Albert Frashëri, një ndër pesë fituesit e konkursit “Premio Letterario Internazionale Indipendente” në Itali

Shkrimtari shqiptar, Albert Frashëri, një ndër pesë fituesit e konkursit “Premio Letterario Internazionale Indipendente” në Itali

Nga Dashnor Kaloçi

Këto ditë u publikua seleksionimi i fituesve të një konkursi letrar ndërkombëtar që, për rezultatet e tij, paraqit interes edhe për kulurën tonë kombëtare. Është fjala për konkursin “Premio Letterario Internazionale Indipendente”, edicioni VI-të që këtë vit i përkushtohet kujtimit të shkrimtarit meksikan Carlos Fuentes (1928-2012), vepra e të cilit ka merituar çmime maksimale nëpër botë. Ky konkurs i organizuar nga “Orizzonte Atlantico” është konceptuar në tre gjuhë: nga Franca, Italia e Spanja dhe frekuentohet nga shkrimtarë të shumë vendeve të botës. Në Itali qëndra e tij është në Torino. Regullorja e konkursit shpall pesë fitues për gjininë e romanit në frëngjisht, spanjisht dhe italisht, pavarësisht nga nacionaliteti i autorëve.  Në datën 19 nëntor 2018 juria shpalli 5 fituesit e konkursit, nga të cilët në datën 9 dhjetor njëri do të meritojë çmimin maksimal. Lista e fituesve dëshmon pjesëmarrjen në konkurs të shkrimtarëve nga shumë vende të botës. Ja cilët janë fituesit në rend alfabetik:

Bichet Yves, Francia, “Trois enfants du tumulte”, Paris 2018

Bureau Ginette, Canada, “A cause de papa”, Montreal 2013

Frasher Alberto, Italia, “La Quinta”, Roma 2018

Majfud Jorge, Uruguay, “El mar estaba sereno”, Madrid 2016

Odriozola Patricia, Argentina, “Felisberto”, Buenos Aires 2018

Romani “La Quinta” i Albert Frashërit, për të cilin jemi ndalur edhe në disa shkrime të tjera tw mëparwshme, ka një sfond historik me ngjarje nga Shkodra në Tiranë me një grup artistësh. Ai i kushtohet konfliktit midis qytetarit dhe regjimit diktatorial të viteve ’60-’80. Në plan të parë të këtij konflikti janë një grup artistësh dhe drama e tyre. Nga ana tjetër autori i bën të njohur lexuesit shumë aspekte të jetës individuale të tyre, vështirësitë por edhe forcën e tyre. Dhuna e regjimit totalitar të Tiranës i dënon, i privon nga liritë elementare të njeriut por nuk arrin të tjetërsojë natyrën dhe bindjet e tyre. Ky roman është një hymn kushtuar njeriut që në një farë kuptimi e mposhti totalitarizmin. Argumenti i kalon kufijtë kombëtarë të një vendi sepse konflikti mes artit dhe kreativitetit, në përgjithësi, karakterizon raportin midis shoqërisë dhe formave të devijuara të pushtetit. Kjo ka ndodhur me çdo regjim autoritar, sot dhe në të gjitha kohërat.

Nuk është e rastit që ky roman i Albert Frashërit u klasifikua ndër finalistët edhe në konkursin ndërkombetar të letërsisë “Pergola d’Arte” (Firenze) në tetor, pra para një muaji. Tema dhe idetë e kësaj vepre të Frashërit, me sa gjykohet nga të dhënat e këtyre ditëve, gjejnë një shprehje intensive e të thellë në introduksionin me të cilin ai paraprin leximin e romanit. Ai introduksion nuk mund të mos jetë ndikuar edhe nga privacionet në jetën personale të autorit. Nga një intervistë e tij e vitit 2016, që rastësisht e pashë këto ditë, mësova sa i shpreh ai gazetarit A.Dursun: “Unë kam punuar mjaft në Shqipëri dhe jam mirënjohes për shumë konsiderata që më shprehin edhe sot shumë kolegë dhe ish studentë të mij. Megjithëse në Bibliotëken Kombëtare janë mbi 100 skeda me punime të mijat, libra si autor apo bashkëautor, publicistikë e studime mbi universin filozofik e kulturor të kombit, unë nuk kam patur asnjë mirënjohje formale nga shteti, por jam i lumtur që atë mirënjohje ta kem ndjerë në thelbin e vet nga njerëzit që më kanë rrethuar dhe nga raportet që kam patur me ta.”

Pra le të kthehemi te introduksioni që unë e kam lexuar të përkthyer në shqip, i cili u botua para pak ditësh nga Californian Academia Education i përkthyer në anglisht, me siguri, për vlerat që ka në njohjen e totalitarizmave të shekullit të kaluar. Ja çfarë konkludon autori në atë introduksion-essè:  “. . . E ardhmja ka pak kuptim e mundësi të realizohet pa një referim historik e kulturor. Do të ishte si të ecësh mbi ujë. Njohja dhe kuptimi i thellë i të kaluarës janë absolutisht të nevojëshme për të krijuar vetëdijen e qytetarit për një ide e projekt të së ardhmes. Në dy dekadat e fundit, evolucioni, përsosja e rendit demokratik janë frenuar në favor të nostalgjive të së kaluarës. Kriza e thellë e kohës sonë e shtyn qytetarin të rijetojë një lloj nostalgjie të së kaluarës….”

Ata që mbijetuan pas Holokaustit dhe krejt tragjedisë së luftës së Dytë Botërore thuajse janë larguar nga kjo jetë. Brezat e ardhëshme do të mund ta kuptojnë dhimbjen njerëzore dhe kuptimin më të thellë të asaj tragjedie, edhe nga librat e historisë, por kryesisht nga veprat e artit me letërsinë në krye. Njeriu modern, i lodhur nga rutina e jetës, eviton të rrëfejë pakënaqësitë e ekzistencës vetjake, refuzon idenë e të qënurit keq dhe, me ndihmën e propagandës, ndjen më pak vuajtje, madje, ka ndjesinë e një lumturie të trishtuar. Braktisen afeksionet, pasionet, talentet dhe, në mënyrë të paevitueshme, zbehen pamjet më njerëzore të ekzistencës sonë. Këto rrethana mund të ushqejnë rritjen spontane dhe latente të nostalgjive të së kaluarës dhe të rreziqeve që ato sjellin. Duhet të jemi të vëmendshëm e të matur. “Në çdo njeri,- thoshte Platoni,- dremit një tiran”

Le ta përgëzojmë autorin, Frashëri me këtë rast, për punën këmbëngulëse të tij dhe cilësinë e prozës, sikundër dëshmojnë vlerësimet e fundit të veprës së tij. Kjo vepër i përket edhe realitetit dhe letrave shqipe sepse proza, stili dhe ndjeshmëria e tij i përkasin edhe universit kulturor të kombit tonë.

 

SHKARKO APP