Aktorja Rajmonda Marko, një Zonjushë Margarita
Nga Xhahid Bushati
Shënime rreth interpretimit të aktores Rajmonda Marko në monodramën “Zonjusha Margarita” të Roberto Athayde, shfaqur në skenën e teatrit “Migjeni”, Shkodër-
Para ca ditësh, në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, u shfaq monodrama me titull “Zonjusha Margarita”, interpretuar nga aktorja e këtij teatri Rajmonda Marko, me regji të Merita Smajës.
Njihemi me një tekst (monolog), ku është gdhendur një personazh tragjikomik, i konceptuar dhe i shkruar dramaturgjikisht nga dramaturgu dhe poeti brazilian Roberto Athayde. E solli në “jetë” këtë tekst të shkëlqyer në të gjitha problematikat e arsimit do të thosha, kur autori ishte 21 vjeç. Një talent i fuqishëm, i cili shkroi këtë tekst solid, ku çdo fjalë dhe fraza ka plot ngjyresa e nëntekste, janë të mirëmënduara dhe të mirëvendosura në funksion të situatave që vinin si ato rrathët e ujit, ku në finale zbulonin filozofinë e Margaritës, filozofi që ishte e ndërtuar mbi bazën e marrëdhënieve me nxënësit e saj, përmes lëndëve që ajo jepte me plot pasion dhe frekuenca oratorie. Marrëdhia mësuese – nxënës përmban sa lizizëm aq tronditje, sa e përmbajtësuar rregullave e metodikave arsimore, aq dhe prishja e këtyre formateve e kanoneve. Një ekuilibër dhe joekuilibër mes dy botëve! Teksti këtë e paraqet me realizëm dhe poetikisht mrekullishëm.
Mendoj që regjisorja Merita Smaja në punën e saj krijuese përmes interpretimit të Rajmondës – Zonjusha Margarita, ka ruajtur dhe evidentuar qartësinë e tekstit (përmes fabulës dhe kompozicionit), ruajtjen e frazës në melodinë e saj e pikëzuar në rrafshin e komunikimit, ruajtjen e filozofisë së çdo lënde mësimore në raport me jetën, etj. (Çdo lëndë mbart një filozofi, një mesazh…) Pra, kemi të bëjmë me një shumësi marrëdhëniesh, si: -Zonjusha Margarita përballë vetvetes (zbulon dhe rizbulon botën e saj), Zonjusha Margarita përballë nxënësve dhe anasjelltas, – Zonjusha Margaritë përballë Jetës, – Nxënësit përballë ‘leksioneve’ të mësueses së tyre dhe të udhëtimit nesër në jetë. I gjithë ky shtresëzim (prerjesh, konfliktesh, peripecish, kryqëzimesh, etj) që mishërohet në interpretimin e aktores Rajmonda Marko, krijon emocion, të papritura, shpalime të botës së brendshme, lejtmotive frazash si mesazhe, etj., dhe në finale realizimin e një modeli mësueseje, ku ne kuptojmë se drama e njeriut në diktaturë na bën të besojmë se aktualiteti i kësaj marrëdhënie nuk humbet kurrë, është dhe mbetet aktual, pavarësisht se në ç’kohë dhe hapësirë, në ç’rrethana është shkruar vepra. Me këtë ngarkesë emocionale e artistike, përmes raportit Liri – Diktaturë, jetesë – ekzistencë, dhe estetikisht tragjikja dhe komikja ku “përleshen” fyta-fytas; interpretimi i Rajmonda Markos ishte dinjitoz. Ajo ishte mbështjellë estetikisht bukur me lëkurën e personazhit dhe, ngaqë e kishte zbërthyer deri në detaje (kontribut dhe i regjisores Smaja), na bëri për vete, ndaj dhe fitoi duartrokitjet e spektatorëve.
Gjatë gjithë interpretimit, përmes një plastike të admirueshme, aktorja Marko shfaqi konceptin, filozofinë dhe ndërtimin dramaturgjik të personazhit. E dashuroi atë! E njeh për së mbari ecurinë e tij gjatë gjithë monodramës: Nga është nisur, si e jeton profesionin dhe ku do të arrijë. Ndaj, e ka nënvizuar mirë dhe kujdesshëm Zonjushën Margarita, me natyrën, zakonet, botën, veset, përparësitë… Mbase, kjo është arsyeja që tipi i paraqitur nga aktorja Marko paraqet interes në disa aspekte aktoriale, të cilat po mundohem t’i shpjegoj si më poshtë:
Gjatë gjithë interpretimit Marko-Margarita ruan një marrëdhënie “të shpirtëzuar” me nxënësit. Ajo në çdo çast ruan vëmendjen e duhur, nuk i shpëton asgjë dhe ruan koherencën e tyre. Në këtë përballje, ajo është e kujdesshme, e gjallë dhe kreative. Përballja nuk njeh venitje. Përballja, aktoren Marko – Margarita, pothuajse gjatë gjithë komunikimit e kthen në një ‘fytyrë porosie’.
