Analizë e shkurtër e romanit “Psicho”
Nga: Faruk Buzhala
Ilir Muharremi me romanin e tij Psicho ka arritur që të krijojë një personazh mjaft kontrovers dhe të frikshëm! Guximi i tij që t’i qaset një karakteri të tillë të komplikuar, e bën lexuesin që të hamendet dhe të njohë më mirë botën me të cilën rrethohet dhe në të cilën frymon! Mendja e njeriut është një laborator ku njeriu eksperimenton me veten dhe me të tjerët! E shkrimtarët janë ata që më së miri transformohen në lloj lloj karakteresh dhe krijojnë personazhe mjaft të ndërlikuar, interesantë dhe perversë! Është Oscar Ëilde me Dorian Grejin, është Dostojevski me Raskolnikovin, është Suskindi që krijoi Grenujinin etj. etj. Poashtu janë edhe regjisorët ata që u morën me këtë tematikë, e ndër ta më i famshmi ishte dhe është Hiçkoku me filmin e tij të njohur “Psicho”, Martin Scorcese me filmin e tij “Taksisti” ku rolin kryesor e luan Robert de Niro, etj. Pra, karakteri me të cilin mirret Ilir Muharremi në këtë roman është subjekt edhe i shumë artistëve të tjerë që janë munduar ta paraqesin sa më mirë këtë zonë të errët të psikikës së njerëzve që njihen si vrasës serikë apo Psicho! Pra, autori i këtij romani e ka krijuar në mënyrën e vet një personazh pa emër që e identifikon me një njeri të dështuar në jetë dhe që ka ndërlikime psikike dhe i cili rrëfehet duke i shpalosur para dëgjuesit (që në këtë rast është banakierja, personazhi tjetër statik i këtij romani) të gjitha mendimet e errëta të egos së tij! Është ky një zemërim, që i vie kohë pas kohe, me plot emocione abstrakte dhe të çrregullta!
Po të analizohet më mirë qasja që i bën autori personazhit të tij, mund të shohim dhe kuptojmë botëkuptimet e tij për shumë tema dhe çështje të rëndësishme sociale dhe jetësore! Pezmi i tij shpërfaqet në dimensione konkrete që kanë të bëjnë me tema të caktuara siç janë: vetmia, morali,degjenerimi, seksi, krimi, dhe marrëdhënie të tjera të ndërlikuara personale dhe shoqërore! I tërë subjekti që shtjellohet në këtë roman është një monolog që rrëfehet në vetën e parë dhe le të kuptohet se personazhi pa emër, tërë kohën është nën ndikim të alkoolit! Sentencat filozofike që dalin nga goja e personazhit janë mjaft të sendërtuara dhe paraqesin botëkuptimin e tij rreth çështjeve të caktuara që kanë të bëjnë me aktualitetin. Mllefi i tij shkon aq larg dhe prek deri te ekstremiteti më absurd që njihet me emrin antropofagjia. Ka shumë supozime dhe studime që flasin për këtë akt që nga antika e deri në kohën e tashme. Vërehet se autori ka shfletuar literaturë dhe ka gjetur burime informacionesh te bollshme rreth kësaj teme, të cilat i paraqet në këtë libër duke e bërë sa më të plotë figurën dhe karakterin e personazhit të tij. Në këtë rast më duhet ta parafrazoj një dukuri që e paraqet Orëelli në romanin e tij të njohur 1984 ku në programin e dy minutave të urrejtjes, Uinstoni në një moment e zhvendos shikimin plot urrejtje nga fytyra në tele – ekran tek vajza flokëzezë mbrapa tij dhe për një çast i shkreptijnë në mendje halucinacione të gjalla e të bukura.” Do ta rrihte për vdekje me një shkop gome. Do ta lidhte pas një huri dhe do ta qëllonte me shigjeta si Shën Sebastianin. E mandej do ta përdhunonte dhe do t’i priste gurmazin në çastin e orgazmës. Dhe e kuptoi pse e urrente më qartë se më parë. Sepse ajo ishte e re, e bukur dhe pa feminitet, sepse ky donte të shkonte në shtrat me te dhe nuk do t’ia arrinte kurrë, sepse rreth belit të saj të hollë dhe të bukur, i cili ftonte të përfshihej në krahë, gjendej vetëm brezi i kuq dhe i neveritshëm, e që ishte simboli i dlirësisë.”
Kjo dukuri që e paraqet Orvelli në romanin e tij, vije si pasojë e urrejtjes që shfaqet te personazhi kryesor i veprës së tij e që na bën të kuptojmë se secilit nga ne në çaste tendosjeje dhe nervoze, na vinë ne mendje ide perverse dhe të çmendura që na bëjnë të shprehemi duke thënë fjalë banale që na dalin pavetëdijshëm nga goja. Në këtë rast, unë nuk po bëj krahasime në mes të Ilir Muharemit dhe George Oewellit si shkrimtarë që përshkruajnë të njëjtin problem nga këndvështrime të ndryshme, por vetëm desha që ta vërtetoj atë që e thashë(shkrova) më lartë. Pra, edhe romani PSICHO na e jep të njëjtën ndjenjë dhe na bën të kuptojmë se në mesin tonë mund të ketë njerëz të tillë që janë plot urrejtje ndaj nesh dhe të tjerëve. Autori në këtë libër është munduar ta portretizojë një monstër të tillë në mënyrën e vet, dhe sa ia ka arritur, ju mbetet juve që ta shihni dhe analizoni gjatë kohës sa e lexoni këtë roman i cili është romani i parë tek ne që e rrahë këtë temë, e që ka të bëjë me njerëz me çrregullime të mëdha mendore dhe që flet për kanibalizmin si një dukuri aktuale dhe të dukshme.