Agim Sulaj, shpirti i pasur dhe mendja e dritshme e një kumtuesi shprehës arti

Nga: Albert Vataj

Ju dëshironi të jeni mishërim i të tashmes, zëri dhe energjia, mendimi dhe shprehja. Një yshtje e brendshme ju shtytë, ju nxit, ju motivon, të tregoni se jeni mishi dhe shpirti, fryma dhe ndjesia, jeni rrahja e zemrës, prej së cilës nuk ju mbetet asnjë alternativë, vetëm të dëshmoni dhe luftoni me çfarë keni më të shtrenjtë, për identitet dhe dinjitet. Besoni dhe guxoni t’i viheni përballë të tashmes me shpirtin tuaj krijues. Të tregoni me vepër atë që bëni me shpirt. Të frymëmerrni me mushkëritë e kraharorit tuaj gjëmimin e qiellit të kohës që ju përket. Të ju trokasë në zemër kambana e atij kushtrimi që ju hedh gjakues në zjarr dhe ju flatron stuhishëm në ndeshje. Gjithçka që ju i blatoni këtij altari është gjithçmos që lartëson shpirtin, emrin dhe veprën tuaj në ngadhënjim triumfues dhe lavdi.

Gjithëkjo është udhë e misionarit të artistit apostull, është besimi që ai predikon, është drita që ai u mëkon syve dhe shpirtrave që meritojnë të lartësohen në përjetim. Dhe… artin ka vetë shenjtërinë e mëkimit, krijimin ka gjuhën e kthjelluar në burimet ku shuajnë etjen liritë dhe qiejt, fluturimet dhe pafundësitë. Ky cak është i mundur përmes pasionit, përkushtimit dhe talentit, është i mbërritshëm nga ai ngulm që gjen portë për të hyrë në çdo shpirt, për të folur me çdo zemrë, për të grishur çdo moshë e për t’i predikuar të gjithë brezave. Ai që provuar me vepër këtë, është piktori dhe karakituristi, Agim Sulaj. Ai u flet të gjithëve dhe askush nuk mbetet pa u përfshirë në mëtimin e tij krijues. Suksesi i tij, kryekëput ka lidhje për mënyrën se si ai ka zgjedhur të komunikojë artistikisht dhe estetikisht përmes një kodi të ashiqartë dhe kjartësisht korrekte.

Fatkeqësisht nuk njihemi, por punët e tij janë një dëshmi e një shpirti të pasur dhe një mendje të dritshme. Më ndodh të ndaloj me minuta të tëra para një pune të realizuar prej tij. Kjo nuk ka lidhje me hiperrealizmin e aplikuar prej për të “fotografuar” me penel, apo krijuar një kompozim, tregues i një momenti, apo jetësues i një episodi. Jo, ka lidhje me atë që rreket të tregojë imazhi, me atë që vetë piktori qëllimshëm ka përcjellë përmes një fokusimi realist. Karikatura e tij si primare, nuk ka sarkazmën dhe ironinë, groteskun dhe pamfletin. Thelbësisht, kumtuesja krijuese e Sulajt është e një dedikim komunikues.
Karikatura e Agim Sulaj, shquhet për përzgjedhjen e simbolikës shprehëse, përcjelljes së mesazhit në një mënyrë më të plotë se çdo ligjërim që mundët arti figurativ të demonstrojë.

Sulaj, me pikturat e tij, flet përmes idesë dhe përcjell përmes komunikimit estetik. Ai u flet të gjithëve përmes një gjuhe që arrihet të jetë e perceptueshme nga të gjithë dhe dedikuar përmes veçantisë, krejt atyre që duan që të komunikojnë, të lexojnë dhe të dëgjojnë. Tematikat e trajtuara prej tij janë të tilla përfshirëse, sa të pushtojnë emocionalisht, të gremisin thellë në honet e asaj vetëdije që lipset zgjuar, të shkund rrëmetshëm duke të të pjesëmarrë në një gjendje të mbarsur. Ai i thërret ndërgjegjes së çdonjërit që të dëshmojë dhe të reagojë. I rrëfen botës plagët dhe njeriut i dëshmon mbi rolin që ai duhet të marrë në ndryshimin e gjenjdes ku është kapluar e sotmja dhe t’i japë njeriut shanset të jetojë qoftë edhe një moment të vetëm në një realitet të merituar, pa ato vrragë që e sëmbojnë, pa ato fyerje që e poshtërojnë, pa ato dhimbje që e nënshtrojnë, pa ato ikje që e braktisin, pa ato lot që nuk e lënë të shohi qartë dhe e ngrysin në një vuajtje që e gllabëron thellë e më thellë. Agim Sulaj, me laps, me penel, akuarel, akrilik… ne letër, kanavace dhe në hutimin tonë, ai ngre artin e thirrjes së shpirtit, mëton mjeshtërinë e atij zëri që grish dhe josh, atij gufi kraharori që hov dhe gjëmon.

Agim Sulaj është ligjëruesi më i zëshëm i çdo gojëtarie që thekshëm i jepet pasionit të deshifrimit të gjendjes, që tek ai shndërrohet në një nevojë komunikimi, në një padurim rebelues i dëshmimit të asaj të vërtete që mund të mos jetë një kambanë alarmi, por gjithsesi mbetet një kumtim i domosdoshëm, një urëlidhje e pashmangshme e artit me botën, një sublime që kërkon ceremonialitetin fisnik të artit që të triumfojë sfidave që grishin. Nuk dua të ndaloj tek vlerësimet që ai ka rrëmbyer me të drejtë në sfidat botërore, të cilat janë jo pak. Ajo që përbën interes është mendimi që ai përcjell përmes një vepre të realizuar me kaq mjeshtëri. Trajtim i tematikës dhe fabula, konteksti dhe metafora, mesazhi dhe simbolika, mendimi shprehës dhe forca komunikuese, zëri kushtrues dhe shpirti i rebeluar, derdhën në këtë përzierje ndjenjash dhe pasioni, përkushtimi dhe devocioni, si çdo llavë tjetër që gufon zëshëm dhe zoritshëm brenda tij.

