Alban Skënderaj, zëri i magjishëm i një shpirti që thërret në përjetim

Nga Albert Vataj – 

(Portret i paautorizuar)

Alban Skënderaj është një prej këngëtarëve që ka arritur të mbetet një individualitet artistik i pakorruptuar në rrafshin etik dhe estetik. Në një të tashme përballjesh të përbinshme vlerash dhe antivlerash, mekanizmash të ububushëm të tjetërsimit të vullnetit dhe denigrimit ekzekutues të artit magjik të muzikës, ai ka sfiduar. Saktësisht nuk ka triumfuar Albani, por gjithe ajo galeri tiparesh dhe karakteristikash që kanë përfaqësuar dhe mbrojtur besnikërisht këtë këngëtar, vetëdijen e tij artistike, përgjegjësinë e lartë të ballafaqimit me publikun.
Pavarësisht se mbetet e diskutueshme, një përshtypje personale nuk mund të jetë definitivisht një Eureka e vërtetësisë së vlerës. Gjithsesi mbetem besues në intuitën time selektive dhe vlerësuese, jo si një ekspert i muzikës, por si një adhurues i saj.
Alban Skënderaj, ndoshta është i vetmi prej asaj begatie, me të cilën na shpërblena pranvera e përgjithmonshme e muzikës shqiptare, i cili gjithnjë vjen i vlertë dhe i admirueshëm. Secili nga ne mund të jetë i kapur nga emocioni dhe mendimi që mund të artikulojë në lidhje me gjykimin artistik të një këngëtari. Me gjasë mendimi i tij merret me rezervë. Por kur ai, ndaj të cilit ke vendosur të përpilosh një arsyetim gjykues është Alban Skënderaj, çdo qasje pozitiviteti mbetet e mirëqenë. Sepse ky këngëtar dukshëm, nuk nis fluturimin në epshin krijues, i shtytur nga komerci dhe popullariteti, nga ajo betejë e ethshme e ballafaqimit online, por nga kritere të ftohta artistike.
Ai, si çdo këngëtar tjetër, si çdo gladiator i kësaj sfide të përbindshme të betejës për dominim, përpjekjet i mbështet mbi mundësi reale dhe matshmëri të kalkuluara drejt. Ai nuk është në garë me asnjërin prej atyre që popullojnë nevojën tonë gjithnjë e më të epshme për muzikë dhe gjallëri, për emocion dhe përjetim. Ai është përballë kritereve të rrepta të ambicies vetjake artistike. Për Albanin duket se nuk ka rrezik më të madh që kërcënon muzikën, se sa nxitimi, se sa ngulmi me çdo mjet dhe qëllim të mbushi me interesim një diçka të zbrazur artistikisht. Këtë më së miri e tregon maturia dhe profesionalizmi, parakushte që ai i vendos vetes para së të ballafaqohet me publikun. Ai ka të njëjtën përgjegjësi artistike-estetike si për vetveten ashtu edhe për publikun, të cilëve u drejtohet si në një nevojë komunikimi, i bindur se gjykimi i tyre është i rreptë dhe i drejtë.
Ai artist që ka respekt për publikun, është vlerësues dhe mirënjohës për adhurimin, me të cilin ata i qasen një këngëtari, ai e ka të garantuar suksesin, atë sukses i cili nuk konsiston vetëm në numrin e shikimeve në Youtube, të pëlqimeve në Facebook, të ndjekësve në Instagram, por në admirim. Ruajtja e konstantes në përballje me publikun, mbetet një vlerë për këngëtarin Alban Skënderaj. Kuotimi gjithnjë në rritje, është dëshmi e intuitës së tij artistike, e vlerësimit me urtësi dhe dinjitet i asaj ndjenje që përcjell përmes poezisë dhe klipit, performimit dhe përfshirjes emocionale, ruajtjes së sensit të masë.
Publiku çmon te ky këngëtar zërin dhe përformancën, poezinë dhe fabulën, mesazhin dhe përjetimin, ashtu siç nuk e fsheh edhe vlerësimin për planin njerëzor që ai shpreh.
Një admirues i muzikës në rrethanat e perceptimit ndijuese është më shumë se asnjëherë tjetër i sinqertë, me veten dhe me artistin. Ai nuk bën kompromise, nuk toleron, nuk pajtohet me diçka që bie ndesh me nevojat e tij imediate për përfshirje emocionale në përjetim artistik. Ai dëgjon, sheh, kupton, ndjen dhe gjykon, dhe vendimi i tij është i drejtë dhe i patjetërsueshëm, pavarësish reve toksike të paragjykimeve që i rrinë përsipër kërcënueshëm, duke e akuzuar si pa shije dhe me një ndjeshmëri të korruptuar.
Jo, publiku, admiruesit, adhuruesit e muzikës kanë të drejtë edhe kur ata “gabojnë” me vetëdije, sepse ata shprehin nëpërmjet pranimit pëlqyes atë nevojë imediate, e cila e mbush, e përfshin, e pjesëmerr si në një dehje, si në një magji, për ta kredhur shpirtërisht dhe emocionalisht në përjetim.
Alban Skënderaj është një nga ata zëra, një prej atyre përfaqësuesve të traditës së muzikës shqiptare, që diti të ishte gjithnjë në qendër të vëmendjes, jo për arsye jashtëartistike, por thelbësisht muzikore. Ndoshta ai më mirë si kushdo tjetër ka ditur të trokasë në zemrat e njerëzve, t’u flasë ndjenjave të tyre me një pastërti dhe ngrohtësi të admirueshme, të jetë i sinqertë dhe i thjeshtë, të jetë dashamirës dhe falënderues deri në përulësi. Në fund të fundit, cili është misioni i një artisti përtej këtij përcaktimi? Kënga, muzika, poezia, emocioni janë gjymtyrët e shpirtit të një artisti, janë ato fije të holla ndijimi, me të cilën ai end vellon e magjishme që vesh solemnitetin krijues. Kjo qasje është religjoni i idhujtarisë së besimit, se muzika zgjedh të jetë altar që nuk kërkon njerëz që gjunjëzohen për shpirtra që lartësohen në përjetim.

No photo description available.

SHKARKO APP