda nga jeta më 5 mars 2018 (Ascoli Piceno, Itali).
Në vitin 1935 u fut në bandën e Shkodrës
Në vitin 1937 u bë pjesë e bandës mbretërore
Në vitin 1939 në bandën e Gardës Mbretërore, Romë (Itali).
Në 1941 martohet me Klementina Agostinin .
Në vitin 1944 kthehet në Shqipëri nga Roma.
Në vitin 1945 – 1946 bëhet dirigjent i bandës në Shkodër.
Në vitin 1949 shef i zyrës së muzikës pranë Komitetit të Arteve…