Gjatë gjithë interpretimit Marko-Margarita, dialogu ruan valëzime (të dukshme, të padukshme, të lehta, të ashpra) në varësi të situatave të krijuara, të mirëpranuara dhe… për t’u dhënë zgjidhjen e duhur. Marko-Margarita paraqitet e butë, e dashur, fjalëëmbël, e këndshme, e egër (me nuanca dhe diktatoriale), intime, e beftë, e paparashikueshme… dhe vendimtare. Në çdo rast e në çdo moment zotëruese e klasës, ‘zot’ i saj.
Gjatë gjithë interpretimit Marko-Margarita, Rajmonda-Zonjushë gjatë komunikimit me nxënësit, i mëshon filozofisë së jetës. (Këtu mendoj, ashtu si gjatë gjithë kohës së interpretimit, aktorja shpërfaq dhe thellon talentin e saj. Dhe kjo pikaset në mimikën e saj, e cila bëhet herë tragjike e herë komike. Shpesh edhe shpërfytyrohet, por menjëherë bie në konstanten e personazhit. Sepse përballet me situata që ajo vetë i ka krijuar në funksion të leksioneve të saj. Për këtë e ndihmon edhe larmia e ngjyrave të zërit të saj.
Gjatë gjithë interpretimit Marko – Margarita, leksionet e Zonjushës kanë tkurrjen dhe zgjerimin e tyre hapësinor dhe kohor. Fjalët e vyera prej mësueseseje dhe prindi, shëtisin brenda klasës, dalin jashtë saj, si dhe anasjelltas. Të gjitha këto leksione (kujtoni shfletimin e faqeve) përçohen dhe realizohen artistikisht përmes një plastike dhe lëvizjeve të gjera në skenë, sa në një kënd aq edhe në tjetrin. Dua të ndalem, pikërisht, në këtë moment, që sipas meje është një gjetje e bukur regjisoriale dhe realizim artistik i interpretimit të aktores.
Arsyetoj kështu: Margarita, në thelb, është personazh tragjik. Si e tillë, përmes mimikës, lëvizjeve të duarve, e të gjithë përfshirjes së skenës sa andej-këtej, ajo kërkon të fitojë lirinë e vërtetë, të munguar. Ndaj, në këtë lëvizje po e themi të shfrenuar, por gjithë zhdërvjelltësi, në kërkim të lirisë së munguar siç e thashë, ajo shpalos botën e saj të pasur, botën e vullnetit, të pasionit shpirtëror të profesionit. Teksa lëviz gjallërisht, teksa flet (gjatë interpretimit) atë e mundon diçka shpesh e papërcaktuar. Për rrjedhojë, në një mënyrë apo tjetër, ajo kërkon të mos e humbasë shikimin tek nxënësit, të mos humbasë kontrollin, të mos humbasë dialogun, të vetmin mjet shprehës të vyer. Ajo kërkon një herë e gjithëherë të jetë në fokus të situatës a të ngjarjes. Për të kapërcyer një shmangie të tillë, ajo me shumë elokuencë e maturi, në ligjërimin e saj, plot efekt fut fjalë parazitare, onomatopeike, si e si të mos prishet asnjëherë ekuilibri i kësaj marrëdhënie të krijuar.
***
Aktorja Rajmonda Marko gjatë interpretimit të saj në këtë monodramë, na dha një figurë të besueshme e me një botë të pasur, ku për Zonjushën Margarita ndiejmë edhe dashuri, edhe keqardhje. Zonjusha Margarita pasuron galerinë e personazheve të krijuara në jetën artistike të aktores Marko. Ky rol, i Margaritës u dimensionua gjatë gjithë shfaqjes, një shfaqje ku pamë një figurë komplekse dhe e realizuar me mjeshtëri nga aktorja Rajmonda Marko.
Në vlerat e shfaqjes, pjesën e vet të rëndësishme ka dhe regjisorja e talentuar Merita Smaja, që punën e saj e konkretizoi një shfaqje plot emocion dhe dukuri reale jetësore. Njerëzorja e shoqëroi gjatë gjithë kohës monodramën. Së fundi, mendoj se është një punë e bukur në repertorin e shfaqjeve të teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Shkodër, shkurt 2018