Aleksandër Meksi prezanton librin “Xhamitë e Shqipërisë. Historia, Arkitektura, shek. XV-XIX”
“Xhamitë e Shqipërisë. Historia, Arkitektura, shek. XV-XIX” është libri që vjen për lexuesit dhe studiuesit në një pikëpamje studimore dhe historike nga Prof.Dr. Aleksandër Meksi.
Nëpërmjet këtij libri, autori thellon punën e tij kërkimore shkencore, duke na paraqitur një botim të ri më të plotë, për masën e interesuar të lexuesve, studiuesve, besimtarëve, si dhe atyre që janë të interesuar për xhamitë, evoluimin dhe zhvillimin arkitektural të tyre.
Ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së Vonë (shek. XV-XIX). Ato ngrihen në të gjithë trevat e banuara nga shqiptarët gjatë këtyre shekujve, si dëshmi të qartë të një periudhe të historisë së popullit shqiptarë dhe të ndërtimeve në veçanti.
Xhamitë, sahatkullat, medresetë e ndërtuara në Shqipëri e në mbarë viset shqiptare janë produkt i mendjes krijuese të arkitektëve dhe të mjeshtërve shqiptarë, duke ruajtur edhe karakteristikat e objekteve të vendeve të origjinës.
Shumë prej tyre ruajnë vlera të veçanta arkitekturale shqiptare dhe mbeten si monumente të zhvillimit historik të objekteve të kultit në viset shqiptare, të cilat kanë tërhequr e tërheqin vëmendjen e vendasve dhe të huajve, vizitorë e turistë të profileve të ndryshme nga të katër anët e botës./atsh/