Albert Ajnshtajn dhe Georges Lemaître, dy horizonte të mendimit kozmologjik në një foto të rrallë

Në këtë fotografi historike nuk kemi thjesht dy burra që bisedojnë. Kemi dy paradigma që përplasen, dy mënyra të të menduarit universin, njëri, arkitekti i relativitetit që kishte riformatuar gravitetin si gjeometri të hapësirë-kohës; tjetri, prifti-matematikan që guxoi ta marrë seriozisht pasojën më radikale të atij relativiteti, se universi nuk është statik.

Kur Ajnshtajn formuloi Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit (1915), ekuacionet e tij lejonin një univers dinamik: ose në zgjerim, ose në tkurrje. Por ai, i ndikuar nga kozmologjia e kohës që e konsideronte universin të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, shtoi një term shtesë, konstanten kozmologjike, për ta “stabilizuar” modelin.

Lemaître, i formuar në matematikë dhe fizikë teorike, por edhe në teologji, i lexoi ekuacionet pa paragjykimin e “qetësisë kozmike”. Në vitin 1927, ai publikoi një punim ku zgjidhte ekuacionet e relativitetit për një univers homogjen dhe izotrop në zgjerim, duke lidhur këtë zgjerim me zhvendosjen drejt të kuqes të mjegullnajave spirale (atëherë ende nuk quheshin qartësisht galaktika). Ai parashikoi madje edhe marrëdhënien lineare mes shpejtësisë së largimit dhe distancës, atë që më vonë do të quhej “Ligji i Hubble-it”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur u takuan në Kongresin e pestë Solvay (1927), Ajnshtajn e dëgjoi me vëmendje, por reagimi i tij ishte i ftohtë: “Llogaritjet tuaja janë të sakta, por fizika juaj është e neveritshme.” Kjo fjali nuk ishte një fyerje personale; ishte rezistenca e një mendjeje gjeniale ndaj pasojës filozofike të teorisë së vet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në vitin 1931, Lemaître e shtyu më tej idenë: nëse universi po zgjerohet, atëherë duke e ndjekur mbrapsht në kohë, ai duhet të ketë qenë dikur i përqendruar në një gjendje jashtëzakonisht të dendur dhe të nxehtë, “atomi primitiv”. Kjo nuk ishte ende “Big Bang” në terminologjinë moderne (termi do të përdorej me ironi nga Fred Hoyle në vitin 1949), por ishte thelbi i modelit të sotëm kozmologjik.

Këtu qëndron radikaliteti i Lemaître: ai i dha universit një histori. Një fillim fizik të kohës dhe hapësirës, jo në kuptim metafizik, por si pasojë e ekuacioneve diferenciale të relativitetit.

Në vitin 1929, Edëin Hubble publikoi rezultatet e tij mbi zhvendosjen drejt të kuqes të galaktikave, duke treguar se ato largoheshin proporcionalisht me distancën. Universi po zgjerohej realisht.

Ky ishte momenti kur teoria u përball me faktin. Ajnshtajn e braktisi modelin statik dhe më vonë, gjatë një vizite në SHBA në vitin 1933, i njohu publikisht meritën Lemaître-it. Thuhet se ai e quajti këtë “shpjegimin më të bukur dhe më të kënaqshëm të krijimit” që kishte dëgjuar ndonjëherë, një fjali që shënon jo vetëm madhështinë e idesë, por edhe madhështinë e një mendjeje që di të rishikojë veten.

Në vitin 1965, Arno Penzias dhe Robert Wilson zbuluan rrezatimin kozmik të sfondit, një jehonë mikrovallore e universit të hershëm, e parashikuar teorikisht nga modelet e Big Bang-ut. Ky zbulim e konsolidoi përfundimisht modelin e universit në zgjerim me një fillim të nxehtë dhe të dendur.

Kështu, ajo që nisi si një zgjidhje matematikore e diskutueshme, u bë paradigma dominuese e kozmologjisë moderne.
Një element thelbësor në figurën e Lemaître-it është qëndrimi i tij epistemologjik. Pavarësisht se ishte prift katolik, ai këmbëngulte në ndarjen strikte mes teologjisë dhe kozmologjisë. Ai kundërshtoi çdo përpjekje për ta përdorur Big Bang-un si “provë” të krijimit biblik. Për të, shkenca merret me “si”-në e universit; feja me “pse”-në ekzistenciale.

Ky pozicion është një model integriteti intelektual: ai nuk e përzjeu autoritetin e fesë me autoritetin e ekuacioneve.

Debati Ajnshtajn-Lemaître nuk është thjesht episod historik, është shembull paradigmatik i dinamikës së shkencës, sepse teoria lind nga struktura matematikore, intuita filozofike mund ta frenojë ose ta nxisë interpretimin, verifikimi empirik është arbitri përfundimtar. Kësisoj edhe gjeniu duhet t’i nënshtrohet provës.

Në këtë kuptim, fotografia e tyre është ikonë e etikës shkencore, përplasja e ideve, guximi për të propozuar të paimagjinueshmen dhe madhështia për ta pranuar kur faktet flasin ndryshe.

Universi në zgjerim nuk është vetëm një model fizik; është metaforë e vetë mendimit njerëzor, që zgjerohet, korrigjon veten dhe lind nga tensioni mes skepticizmit dhe vizionit.

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?