Albanologu Matteo Mandalà, vlerësohet me titullin “Doctor Honoris Causa”

Matteo Mandalà, albanolog i njohur, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali u vlerësua të mërkurën me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë, akorduar nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë.

Siç raporton agjencia telegrafike shqiptare, në ceremoninë e zhvilluar në Aula Manjën e Universitetit, në prani të stafit akademik dhe të ftuarve të tjerë nga bota akademike shqiptare brenda e jashtë kufijve, rektori prof.dr.Roland Zisi, veçoi rolin dhe kontributin e profesor Matteo Mandalà, në fushën e albanologjisë, duke e cilësuar këtë moment një ngjarje akademike e kulturore me vlera të veçanta. Duke ju referuar dëshirës së tij të hershme për të nderuar figurën dhe kontributin e profesor Mandalà në një format të tillë, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, prof.dr. Roland Zisi u ndal tek vendi që ai zë në albanologjinë e 3 dekadave të fundit, tek  vlerat e larta intelektuale e njerëzore, tek roli që ka luajtur edhe në bashkëpunim me profesorin dhe akademikun Francesco Altimari, për të ringritur urat mbi Adriatik, për të ndriçuar lidhjet e shumta kulturore midis dy brigjeve të detit, i cili, sipas tij, më shumë na ka bashkuar dhe nuk na ka ndarë asnjëherë.

“Sot ne e realizuam së bashku atë ide të vjetër, e bëmë realitet. Eshtë një gjest i vogël dhe modest dhe shumë pak në raport me atë që meritoni, po të kemi parasysh veprën tuaj, rolin dhe kontributin tuaj elitar: në fushën e studimit të letërsisë shqipe, sidomos asaj arbëreshe, prej fillimeve deri në ditët e sotme; në lëmin e botimeve kritike me koncepte moderne të thella filologjike dhe me metoda shkencore kritike-gjenetike të kësaj letërsie, e cila është përcjellë në mënyrë jo korrekte ndër lexuesit dhe shkollaret shqiptarë, brenda kufijve politikë të Shqipërisë, në fushën e studimeve të traditave shkrimore e joshkrimore arbëreshe e shqiptare; në frontin e albanologjisë e antropologjisë; në fushën e kritikës letrare dhe pjesëmarrjen në debatet më të rëndësishme lidhur me gjuhën dhe identitetin kombëtar”, nënvizoi prof.dr. Roland Zisi, duke ju drejtuar profesor Matteo Mandalà.

Sipas Zisit, duke nderuar me diplomën e lartë “Doctor Honoris Causa”, prof. Matteo Mandalà,  në të njëjtën kohë nderohet emri i universitetit, emri i Ismail Qemalit, atij që i hapi rrugën shkencës dhe arsimit shqiptar.

Nga ana e tij, prof.dr.Bardhosh Gaçe, duke përvijuar figurën akademike të prof. Matteo Mandalà, theksoi se, ai është një personalitet i veçantë i dijes dhe kulturës arbëreshe. “Studimet filologjike dhe albanologjike të  prof. Matteo Mandalà, në dekadat e fundit, kanë ushqyer edhe ne pedagogët dhe studentët e Universitetit “Ismail Qemali”, si edhe universiteteve të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kozencë, Palermo, Napoli, Leçe, Romë etj”, tha Gaçe, ndërkohë që shtoi se, mjaft vepra të Mandalà, na zbulojnë trungun gjuhësor të shqipes, si edhe rrjedhat etnohistorike të botës shqiptare. Duke u ndalur në punën e jashtëzakonshme kërkimore shkencore të prof. Matteo Mandalà, akademik Francesco Altimari vlerësoi gjithashtu kontributin e tij të konkretizuar me botimet e shumta të realizuara. “Vështirë të ketë një autor të traditës tonë arbëreshe, apo shqiptare, të mos jetë objekt i interesit kritiko letrar dhe filologjik të studiuesit tonë të shquar”, nënvizoi akademik Francesco Altimari. Sipas tij, merita e parë që albanologjia duhet t’i njohë Matteo Mandalà, është ajo për rishikimin pothuajse të tërë traditës letrare arbëreshe të Siçilisë, por edhe të një pjese të mirë të asaj të Kalabrisë. Ai veçoi kontributin e jashtëzakonshëm të Matteo Mandalà, kur me rastin e 200 vjetorit të lindjes së De Radës, rishikoi me sy kritik gjithë veprën letrare të këtij poeti të madh, duke e inkuadruar atë në një rrjedhë të re shqyrtimi dhe interpretimi, që pasqyrohet sot në kontributet e përmbledhjes së fundit të tij kritiko letrare “Jeronim De Rada, portret artisti në rini”. Duke falenderuar për vlerësimin me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”, i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, prof. Matteo Mandalà, u ndal tek disa nga drejtimet e veprës së tij që ka si pikë reference albanologjinë. “Arbëreshët e Italisë, përbëjnë një realitet kulturor të çmuar në panoramën e pakicave gjuhësore europiane”, theksoi mes të tjerash ai. Prof. Matteo Mandalà, është albanolog i mirënjohur, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi. Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai njihet si themelues i filologjisë moderne shqiptare, autor librash dhe ruajtës i trashëgimisë arbëreshe. Prof. dr. Matteo Mandalà, është përgjegjësi i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo). Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme, filolog e botues i shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare, ai vlerësohet si intelektual me interesa të gjera dhe dijetar me kontribute të spikatura në disa fusha të dijes kombëtare, përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike e universitare.

SHKARKO APP