Akademia e Shkencave: Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në tre shtete
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Maqedonisë për njohje e shqipes si gjuhë zyrtare. “Faktorizimi i shqipes si gjuhë zyrtare në Maqedoninë fqinje është në të njëjtën kohë faktorizim i letërsisë shqipe dhe traditës e kulturës shqiptare bashkë me të. Gjuha shqipe historikisht nuk është shfaqur e nuk kthyer kurrë në kufi për gjuhën e tjetrit. Shkrimtarët dygjuhësh në Maqedoni, me të mirënjohurin Luan Starova dhe të tjerë si Kim Mehmeti, janë një pasuri e përbashkët e dy historive të letërsisë”,- thuhet në deklaratën e Akademisë.
Deklarata e plotë:
Prej datës 14 mars 2018 gjuha shqipe ka statusin e një gjuhe zyrtare edhe në Republikën e Maqedonisë. Me vendimin që mori Kuvendi i shtetit fqinj, shqipja tashmë shenjohet si gjuhë zyrtare në tre shtete.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e përshëndet me gëzim të madh këtë ngjarje me rëndësi historike, duke vlerësuar se me vendimin e tyre ligjvënësit e shtetit fqinj jo vetëm u njohën shqiptarëve një të drejtë të merituar, por dhe shfaqën para botës së qytetëruar një mendësi krejt të re.
Europeizmi, thelbi i të cilit është tejkalimi i kompleksit të antagonizmit dhe konfliktualitetit me fqinjët, iu bë i njohur botës si prirja sunduese dhe më autoritare edhe në institucionin më të lartë shtetëror në Maqedoni, bashkë me njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Gjuha shqipe ka mbijetuar nëpër mjegullën e shekujve në bashkëjetesë dhe marrëdhënie të natyrshme me gjuhët e gjalla e ato të vdekura të rajonit; me gjuhët e perandorive dhe të supershteteve; me gjuhët e qytetërimeve dhe të liturgjive, me gjuhët e fqinjëve dhe të jofqinjëve.
Njësia e gjuhës shqipe në funksionet e saj zyrtare është përbërësja e vetme njësuese e shqiptarëve në pikëpamjen kombëtare. Shekujt i kanë ndarë ata nga pikëpamja territoriale në disa shtete dhe nga pikëpamja e besimit janë të bashkuar në disa komunitete fetare.
Faktorizimi i shqipes si gjuhë zyrtare në Maqedoninë fqinje është në të njëjtën kohë faktorizim i letërsisë shqipe dhe traditës e kulturës shqiptare bashkë me të. Gjuha shqipe historikisht nuk është shfaqur e nuk kthyer kurrë në kufi për gjuhën e tjetrit. Shkrimtarët dygjuhësh në Maqedoni, me të mirënjohurin Luan Starova dhe të tjerë si Kim Mehmeti, janë një pasuri e përbashkët e dy historive të letërsisë.
Gjuha shqipe si gjuhë zyrtare me siguri do të forcojë paqen e brendshme shoqërore në Maqedoni dhe do të inkurajojë hapa të tjerë emancipues në rrugën e përbashkët drejt procesit europeizues.
Shqiptarët në Maqedoni me siguri do ta shohin shtetin e tyre të përbashkët me popullsinë shumicë si qytetarë që gjenden sovranë në vendin e tyre.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përshëndet të gjitha përpjekjet e intelektualëve dhe të ligjvënësve të vendit fqinj për ta arritur këtë rezultat.