Agim Sulaj është një personalitet i veçantë i artit tonë grafik, ai është një penel përfaqësues dhe dëshmues i atij shpirti të pasur dhe asaj force transformuese të vlerave, pa të cilën karikatura jonë dhe piktura në veçanti do të ishin të mangëta. Ai nuk resht jo vetëm së krijuari, por së ngrituri zërin. Ai e përdor talentin dhe artin e tij si një armë të fuqishme reaguese dhe sensibilizuese. Bota e qytetetëruar e ka pranuar më me dashamirësi se ç’ka patur në ne vullnete promovuese dhe vlerësuese për këtë misionar. Sado që ta rrokim me vëmendje dhe interesim, ne nuk do të mund t’i shlyejmë borxhet që i kemi njohjes dhe vlerësimit për artin e tij. Nuk duhet harrojmë se ai më shumë se shpirtin e tij të pasur dhe mendjen e tij të dritshem, në sytë e botës së madhe ai promovon edhe vlerat tona shpirtërore.

Duke e përcjellë me njohje këtë figurë mësojmë se Agim Sulaj, piktor e karikaturist shqiptar, në moshën 19-vjeçare fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humori të organizuar nga “Hosteni”. Pas shkollës së mesme, në vitin 1978, Agim Sulaj hyri në Akademinë e Arteve Tiranë dhe përfundoi studimet e në vitin 1985. Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini dhe në vitin 1993, një tjetër në Provinca Brindisi. Ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, etj. Duke përsosur aftësitë e pikturës hiperrealiste, ai do ta kishte më të lehtë të komunikonte me njerëzit. Pikturat dhe karikaturat e tij shprehëse lexohen më qartë dhe rroken nga një larmi më e madhe. Ideja, koncepti dhe realizimi, e çojnë lapsin e hollë, koloritin e shkujdesur, dritëhijet dhe trajtesën në një dimension të kapshëm dhe shpesh meditativ. Tematika e Agim Sulajt është e larmishëm dhe në të gjithë shtresimet e artit, ai hedh vetveten, një identitet lehtësisht i kapshëm.

Ajo që e ngre në një shkallë të lartë këtë krijues është dhe volumi i punëve. Galeria e tij është ndoshta nga më të pasurat e krijuesve të fushës së grafikës, pikturës, karikaturës.
Vizatimi është shembulli më i mirë i komentit politik të fuqishëm; vëzhgimet e një artisti që ndjehet me vështirësitë, me të cilat ballafaqohen ata që largohen nga vendet e tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë. Galeria e tij e pasuruar me figura historike, dallon për një shumllojshmëri qasjesh për të shterruar në një ngacmim që atë e grish gjithnjë. Përveç shtjellimit tejet shprehës të plagës së refugjatit, prej së cilës ai ka lënguar, Sulaj ka një numër të konsiderueshmë punësh ku dallon nevoja për të rijetuar fëmijërinë, duke e risjell këtë etapë të jetës me të gjithë elementët përbërës. Detaji në këto punë bën diferencën, sikurse i jep njëjësisë së qasjes një këndvështrim të ndryshtë. Gjithpoaq ky cak ka qenë dhe mbetet gjithnjë një përfshirje. Kudo ai përpiqet të përcjell përmes kësaj tematike mallin dhe nostalgjinë e viteve të kredhura thellë në honin e kohës. Ngulmueshëm ai zbret poshtë, atje ku zgjon përmallshëm atë të shkuar që e ndihmon të jetojë të tashmen, të shpjegojë dhe shugurojë atë çfarë e lartëson atë në shpirt dhe e fisnikëron në art.

Ai u tregon të gjithëve se cili është misioni i artistit, se çfarë është në gjendje të bëjë arti. Ai i lejon të gjithëve të lexojnë një moment, të përjetojnë një ngjarje, të përfshihen në një kapërcyell kohe, të shterojnë emocionalisht për t’i dhënë jetë një kujtimi, të jetë kudo, edhe atje ku ata duan po s’munden. Arti i Agim Sulaj jo vetëm është por edhe dëshmon, jo vetëm shprehet por edhe lejon që zëri dhe vullneti i çdo force reaguese t’i bashkohet këtij mëtimi, këtij kumtimi. Ai është kudo dhe asgjë nuk i shpëton syrit dhe fshikullit të tij. Fëmijëria e ëmbël dhe kujtimet, malli dhe pritja, vendlindja dhe tokëpranimi, janë për të frymëmarrje që ravijëzon përmes trajtash dhe formash, ngjyrash dhe shprehishë, metaforash dhe kodikësh të artit. Gjithëçmos flet nëpërmjet artit të tij, gjithkush e gjen veten të përfshirë dhe përjetues të atij momenti që shpërthen nga vetjakja e artistit për t’u bërë e brendshmja e gjithkujt, frymëzuesja e çdo ndjenje jetësimi, shprehësaj e çdo force reagimi.

Piktori dhe karikaturisti, Agim Sulaj, është një vlerë, një monument i kulturës dhe dëshmim i shpirtit tonë krijues. Ai është ne vetveten e tij krijuese, gjithçka që ne jemi në nevojën për të ndjerë artin, për të kuptuar dhe kumtuar atë çfarë arti, më shumë se gjithçka tjetër thotë dhe përcjell, jeton dhe përjetëson.

SHKARKO APP