Ali Podrimja, poeti i zashmërisë së gjëmimshme të shpirtit

Albert Vataj

Zani dhe pena, zemra dhe poezia e Ali Pidrimjes, kësaj vullnese shpirtnore u kthyen në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të mbramen frymë, tharmi i kangës që diti me e këndue edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrra e tij. Kushtroi me za shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dha krahët e atij zogu krahthyem e kungimi rënkues.
Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.
Lindja dhe shndritja e yllit poetik
Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thirrjet e urisë për liri, dashuri dhe devocion.

SHKARKO APP